Ish-deputeti Spahiu shpalos alternativën për sektorin e bujqësisë

Ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, tregon planin me 7 pika se si mund të ndryshojë bujqësia në Shqipëri.

Përmes një postimi në “Facebook”, Spahiu thotë se Shqipëria ka peshën më të madhe të këtij sektori në raport me PBB në Europë.

Por sipas tij, paradoksi është se vendi vijon të jetë importues i prodhimeve bujqësore, duke bërë dhe krahasimin me rajonin.

Postimi i plotë i Spahiut:

Shqipëria mbetet vendi me peshën më të lartë të bujqësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në Europë dhe gati sa dyfishi i rajonit, ndërkohë që paradoksi qëndron në faktin se vendi vijon të jetë importues neto i prodhimeve bujqësore. Në Maqedoni, bujqësia zë 10.2% të peshës në totalin e PBB-së; në Malin e Zi zë vetëm 10% të PBB-së; në Bosnjë, vetëm 7.8% të PBB-së; në Serbi zë 9.7%; në Ukrainë 11.8% dhe në Rusi vetëm 4%. Në vendet e zhvilluara të BE, bujqësia zë rreth 2% të PBB-së. Teksa sektori ka pozitë dominuese në ekonominë shqiptare, vendi vijon të importojë produkte ushqimore 4.7 herë më shumë se sa eksporton.

Çfarë duhet bërë:

Sektorë shumë potencialë janë fruta-perimet. Përpunimi i tyre si dhe i gjithë zinxhiri i vlerës së shtuar i lidhur me sektorin.

Investimet e kryera në këtë sektor në përgjithësi me një kthim financiar të shëndetshëm.

Planet e investimit duhen bazuar jo në trendin e momentit, por në plane të sakta biznesi dhe në investime me kthim të qartë financiar.

1-Shqipërisë I duhet një paketë më e mirë ligjore mbi tokën bujqësore dhe ligjin mbi kooperativat ose shoqatat bujqësore.

2- Incentivat mbi unifikimin e prodhimit dhe lehtësimi i tregtimit të tokës do të rrisnin shumë ekonomitë e shkallës në bujqësi e për rrjedhojë, rritje ekonomike më të lartë.

3-Çertifikimet ndërkombëtare dhe adaptimi i teknologjive bujqësore bashkëkohore do të rriste ndjeshëm eksportet bujqësore dhe rendimentet e produkteve. Çertifikimi ashtu dhe teknologjitë e reja, ulin koston afatmesme të ekonomive të vogla.

4-Financimi duhet dhe mund të jetë në përmasa shumë më të larta se aktualisht. Politika incentivuese si njësimi i programeve të garancisë dhe rritja e fondeve grant do të rriste ndjeshëm investimet në sektorët prioritarë.

5- Bujqësia me ferma të vogla do të jetë baza e sektorit dhe si e tillë do të duhet të orientohen edhe politikat bujqësore afatgjata. Sot, 99% e fermave i përkasin këtij grupimi, me mesatarisht 1 ha. 80% e fermave do të mbeten të vogla në kufijtë e 2 ha edhe pas 10 vjetësh dhe shumë prej tyre mund të mbijetojnë si aktivitete dytësore të familjeve në zonat rurale, kur të kenë më shumë punësim në aktivitetet e tjera ekonomike. Kjo pjesë e bujqësisë do të duhet të mbështetet për t’u bërë konkurruese, kryesisht nëpërmjet integrimit me industrinë ushqimore përpunuese dhe rrjetin e tregjeve vendase të pakicës.

6- Fermerët në zonat malore (që bëjnë pjesë te grupi i parë, rreth 40% të tyre) vazhdojnë të jenë të diskriminuar dhe duhet të përfitojnë mbështetje në kuadrin e zhvillimit rural, veçanërisht në përdorimin e agro-biodiversitetit, mbrojtjen e mjedisit dhe masat për uljen e varfërisë, duke shfrytëzuar edhe prioritete të tjera të diversifikimit të prodhimit, veçanërisht agroturizmin atje ku janë potencialet, si dhe bimët aromatike.

Sektori është i rëndësishëm dhe ka zgjidhje, mjaft të jetë prioritar, ashtu siç premtohet në të gjitha fushatat elektorale.

Comments are closed.