Mbyti gruan me jastëk, pendohet 32-vjeçari: E doja, por e vrava nga xhelozia

Një krim makabër në familje tronditi dje Gramshin, pasi në fshatin Grekan, 32-vjeçari Alket Hysa mbyti me jastëk bashkëshorten e tij.

Gurije Hysa, nënë e tre fëmijëve gjeti menjëherë vdekjen në banesën ku familja jetonte në kushte skandaloze, mes mjerimit dhe varfërisë së madhe.

Pas krimit, që dyshohet se mund të ketë pasur shkak sherret për xhelozi, por edhe probleme të mundshme mendore të Alketit, ky i fundit ka marrë mushkën dhe ka shkuar tek e motra, në fshatin Lumas në Berat për t’i thënë se ka vrarë gruan.

Ndërkohë, përballë forcave të policisë në Komisariatin e Gramshit, ai ka shprehur pendesë duke thënë e pranuar krimin. 32-vjeçari është shprehur se gjithçka kishte ardhur për shkak të xhelozisë, pasi kishte dyshime se bashkëshortja e tradhtonte.

“E doja gruan time. U zumë si çdo çift, se ajo nuk më dëgjonte. Isha xheloz si çdo burrë. Jam penduar për atë që kam bërë dhe më shumë më vjen keq për fëmijët”, ka deklaruar 32-vjeçari para oficerëve të Policisë.

Më tej, babai i tre fëmijëve ka rrëfyer se kulmi i debateve me gruan kishte arritur mbrëmjen e së premtes.

“Debatuam pas darkës. Guria nuk më dëgjonte asnjëherë se çfarë i thosha, bënte me kokën e saj. Pas debatit, u shtrimë për të fjetur, atë e zuri gjumi direkt, ndërsa unë po bluaja ato që kishim debatuar. Nervat nuk më ishin ulur dhe në një gjendje të rënduar e mbyta me jastëk. Jam penduar që e vrava, nuk duhej ta kisha bërë kurrë”, ka thënë ai.

Ndaj 32-vjeçarut rëndon akuza për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërkohë që fakti se është dënuar dy herë të tjera për dhunë në familje, pritet ta rëndojnë akoma edhe më shumë pozitën e tij para ligjit.

Comments are closed.