Kroacia bie në Hungari, Austria dështon. Fitojnë Rusia e Skocia

Pas fitores së vështirë 3 ditë më parë përballë Azerbajxhanit, nënkampionët e Botës pësuan sot humbje në transfertën ndaj Hungarisë, në sfidën që përfundoi me rezultatin 2-1.

Kroacia gjeti e para avantazhin, pasi sulmuesi i Eintrachtit të Frankfurtit, Ante Rebiç shënoi në minutën e 13’, por hungarezët barazuan në pjesën e parë dhe më pas në të dytën, gjetën edhe golin e avantazhit.

Të besuarit e Daliç u përpoqën shumë për të ndryshuar fatin e takimit, por nuk ia dolën të gjejnë golin e barazimit dhe dolën kokulur nga stadiumi.

Në sfidën tjetër të grupit, atë mes Uellsit dhe Sllovakisë, britanikët fituan me rezultatin minimal 1-0, falë një goli të shënuar nga mbrojtësi i Swanseat, Daniel James, që në minutën e 5-të të takimit.

Austria pësoi humbjen e dytë radhazi në 3 ditë, duke komplikuar tërësisht rrugën drejt një vendi në kampionatin Europioan 2020. Pasi humbën në shtëpi përballë Polonisë, austriakët dolën kokulur edhe nga transferta izraelite, me vendasit që fituan 4-2.

Sulmuesi Zahavi ishte protagonist për Izraelin, pasi shënoi 3 herë, ndërsa Dabbour gjeti golin e katërt ndaj austriakëve, që nga ana e tyre u kundërpërgjigjën me dopietën e Arnautoviç.

Në grupin I, Rusia mori një fitore të thellë 0-4 në transfertën ndaj Kazakistanit fqinj, ndërsa Skocia fitoi minimalisht 0-1 në transfertën ndaj San Marinos modeste.

Comments are closed.