Vrasja e Jurgen Kurtit, nëna e të dyshuarit: Drejtësinë e bëri Zoti, jo djali im!

Pasi policia shpallii në kërkim Dervis Arapin për vrasjen e 26 vjeçarit Jurgen Kurti, të ndodhur mbrëmjen e 18 marsit 2019 në Tiranë, nëna e të dyshuarit thotë se djali i saj jeton në Itali dhe nuk ka qenë në Shqipëri gjatë këtyre ditëve.

“Sot dëgjova një komunikatë se djali im është shpallur në kërkim. Nuk kemi lidhje fare me vrasjen e Jurgen Kurtit, ka rrengje këtu. Ju bëj thirrje juve si televizion që të më ndihmoni, Edi Ramës, Sandër Leshit, Etilda Gjonajt, Arta Markut që të merren personalisht me vrasësin e Jurgen Kurtit. Nuk jemi ne aq të fuqishëm sa të vrasim Jurgen Kurtin”, tha Vjollca Arapi për ‘Ora news’.

“Nuk ka lidhje me djalin tim. Më dhimbset që iku ashtu, por Zoti e pa vetë dhe bëri drejtësinë. Drejtësinë ia vuri Zoti se për shtetin nuk duhet të kishte vdekur por të ishte në qeli që kur vrau babain e tij. Mos më akuzoni djalin, ai po punon për të më mbajtur mua. Jam e vetme mes katër rrugëve”, deklaroi gruaja.

Ajo tha se herën e fundit që ka komunikuar me djalin ishte, kur Devisi erdhi të bënte një prokurë për vdekjen e babait të tij Agim Arapi.

“Ai erdhi të bëjë një prokurë se ma kërkoi avokati për vdekjen e bashkëshortit tim. Erdhi të premten dhe iku të dielën se nuk e do këtë vend. Jo absolutisht nuk ka qenë në Shqipëri gjatë këtyre ditëve”, tha ajo.

Vjollca Arapi frikësohet se vrasjen e të Jurgen Kurtit duan t’ia lënë djalit të saj.

“Nëna e Jurgen Kurtit po përjeton atë që përjetova unë para dy vitesh. Mua më vranë burrin por vrasja e fëmijës është e rëndë. I bëj thirrje të kërkojë vrasësin e djalit të saj. Nuk kemi ne vrasësit e djalit të saj. Ne nuk kemi lidhje fare, as unë as familja ime, as të afërmit e mi. Mos e ka vrarë ndonjë ‘kokë’ dhe duan t’ia lënë djalit tim. Po na merrni në qafë. Nëse na vrau Jurgen Kurti njëherë ju po na vrisni dy herë. Ai është në Itali, punon atje. Ai fal 5 vaktet dhe as pistoletë mund të mos ketë parë kurrë në jetën e vet.”

Vjollca Arapi deklaroi se se Devis nuk ka asnjë arsye pse të dorëzohet.

“Pse duhet të dorëzohet kur nuk ka bërë gjë. Ata le të gjejnë vrasësin. I prishin punën, Italia nuk beson për këto gjëra. Boll na shkatërruat. Nuk kemi ne vrasësit. Nuk kemi lekë ne të paguajmë vrasës me pagesë. Nuk jemi e asaj lloj kategorie. Djali im nuk ka bërë asgjë”, tha gruaja.

Comments are closed.