Vjedhja e pasaportave, shkarkohet konsulli shqiptar në Janinë

Gati një muaj pas vjedhjes së 100 pasaportave shqiptare, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka liruar nga detyra konsullin shqiptar në Janinë, Pervin Gjikuria, i cili mësohet se po transportonte paspaorat drejt Greqisë fqinje.

Mësohet po ashtu se ministria vendosi masë disiplinore ndaj ambasadores Adriana Hobdari, për të cilën pritet të merret një vendim ditët në vijim.

Sikur të ms mjaftonte fakti se dërgesa diplomatike ishte bërë jashtë çdo standardi kombëtar e ndërkombëtar, vjedhja e pasaportave ka dhe një kosto të lartë, pasi shqiptarët që kanë aplikuar për to kanë paguar nga 150 euro.

Kjo ngjarje duket se ka shkaktuar në fakt edhe një nga skandalet më të mëdha diplomatike të shtetit shqiptar përgjatë viteve të fundit dhe vjen mes një klime mjaft te tensionuar politike mes qeverisë dhe opozitës.

Gjithçka duket se nisi më 13 shkurt, kur 100 pasaportat e reja ishin futur në çanta dhe pa asnjë shoqërues të ministrisë, ishin dërguar me linjën e autobusëve Tiranë-Athinë. Pengesa e parë për mbërritjen e tyre në destinacion do të vinte gjatë kontrollit të Policisë greke në Pikën Kufitare të Kakavijës, pasi dërgesa kishte krijuar dyshime dhe çantat janë bllokuar.

Sipas raporteve, policia greke ka ndaluar shoferin e autobusit si të dyshuar për trafik pasaportash, situatë që ka prekur edhe udhëtarët e autobusit, të cilëve po u bëhej e pamundur lëvizja drejt Greqisë. Shoferi ka sqaruar autoritetet greke se ishte një dërgesë e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, dërguar ambasadës sonë në Athinë me pasaportat e reja të bashkëkombësve tanë.

Të nisur nga dyshimet, por edhe mosrespektimi i standardeve për transportin e tyre, Policia greke ka hyrë në kontakte me Ministrinë e Jashtme të Greqisë, nga e cila kërkoi që të kontaktonte diplomatët në Tiranë. Pas disa orësh, shoferi është lënë i lirë të vazhdojë rrugën me autobusin e tij, por çantat me pasaporta janë bllokuar në Kakavijë deri në mbërritjen e punonjësve diplomatikë të autorizuar për tërheqjen e tyre.Por gjatë transportimit të tyre nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë automjeti me targa diplomatike u sulmua dhe pasaportat u grabitën nga persona ende të paidentifikuar dhe me siguri do të keqpërdoren për qëllime kriminale.

Sipas Konventës së Vjenës, e cila përcakton qartë se si bëhet transportimi i materialeve diplomatike, dy janë rrugët: përmes pakove diplomatike me avion si kargo ajrore, ose me rrugë tokësore me mjet me targa diplomatike CD dhe të shoqëruar nga një korrier diplomatik.
Gjithmonë pakoja diplomatike ka firmën e një kutie të stampuar, me elementë sigurie dhe tregues dhe duhet të ketë letër shoqëruese. Në asnjë pikë të nenit 27 të Konventës së Vjenës nuk thuhet që pakot diplomatike mund të dërgohen me autobusë të udhëtarëve dhe të pashoqëruar nga korrierë diplomatikë.




Comments are closed.