Mbyti gruan dhe fshehu krimin, prokuroria: Duam burgim të përjetshëm

Mbyti gruan me litar dhe i theu krahun,  Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për të moshuarin Namik Velaj. Ndërkohë, për mjekun, Ilir Tanku, u kërkua 3 vite burg dhe 2 vjet heqje të së drejtës për të ushtruar profesionin e tij. Vrasja  ka ndodhur në janar të 2017-ës, por 76-vjeçari u arrestua në mars të 2018, pasi vdekja e Verke Velajt, u raportua si natyrale, version i konfirmuar edhe nga mjeku Ilir Tanki, i cili është marrë i pandehur për shpërdorim detyre.

Çfarë ndodhi mes viktimës dhe vrasësit?

Namik Velaj kishte mbytur gruan e tij dhe më pas kontaktoi mjekët që ta përcaktonin si vdekje natyrale. Të afërmeve të viktimës iu tha se Verke Velaj kishe vdekur nga tensioni i lartë. Dyshimet nisën kur në qafën e viktimës ishte një shall, që i mbulonte shenjat e dhunës. Vëllezërit e gruas bënë denoncim dhe fillimisht ngjarja u fsheh. Pas shumë peripecish, nisin hetimet dhe u rezultua se nuk bëhej fjalë për vdekje natyrale por vrasje.

“Nuk e pamë, pasi e kishin veshur, i kishin vënë një shall në grykë, si gjoja ia kishte lënë çupa. Në darkë erdhën fëmijët, mora vëllain e madh dhe i thashë që ka një të nxirë në grykë. Nuk di gjë-tha ai. I thash djalit, merr vesh se çfarë të është bërë për nënën. Erdhën në mëngjes, e varrosën, ikëm dhe nuk morëm më. Vajta ta denoncoj, më thanë ke ardhur me vonesë”, thotë vëllai i viktimës Qemal Muskaj. Ky i fundit kërkoi zhvarrimin e kufomës dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda zbuloi vrasjen e gruas, që ishte fshehur nga të gjithë.

Gazeta Shqip




Comments are closed.