Ditari i Sadijes: 11 vite në Lidhje e lodhën Dritëroin

35 vite më parë, më 15 mars 1884 Sadije Agolli atëherë vetëm 40 vjeç, shkruan nga Vlora, në një faqe ditari letrën e mëposhtme…Ndërsa në një tjetër letër më 1982-shin, kur Sadija ndodhej në spital për një ndërhyrje kirugjikale, Dritëro Agolli i shkruan asaj një letër plot humor. Të dyja letrën shqiponline po i sjell më poshtë për lexuesin: “Vlorë 15 mars 1984 Erdhëm me Dritëroin. Ai do të punojë për raportin e Kongresit të tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. 11 vjet punë në Lidhje kanë lënë gjurmët e veta në jetën dhe shëndetin e Dritëroit.

Është i lodhur fizikisht dhe mendërisht. Në ditët dhe netët që shkruante poezi, sytë i shkëlqenin, ndërsa tani sytë i janë hapur, supet i ka si të ngrira. Shpesh herë , duke punuar, shtrëngon tëmthat. Ai nuk do të pranojë se është i lodhur, por unë e kuptoj nga çdo lëvizje që bën, nga çdo fije floku që i dridhet, nga fleta e letrës që mban në dorë . Të shtrirë në krevat i thashë: -Dritëro, sa të mbarosh Kongresin, do të pushosh një dyjavësh? Vetëm të lexosh, çfarë të lexohet.

Të shëtitësh. Të shkruash poezi, në qoftëse të shkruhet. Të pushosh plotësisht. -Po , do të pushoj. -Edhe fjalët i thua me kursim. Kaq i ri, të jesh kaq i lodhur. Ke bërë një jetë shumë intensive. Qëndruam gjithë ditën në dhomë. Ai redaktonte raportin , ndërsa unë lexova katër kumtesa të aktorëve të trupës së teatrit të Vlorës. Nga këto katër, vetëm një është për botim. Mua më dhembin kockat.

Sikur ka hyrë një krimb dhe m’i gërryen ca nga ca. Kjo gjendje më bën shpesh pesimiste. Është gjynah që edhe mjekët tanë më të mirë nuk kanë logjikën e mprehtë të një gazetari të mirë. “Është gjendja klimaterike, prandaj duhet të durosh Sadije. Pi valium, kalçium, vitaminë C!” Duron gruaja shqiptare, duron shumë.” E dashura ime, Tani në orën 8:00 jam në mbledhje , në Komitetin e Partisë të Rajonit Nr. 1, pasi del në analizë organizata bazë e Partisë.

Këto gjërat që kërkoje e të tjera po t’i dërgojmë me Spiron. Unë do të vij pas mbledhjes. Mos u mërzit dhe mos u tremb se të gjitha do të kalojnë mirë. Bile për të kaluar mirë e më mirë disa po luten dhe kanë filluar t’i besojnë Perëndisë, duke u përpjekur të mos e fyejnë me fjalë ateiste , edhe ndonjë lypsari i japin lëmoshë! Unë mbrëmë kam ndenjur vonë natën.

E kështu , mos u mërzit dhe veçanërisht mos u tremb, por shko para litarit si një nga të trembëdhjetë Bilbilenjtë. Merr shembull nga Çoti që para operacionit këndoi: Trembëdhjetë Bilbilenjtë Vanë në litarë vetë! Dhe pastaj tha në këngë: Dale bej , të dredh mustaqet, Dale, bej, se kam një fjalë , Se nuk jam çanak me dhallë, Po jam Bilbili me pallë. Ti thuaj: Dal, Glozhen , se kam një fjalë Dal,Glozhen , të krihem pakë, Se nuk jam çanak me dhallë Po jam Sadija me pallë! Kështu duhet të këndosh para operacionit që të çuditen doktorët me gjithë namin e tyre të madh . Të përqafoj e të puth Dritëroi 30.9. 1982

Gazeta Shqip

Comments are closed.