“Plas” te Kombëtarja, Lenjani – Panuçit: Me lot në sy, s’vij më sa të jesh ti!

Na ndajnë edhe 4 ditë nga çelja e eliminatoreve për Europianin 2020 dhe përpara ndeshjes hapëse me Turqinë në “Loro Boriçi” te Shqipëria duket se po mbizotëron një klimë aspak e qetë.

Sikur të mos mjaftonin dëmtimet, trajneri italian Kristian Panuçi i ka hedhur “benzinë zjarrit” duke përjashtuar nga grumbullimi portierin Thomas Strakosha për shkak të shtyrjes së fluturimit për në Tiranë.

Por teksa “zjarri” i çështjes Strakosha mbetet ende përvëlues, një tjetër kuqezi ka bërë një deklaratë që ndez gjakrat. Emir Lenjani pasi nuk i është dërguar një ftesë për të disatën herë radhazi, pavarësisht formës së shkëlqyer që po kalon me Sionin, ka “shpërthyer” ndaj Panuçit.

Anësori i majtë, duket se është thirrur nga trajneri pas lëndimit të 3 elementëve ditën e parë të grumbullimit, por ai e ka refuzuar ftesën duke shkruar në Facebook se kurrë më nuk do të jetë pjesë e kombëtares, për sa kohë trajner është italiani.

POSTIMI I LENJANIT:

Që nga viti 2013 jam pjesë e Kombëtares shqiptare dhe ndihem krenar për këtë gjë. Saherë jam ftuar e kam pranuar ftesën me dëshirën më të madhe pasi çdo herë kur e kam veshur fanellën kuq e zi e kam veshur me shumë dashuri. Kam qenë gati gjithmonë, kam sakrifikuar shumë, jam gjakosur, kam qarë e kam qeshur si futbollist i Shqipërisë. Kam pranuar edhe stolin, por jam respektuar gjithmonë. Tani në dy vitet e fundit jam duke kaluar nëpër një formë shumë të mirë, por po injorohem nga trajneri momental i Kombëtares. Nuk kam luajtur asnjë minut në Ligën e Kombeve, por nuk kam bërë zhurmë dhe kam vazhduar të punoj edhe më fort. Kur lëndohen 4-5 lojtarë trajnerit i bie në mend që luan dikund Ermir Lenjani dhe më dërgon ftesë. Faleminderit, por JO. Me lot në sy e them se nuk do të grumbullohem më me Kombëtaren sa të jesh ti aty. Kam kontribuar shumë dhe meritoj respekt. Dashuria ime për Shqipërinë është më e madhe se urrejtja jote për mua. Unë kam qenë, jam dhe gjithmonë do të jem djalë i Shqipërisë, ndërsa ti je vetëm kalimtar.




Comments are closed.