ONM me gjetje të re për Rovena Gashin, të enjten seancë në KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të zhvillojë të enjten seancën gjyqësore për ankimin e Rovena e Gashit për shkarkimin e saj si prokurore nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Seanca do të zhvillohet në orën 10:00 në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Por çfarë e shtyu KPA të zhvillojë seancën e hapur me prokuroren Rovena Gashi?

Sipas “Panorama” ka një gjetje të re të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe nga ana e përfaqësuesve të ONM do të kërkohet që Gashi të jap përgjigje në lidhje me të.

Kolegji nuk bën me dije se për çfarë ka të bëjë gjetja e ndërkombëtarëve, por lajmëron se në 4 prill, do të zhvillojë një seancë të hapur me Rovena Gashin, ku kjo e fundit do të jap pretendimet e saj.

“Bazuar në nenin 51, pika 1, germa “a” e ligjit nr.49/2012 për “Gjykatat Administrative dhe Gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative”, i ndryshuar, trupi gjykues i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Luan Daci relator, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, mori vendimin e ndërmjetëm për shqyrtimin e çështjes në seancë publike për dëgjimin e subjektit të rivlerësimit, lidhur me një gjetje të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, dërguar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit me shkresë nr.321 prot., datë 14.03.2019 dhe të protokolluar me nr.357 prot., datë 15.03.2019”, njofton Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Comments are closed.