Hapen zyrat e reja për aplikimet për ID në Njësitë 5, trefishohen kapacitetet

Qytetarët e Njësisë 5 në kryeqytet nuk do të duhet të presin në radhë për t’u pajisur me letërnjoftimet e reja. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe kompaninë ALEAT, hapën zyrat e reja për aplikimin për mjetet biometrike të identifikimit edhe në këtë njësi, një nga më të mëdhatë e kryeqytetit.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga ministrat Sandër Lleshaj dhe Pandeli Majko, Drejtorit Ekzekutiv i Aleat, Jean Alain Jouan, panë nga afër mjediset e reja, të cilat trefishojnë kapacitetet e shërbimit ndaj qytetarëve. “Jam shumë i lumtur sot që bashkë me dy ministrat hapim sot një njësi të dedikuar të Aleat-it për kartat e identitetit dhe pasaportat, për atë që ndoshta është qyteti i dytë më i madh pas Tiranës, Njësia 5. Njësia 5 ka kaluar nga 3 sportele në 8 sportele, pra thuajse kemi trefishuar aksesin për të gjithë qytetarët që marrin shërbim në 4-5 minuta”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se falë hapjes së zyrave të reja të dedikuara për aplikimin për mjetet biometrike të identifikimit në të gjithë kryeqytetin, janë zhdukur radhët e gjata. Zyrat e reja për aplikimin për letërnjoftimet elektronike do ju vijnë në ndihmë edhe zonave rurale, që dikur kanë qenë ish-komuna. Për të lehtësuar shërbimin ndaj banorëve të këtyre zonave, shërbimet e zonave të ndryshme janë grupuar nëpër qendrat administrative më të afërta.

“Me Tiranën rurale po i grupojmë te qendra administrative më e afërt. Kjo është arsyeja pse te rrethrrotullimi i Shkollës Teknologjike kemi zyrën që ka bashkuar Njësinë 6 me 7, për ta liruar zyrën e Kombinatit kryesisht për Ndroqin, Pezën dhe Vaqarrin. Besoj me këtë frymë do të vazhdojmë edhe në njësitë e tjera rurale, për t’u siguruar që hyrja e tyre e parë në qytetin e Tiranës të jetë edhe baza më e madhe e shërbimeve. Ndërkohë, shërbimet ofrohen edhe në njësitë e tyre administrative, sidomos sipas raportit të banorëve. Shëngjergji ka më pak banorë, ndërkohë që Kashari është një zyrë më vete”, theksoi Veliaj. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj vlerësoi punën dhe bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës për të afruar shërbimet cilësore më pranë qytetarëve.




Comments are closed.