Ndarja e Kosovës/ Thaçi fut në “lojë” Ibrahim Rugovën: Idenë e mora prej tij!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u vendos sot përballë sfidantit të tij më të rëndësishëm, Albin Kurti në konferencën e “RIDEA” me temën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Teksa lideri i Vetëvendosjes përsëriti qëndrimin kundër ndarjes së Kosovës, Thaçi e mbrojti idenë për korrigjimin e kufirit dhe për më tepër theksoi se atë e ka huazuar nga ish-presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, dhe Nexhat Daci e Lutfi Haziri.

Mirëpo, mediat kosovare nxituan të sqaroni këtë deklaratë të Thaçit, duke e nxjerrë atë si një të pavërtetë të madhe, pasi në pikëpamjet e ish-Presidentit Rugova nuk ka qëndruar asnjëherë ideja për korrigjim kufiri me Serbinë.

Për kufijtë, Rugova kishte shkruar edhe në librin e tij, “Çështja e Kosovës”. Siç shkruan Rugova nëse ndonjëherë me Serbinë do të diskutohej korrigjim kufiri, ai do të kërkonte bashkim të të gjithë trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi, përfshirë këtu zona si Presheva, Ulqini, Plava, Tetova e Ohri.

“Me përfaqësuesit shqiptarë të ish-Jugosllavisë, ne formuluam tre opsione që i transmetuam Europës. Mundësia e parë: Kosova e pavarur, garanci për shqiptarët e Maqedonisë dhe njohja e statusit të kombit për ta, dhe autonomia e vetëqeverisjes për shqiptarët e Malit të Zi dhe Serbisë jugore (Luginës së Preshevës). Ky opsion mbështetet në parimin e respektimit dhe mosndryshimit të kufijve të ish-Jugosllavisë. Nëse do të kishte ndryshime të kufijve të brendshëm republikan, atëherë do të kërkojmë një Republikë që do të bashkonte të gjithë shqiptarët e ish-Jugosllavisë. Kjo është alternativa e dytë. Mundësia e tretë: nëse do të ketë një ndryshim në kufijtë të pranuar ndërkombëtarisht, ne do kërkojmë bashkim me Shqipërinë”, shkruan Rugova në librin “Çështja e Kosovës”, faqja 183.

Comments are closed.