“Ma qenef mashkull në jetë…”! Shau Ramën apo Veselin, sqarohet Haradinaj

Nga kompleksi memorial në Gllogjan, ku ritheksoi se sa të jetë ai në krye të qeverisë së Kosovës, taksa 100% ndaj mallrave serbe nuk do të hiqet, Ramush Haradinaj ka komentuar edhe shprehjen: “Ma qenef mashkull në jetë…”, që e tha kur doli nga Kuvendi në përfundim të seancën solemne për 11-vjetorin e Pavarësisë.

“Shpresoj më dëgjuat shumë mirë. Po e shihni ku kam ardhur për ta thënë. Sa jam unë kryetar qeverie taksa nuk hiqet”, tha Haradinaj.

Por, në vijim ai u pyet nga mediat nëse ishte i acaruar në seancën solemne dhe nëse ia dedikoi “sharjen” e tij kryetarit të Kuvendit dhe aleatit qeverisës, Kadri Veseli, apo kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Kjo pyetje iu bë pasi në videot nga seanca u pa qartë se Haradinaj nuk e përshëndeti Ramën dhe patën një incident mes tyre edhe në ceremoninë e parakalimit të ushtarëve të FSK-së.

Ramush Haradinaj gjithashtu u shfaq i tensionuar, kur Kadri Veseli mbajti një fjalim që bëri të tjerët të mendojnë për lëkundje në koalicionin qeverisës.

Gjatë homazheve në Gllogjan, Haradinaj  tha se nuk qëndron asnjë prej aludimeve të mediave.

“Nuk e di që kam qenë i acaruar për besë edhe acarimet i kam jep të natyrave tjera jo vetëm të asaj që ka ndodh në seancë, nuk ka pas të bëjë me seancë… probleme të mia, do të ju tregoj ndonjëherë”, u shpreh ai.

I pyetur se kujt i ishte referuar me shprehjen e tij, Haradinaj tha se nuk i kujtohet.

“Për besë nuk më kujtohet, nuk po di a e kam thënë, por hiç nuk po më kujtohet, ka qenë ka dalja por nuk e di për çfarë ka qenë tema”, nënvizoi kryeministri i Kosovës.

Comments are closed.