Spitalet private që u kushtojnë shtrenjtë shqiptarëve

Luksi dhe komoditeti në spitalet private shqiptare janë për t’u pasur zili, përfshirë pajisjet dhe aparaturat mjekësore që janë të fjalës së fundit të teknologjisë. Por nëse kjo është për t’u vlerësuar, nuk mund të thuhet e njëjta gjë sa i takon çmimeve të kripura.

Kjo, krahasuar me standardin shqiptar, ku përfshihen pagat minimale, mesatare e të larta, por edhe me mundësitë financiare që kanë sot familjet shqiptare, duke llogaritur paratë e ardhura nga emigrantët.

Pavarësisht mundësive të tyre, parave të kursyera apo të marra borxh, ata kërkojnë vetëm shpëtim, të kryejnë analiza, operacione, ndërhyrje invazive në privat. Kostot janë të larta, duke nisur nga një analizë apo konsultë e thjeshtë e deri te ndërhyrjet kirurgjikale apo trajtimet specifike me shkallë të lartë vështirësie.

Dy nga më të mëdhenjtë në vend, Spitali Amerikan dhe Hygeia kanë pamjen e një hoteli teksa i shikon në fillim. I pari ka tre degë në kryeqytet dhe çmimet nuk ndryshojnë nga njëri-tjetri: vetëm një natë hotelerie, kushton nga 120-150 euro.

Por peripecitë nuk mbarojnë këtu, sepse pavarësisht nga reklamat që bën ky spital, hallet sapo kanë nisur. Çmimet e larta duket se janë kthyer në normalitet për pacientët dhe familjarët e tyre.

Ka pasur raste, kur në mungesë të një trajtimi të plotë, mjekët të dërgojnë në shtet…! Një sorollatje për të paguar lekë pa të shëruar dhe më pas të përcjellin.

Të paktën 150 euro është vetëm fjetja, pa përfshirë ilaçet e konsultat. Ndërkohë që xhepat e shqiptarëve zbrazen me kryerjen e lloj lloj analizash e ekzaminimesh me çmime borgjeze.

Ndërsa tek Hygeia, një natë qëndrimi në spital, pa përfshirë konsultat, ilaçet apo deri dhe ndërhyrjet, shkon 200 euro një natë.

Spitalet private zakonisht funksionojnë me paketa dhe oferta, por edhe këtu çmimet janë të larta për standardin shqiptar.

Duhet thënë e vërteta për këto spitale, shteti në vend që t’i kontrollojë, mjaftohet që u merr ndonjë qira ose taksat nga shëndeti i shqiptarëve.

Gazeta shqip

Comments are closed.