Gardisti që vrau gruan, fqinjët: Mund ta ketë bërë pa dashje!

Pak orë pas ngjarjes tragjike në Allias, fqinjët e gardistit Alket Arapaj, i cili vrau gruan e tij janë shprehur të habitur nga lajm që dëgjuan në mëngjes.

Ata thonë se çifti i bashkëshortëve ka qenë model, duke hedhur dyshime se ngjarja mund të ketë qenë aksidentale, pasi u duket e pabesueshme Arapaj të ketë vrarë të shoqen. Sipas tyre, ata kanë qenë një familje shumë e mirë. Ndërsa thonë se nuk kanë dëgjuar asnjë të shtënë.

“Familje e mirë, ka kaq vite këtu. Si nëna edhe i ati shumë i mirë. Edhe ai ishte shumë i mirë, ishin njerëz me fe, se faleshin. Ne jemi habitur kur dëgjuam këtë lajm. Do ketë qenë ndonjë moment, ose do ta ketë bërë padashje. Nuk ka mundësi që një njeri kaq i mirë të vriste gruan. Edhe gruaja ishte shumë e mirë”. Asnjë të shtënë nuk kam dëgjuar. Ishte familje e rregullt”.

Ata tregojnë se çifti kishte vite që jetonte së bashku dhe kanë mbetur pa fjalë kur kanë mësuar për ngjarjen. Mësohet se vrasja ka ndodhur në kuzhinë, në katin e katërt të pallatit ku jetonte çifti. Ishin fqinjët ata që lajmëruan policinë për krimin e ndodhur, teksa vajza e mitur e çiftit ishte në gjumë.

Mësohet se vogëlushja është marrë nga familja e nënës së vrarë, ndërsa i ati u arrestua. Policia tha zyrtarisht se 44-vjeçari Alket Arapaj, punonjës në Gardën e Republikës, në banesën e tij, rreth orës 06.00 të mëngjesit të kësaj të marte, me armën e shërbimit ka vrarë gruan e tij.

Mësohet se Arapaj ishte besimtar mysliman dhe ndiqte rregullisht ritet fetare, ndërsa gruaja ishte e mbuluar. Prej afro 20 vitesh ai ishte pjesë e Gardës së Republikës me gradën “Kapiten”.

Gazeta Shqip

Comments are closed.