Si i shpëtoi Dritan Dajti burgimit të përjetshëm?

Dritan Dajti dhe ndryshimi i masës së tij të dënimit nga burgim i përjetshëm në vetëm 25 vite burg ishte tema e diskutimit në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili, këtë të hënë në Top Channel. Por si i shpëtoi ai burgimit të përjetshëm, a ishte vendimi produkt i drejtësisë së re apo i drejtësisë së vjetër ende të papastruar?

Anila Hoxha e Top Channel ishte gazetarja e parë që reagoi duke njoftuar për ndryshimin e dënimit, me gjyqtarët që kishin marrë parasysh kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar.

Si një gazetare që ka ndjekur të gjitha seancat në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda, disa dhjetëra, tregoi sesi Dritan Dajti dhe një tjetër i dënuar vinin me Kodin e Drejtësisë Penale me vete në qeli, pasi ishin njerëz që lexonin dhe i njihnin shumë mirë procedurat ligjore. Ai madje ka tentuar edhe arratisjen nga burgu, sepse si çdo i dënuar edhe ai pati strategjinë e vet për të frikësuar drejtësinë, duke iu thënë gjyqtarëve: ju bëni detyrën tuaj, llogarisni dënimet e mia të përjetshme, ndërsa unë do të bëj llogaritë e mia sesi të arratisem!

Abilekaj e konsideron vendimin si një rrjedhë normale e asaj që po ndodh në drejtësi.

“Të paktën 4 nga 5 anëtarët e Apelit të Krimeve të Rënda, sipas informacioneve të mia nuk e kalojnë vettingun, ndaj dhe ky vendim është një nga gjërat që do t’i mbeten drejtësisë së vjetër. Gjyqet janë shtyrë edhe prej paaftësisë së shtetit për të siguruar jetën e një gjyqtari kryesisht. Këto janë metoda që i kanë shfrytëzuar edhe shumë emra të tjerë të vendosur para gjyqeve”, tha Abilekaj.

Mes këtyre njerëzve u përmend edhe personi që vrau bashkëshorten e tij ish-gjyqtare, e cila u vra si gruaja e tij dhe jo për shkak të detyrës. Për Abilekajn, skandali në rastin e Dajtit ka të bëjë me faktin se është goditur shteti dhe janë vrarë 4 policë në krye të detyrës.

Edhe Mesila Doda e konsideron këtë ngjarje si një rënie të shtetit, me drejtësinë që është shantazhuar dhe dorëzimin para kërcënimeve të kriminelëve.

Nazarko, nga ana e tij analizoi momentin e krimit nga Dritan Dajti dhe miqtë e tij ndaj 4 oficerëve të policisë. Sipas tij “ata policë nuk vdiqën se ishin të papërgatitur, përkundrazi mund të kenë qenë ndër më të mirët në Policinë e Shtetit. Por, ata u stepën në ndërhyrjen e tyre ndaj të shumëkërkuarit Dajti, me frikën se nëse qëllonin mbi të, dikush nga brenda radhëve të policisë do t’i dekonspironte dhe banda e Dajtit do të hakmerrej ndaj tyre”.

Avokati Adriatik Lapaj deklaroi se problemi qëndron në faktin se, vepra për të cilën akuzohet Dritan Dajti, në vitin 2009 kur ka ndodhur nuk bënte pjesë ndër veprat penale ndaj të cilave nuk mund të kërkohej gjykimi i shkurtuar. Ai ka shfrytëzuar pikërisht këtë problem, ndërkohë që Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda nuk ka qenë e detyruar ta pranonte gjykimin e shkurtuar, pasi e ka tagrin për ta refuzuar atë. Këtë vendim, avokati që ndërhyri në lidhje direkte me emisionin, tha se është një makabritet që i bëhet drejtësisë.

Sa i përket reagimeve politike, nga ministrja e Drejtësisë apo ministri i Brendshëm, të cilët kërkojnë hetimin dhe dënimin ndaj gjyqtarëve që dhanë këtë vendim, gazetarja Anila Hoxha u shpreh se këto janë thjesht deklarata politike dhe sot për sot nuk ekziston asnjë organ që të hetojë ata gjyqtarë.

“Sot mungon institucioni Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, i cili duhet të hetojë dhe të gjejë shkeljet e këtyre gjyqtarëve, e më pas t’ia referojë Këshillit të Lartë të Gjyqësorit për të marrë vendim ndaj tyre. Por politika ende nuk e ka ngritur ILD-në dhe KLGJ-ja në këtë rast nuk ka çfarë të bëjë”, tha Hoxha.

Comments are closed.