Shesheli zbardh planin e Serbisë së Madhe: Marrim 10 komuna, hyjmë deri në Pejë e Gjilan!

Në kulmin e debatit për korrigjimin e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, lideri i partisë Radikale, Vojislav Sheshel ka paraqitur një projekt të vetin, për të krijuar Serbinë e Madhe. Sipas tij, në të ardhmen do të synohet që nga Kosova të “rrëmbehen” 10 komunat serbe por edhe korridore të posaçme të lidhjes së tyre me atë që ai e quan vendin mëmë.

Duke folur për portalin e Beogradit srbijadanas, Shesheli ka thënë se është kundër kufizimit.

“Unë nuk do ta quaja kufizim. Unë e kam quajtur ndarje ndërmjet serbëve e shqiptarëve. Nëse ata në Kosovë nuk mund të jetojnë bashkë, atëherë ata mund të ndahen dhe në një numër të organit të partisë sonë Velika Srbija (Serbia e madhe) kemi publikuar hartën e mundshme të kësaj ndarjeje”, ka thënë ai.

Sipas tij, katër komunat veriore me korridorin përmes Gorazhdecit e deri te Patrikana e Pejës, duhet të jenë krejtësisht në përbërje të Serbisë. Sheshel gjithashtu dëshiron që edhe pesë komunat nga Graçanica drejt Gjilanit t’i bashkohen Serbisë.

“Ato janë territorialisht të lidhura dhe nuk bëjnë asnjë problem për t’u realizuar”, ka thënë ai duke shtuar se këtu duhet të hyjë edhe komuna e dhjetë, Shtërpca.

Lidhur me Dragashin, Shesheli është treguar më ”dorëlirë”, duke thënë se ai i duhet lënë banorëve të atjeshëm të vendosin çfarë duan dhe me kë duan të qëndrojnë.

Shesheli me projektin e tij serbomadh, “e ka zgjidhur” edhe problemin e shqiptarëve në Kosovë, duke thënë se ata janë të lirë të kenë autonomi deri në qiell.

“Policia serbe të jetë në vendkalimet kufitare. Shqiptarët nuk mund të kenë ushtri. Nëse e quajmë autonomi, le të jetë ajo më e madhja, nëse duan ta kenë buxhetin vet, sistemin e vet tatimor, le t’i kenë të gjitha të veta dhe Beogradi fare të mos përzihet në punët e tyre, vetëm organet doganore le të jenë në vendkalimet kufitare. Pra, kjo është liri e plotë, ndërsa a do ta pranojnë këtë padronët e tyre, mbetet për t’u parë. Mund ta kenë edhe monedhën e vet nëse ndokush do të ketë besim në të. Madje, unë do t’i lija të merrnin pjesë në të gjitha garat ndërkombëtare. Nëse bën Skocia, Irlanda Veriore, Uellsi, munden edhe ata, as që merakosem për këtë. Por nuk ka ushtri, nuk ka anëtarësim në KB, në UNESCO në Interpol”, ka thënë lideri i radikalëve serbë.

Comments are closed.