Rasti “Dajti”, Hoxha: Nga paraburgimi 302 ku qëndronte u dekonspiruan aksione antidrogë

Vendimi për të dënuar me vetëm 25 vite burg Dritan Dajtin, vrasësin e 4 policëve në Durrës është kryefjala e debatit në emisionin “Open”, ku gazetarja Anila Hoxha ka veshur me përgjegjësi tre gjyqtarët të cilët rrëzuan burgimin e përjetshëm për një nga kriminelët më famëkeq shqiptarë.

Duke folur rreth historisë së Dajtit, gazetarja që ka ndjekur çështjen prej 10 vitesh tha se ai është favorizuar përgjatë viteve nga gjyqësori , teksa më minimalja ishte që ai të përfundonte në burg dhe jo në paraburgim, pasi për të kishte dy vendime të formës së prerë.

Hoxha zbuloi edhe detaje interesante, teksa tha se nga qelia e paraburgimit të Dritan Dajtit janë dhënë urdhra për dekonspirimin e disa operacioneve Anti-drogë të shtetit italian.

“Nga shteti italian është kërkuar që të hyjë në fuqi regjimi “41-BIS” sepse shpeshherë janë dekonspiruar operacione antidrogë me telefonata nga paraburgimi kryesisht 302 e 303, por edhe burgu i sigurisë së lartë në Peqin. Ajo që di unë është se shtetasi Dritan Dajti është mbajtur në paraburgimin 302, ku qëndrojnë mjaft figura të njohura që presin vendimin final të drejtësisë”, tha ajo.

Ndërkohë duke iu referuar deklaratës së ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj që i kërkoi KLGJ-së të shkarkojë 3 gjyqtarët që praktikisht “liruan” Dajtin, Hoxha tha se “është nul çdo deklaratë që ata japin pasi nuk mund të japë KLGJ vendim për asnjë nga këta”.

“KLGJ që duhet të marrë vendime ekziston por ILD-ja nuk është ngritur ende. Është njësoj sikur gjykata të bëjë hetimin dhe pastaj të dënojë, por kjo është e pamundur. Kështu edhe ky rast”, tha gazetarja e TCH.

Comments are closed.