Ndalimi i tregimit të makinave të vjetra, Rama: I gatshëm të dëgjoj sugjerimet

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me disa qytetarë, të cilët i janë drejtuar platformës së bashkëqeverisjes për zgjidhjen e problemeve.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Rama i dha përgjigje edhe ankesës së tregtarëve të makinave, të cilët nuk lejohen më të importojnë asnjë autoveturë me moshë më të madhe se 10 vite, e që nuk përmbush së paku normën e motorit “Euro 4”.

Rama tha se do t’i presë ata në një takim dhe se është i gatshëm të dëgjojë sugjerimet e tyre.

“Javën e fundit më ka ardhur një mori mesazhesh nga subjekte të tregtisë së makinave që shprehin shqetësim lidhur me efektet e normës së re të përcaktimit të një kohe për tregtimin e makinave në Shqipëri. I kam ndjekur me vëmendje këto ankesa dhe ju kam kërkuar të realizojnë një dëgjesë me të gjitha subjektet, që përveç shqetësimit shprehën edhe sugjerime mjaft racionale. Ne kemi praktikë dëgjimin e njerëzve, komuniteteve dhe grupet e interesit. Nisemi nga parimi që ne nuk i dimë të gjitha”, tha Rama.

Më tej Rama ka theksuar se platforma është transformimi i zyrave të marrëdhënieve me publikun, e si e tillë zëvendëson letrat dhe lehtëson komunikimin direkt të qytetarëve me ata që duhet t’u japin zgjidhje problemeve që kanë.

“E habitshme që ata që i thonë vetes mendje të ndriçuara, edhe e dinë veten për koka të mëdha nuk kuptojnë themeloren e platformës. Ajo është transformimi përmes inovacionit, i zyrave të marrëdhënieve me publikun, zëvendëson letrat drejtuar ministrive, agjencive, radhët për të marrë një kontakt për të çuar fjalë më lart ku të shkelet një e drejtë.

Thjesht mundëson që qytetari të jetë i pari, këtë e kemi dëgjuar 30 vjet, më jepni votën që të bëhem zëri juaj dhe ku jemi parë, kurse përmes platformës bashkëqeverisja është reale”, deklaroi Rama.

Gazeta Shqip

Comments are closed.