Mediat “kazan”, Majko deliron për VOA: Edi Rama penë e gazetarisë shqiptare

Kryeministri Edi Rama e nisi muajin shkurt duke hyrë në një “Luftë të Ftohtë” me Zërin e Amerikës, televizionin që zbuloi skandalin e qeverisë me emërimin e militantëve në burgje dhe blerjen e votave në disa qarqe, ku kryesori ishte Durrësi me raportin e fortë miqësor të Vangjush Dakos me bandën e Avdylajve.

Shefi i qeverisë e quajti “VOA-n” kazan, ashtu siç ka bërë me të gjitha mediat në Tiranë, por televizioni ia ka kthyer “reston” duke e vendosur me shpatulla pas muri ministrin e tij të Diasporës, Pandeli Majko.

Gjatë një interviste në Uashington, Majkos iu desh të bënte “mea culpa” në emër të qeverisë, për të mbrojtur kryeministrin dhe për të  mos hedhur baltë mbi investigimet e VOA-s, duke thënë se ka rezerva për mënyrën si reagoi Rama.

Por ministri i Diasporës në një moment ka deliruar duke e quajtur Edi Ramën një nga penat e vyera të gazetarisë shqiptare.

PJESË NGA INTERVISTA:

Zëri i Amerikës: Zoti Rama reagon ashpër sa herë që kritikohet nga media, e ka gjetur emrin që përdor shpesh “kazan” dhe së fundmi edhe Zëri i Amerikës u bë pjesë e këti lloji reagimi të Kryeministrit Rama. A mendoni se qëndrime të tilla nga kryeministri janë të arsyeshme duke patur parasysh se në të gjitha demokracitë, media është një nga shtyllat më të fuqishme.

Pandeli Majko: Edi Rama përveç se është kryeministër, për aq sa e njoh unë, ka qënë edhe një nga penat e gazetarisë shqiptare. Kështu që shpesh ai e ka pak delikate të ndajë pozicionin e tij si kryeministër dhe pozicionin e tij si një njeri që është rritur midis gazetarëve më shumë sesa midis politikanëve, dhe ky është fakt.

Zëri i Amerikës: Ai ka kritikuar shpesh shumë ashpër …

Pandeli Majko: 90 përqind e atyre që ai kritikon shumë ashpër, realisht kanë qënë shokë të tij, shokë bile shumë të afërt, një pjesë e tyre e kanë ndihmuar në shkallë të ndryshme të karrierës, siç e thonë tani së fundmi. Ne duhet ta bëjmë këtë diferencë. Për sa i përket mënyrës se si u shpreh ai për Zërin e Amerikës, unë kam rezervat e mia. Rezervat fillojnë që nga mënyra se si unë e kam marrëdhënien me Zërin e Amerikës.

Por besoj se në të tilla raste, mirëkuptimi është gjëja më e veçantë, që ky ekip i veçantë që njoh unë në Zërin e Amerikës ka dhe duhet të ketë me politikën shqiptare. Mendoj se Zëri i Amerikës e ka atë që ka në gjithë historinë e gjithë medias shqiptare dhe në marrëdhënien me të vërtetën me publikun shqiptar. Edhe kur ne ndonjëherë e tejkalojmë atë që konsiderohet si e tejkaluar, mendoj se këtu duhet të ketë mirëkuptim dypalësh. Unë e thashë, Edi Rama është një antikonformist dhe shpesh në marrëdhëniet me median ai është më shumë gazetar se sa politikan.

Comments are closed.