Lirohet baza e fundit e revoltës studentore, merr fund ngujimi te “Juridiku”

Fakulteti i Drejtësisë në Tiranë ishte baza e fundit e “revoltës” studentore, pasi ndryshe nga institucionet e tjera të arsimit të lartë u mbajt për mëse dy muaj i bllokuar nga studentët.

Por edhe bojkoti e ngujimi në këtë fakultet ka marrë fund sot, teksa të gjithë kanë vendosur të rikthehen në auditore për të frekuentuar orët mësimore, pas një letre që i drejtuan dekanit Artan Hoxha.

Mbrëmjen e sotme dhjetëra studentë janë fotografuar duke lëvizur “barrikadat” që kishin ndërtuar për të bllokuar hyrjen në fakultet dhe i kanë rikthyer bankat e karriget nëpër klasat përkatëse.

Ndërkohë në kërkesat që i kanë paraqitur së fundmi dekanit, studentët e Drejtësisë e kanë ngushtuar kauzën e tyre.

Ndryshe nga asambletë e pedagogëve, të rinjtë nuk kërkojnë rrëzimin e ligjit për arsimin e lartë, por vetëm një nen, i cili ka të bëjë me programet e studimit në fushën e drejtësisë e specifikisht futjen e provimit të shtetit për të gjithë juristët.

Kësisoj, ligji parashikon drejtësinë si profesion i rregulluar me ligj, ngjashëm me mësuesit e mjekët.

 

Comments are closed.