“Donald Trump mund të shkojë në burg para zgjedhjeve presidenciale të 2020”

Kandidatja për presidente të Shteteve të Bashkuara nga radhët e Partisë Demokratike, Elizabeth Warren, ka deklaruar sot se presidenti Donald Trump, mund të futet në burg para se të mbahen zgjedhjet e ardhshme në vitin 2020.

“Përderisa po i afrohemi vitit 2020, Donald Trump mund të mos jetë president. Në fakt, ai mund të mos jetë as njeri i lirë”, tha Warren gjatë një fjalimi të mbajtur në ndërtesën përkujtimore të veteranëve, në Iowa.

Këto komente shënojnë një ndryshim të theksuar në retorikën e Warrenit, e cila deri tani nuk e kishte sulmuar Trump në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Ndërkohë, ajo e ka lidhur pohimin e saj për një arrestim të mundshëm të kreut të Shtëpisë së Bardhë, teksa komentoi hetimet për ndërhyrjen Ruse në zgjedhjet e 2016-ës në Shtetet e Bashkuara.

“Sa hetues janë angazhuar për këtë çështje? Ata janë gjithkund dhe këto janë hetime serioze, prandaj të shohim se çfarë do të ndodhë”, theksoi Warren.

Senatorja demokrate ka thënë se në Shtëpinë e Bardhë nuk duhet të ketë vend për fanatizëm dhe se presidenti aktual është treguar racist në disa raste.

“Çdo ditë publikohet një shkrim racist, me plot urrejtje, diçka vërtet e errët dhe e neveritshme. Çfarë do të bëjmë ne për këtë? A do ta lejojmë atë që të na përçajë me këto gjëra”, deklaroi ajo.

Comments are closed.