“CEZ”, Balla-Prokurorisë: Të mos pushohet çështja. Berisha i kujton trafikantin!

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, deputeti Taulant Balla, pas përballjes me Shkëlzen Berishën në seancën e sotme gjyqësore, i ka bërë thirrje Prokurorisë së Tiranës që mos përdorë makinacione për të pushuar çështjen në ngarkim të tij, Sali Berishës dhe Ndue Kalaj për privatizimin e OSSH.

Në një prononcim për mediat, Balla ka thënë se për këtë cështje ka tashmë një kallëzim penal.

“I bëj thirrje prokurorisë së Tiranës dhe gjykatës që mos përdorë makinacione për ta pushuar çështjen në ngarkim të Sali Berishës, Nuel Kalajt, Shkëlzen Berishës etj., për të cilët ne kemi bërë një kallëzim penal, – tha Balla. – Unë i qëndroj akuzës së bërë, se qytetarët shqiptarë kanë humbur 419 mln euro nga privatizimi i OSSHE te CEZ. Dua ta përdor këtë moment për ti bërë një thirrje prokurorisë që të vijojë hetimet dhe me shpresën e gjithë shqiptarëve që SPAK ngrihet së shpejti le të jetë kjo një prej dosjeve që ti vihet në dispozicion SPAK”.

Balla tha se Kalaj është personi kyç i çështjes dhe se Prokuroria s’mund të thotë se nuk e gjen dot ku është. “Ata që i kanë frikën reformës në drejtësi, e për shkak të ditës së gjykimit thërrasin protesta, e kanë shumë gabim. Rruga drejt drejtësisë së re s’mund të ndalohet as me protesta e as me të qara e të bërtitura”.

Nga ana e tij, Shkëlzen Berisha u shpreh i bindur në dënimin e Ballës, ndërsa konsideroi ironike faktin që në kohën kur e akuzonte ai udhëtonte me një trafikant droge.

“Taulanti doli me tezën që ishte urdhri i partisë për të gënjyer përgjatë komisionit hetimor parlamentar. Nuk dha asnjë provë për të vërtetuar shpifjen për evazionin fiskal që pretendon. U përpoq të rikthente vëmendjen te komisioni i dështuar hetimor parlamentar që ai e udhëhiqte, – u shpreh djali i ish-kryeministrit. – Ironia është që në atë periudhë i pandehuri më akuzonte mua për udhëtime ose për lidhje me persona që unë nuk kisha asnjë kontakti. Kanë kaluar 2 vjet dhe nuk kanë provuar asnjë lidhje të vetme.  Është ironike sepse në atë periudhë, kryetari parlamentar i PS, sekretari i përgjithshëm i PS, udhëtonte me një trafikant droge nëpër rezorte, nëpër destinacione turistike të Evropës. Ky trafikant droge, Edmond Bego ka fituar 6 mln euro nga entet shtetërore. Jo vetëm i ka fituar, por i ka fituar duke mos pasur të drejtë të marrë pjesë në garë sepse ka qenë i dënuar për trafik droge”.

Gazeta Shqip

Comments are closed.