Përdhunimi/ ERTV zbuloi prindërit e 14-vjeçares, Balla mbron Spiropalin: Bëri punë të mirë!

Përdhunimi i një 14-vjeçare në Kavajë ka ndarë opinioin publik dhe klasën politike shqiptare në dy grupe. Debati më i ashpër ka qenë te këta të fundit, duke qenë se ishte ish-kryeministri Sali Berishqa që denoncoi për herë të parë skandalin dhe më pas u përfshi ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali nga PS.

Teksa të gjitha mediat nuk e zbuluan identitetin e të miturës apo familjarët e saj duke ruajtur etikën, dje ERTV doli përtej parashikimeve duke transmetuar live në Facebook-un e kryeministrit Rama një takim të Elisa Spiropalit me prindërit e vajzës, me zë dhe figurë.

Në media dhe politikë “shpërthyen” kundër linçimit që qeveria i bëri prindërve të së miturës së abuzuar seksualisht pasi në këtë mënyrë zbuloi edhe identitetin e vajzës, por kryeministri dhe vetë Spiropali u mbrojtën, duke thënë se “kazani po leh”.

Sipas tyre ishte e nevojshme që ajo intervistë të publikohej, për t’i treguar PD-së se ka hedhur baltë të kotë ndaj institucioneve shtetërore për fshehjen e përdhunimit, por edhe për t’i treguar medias se duhet të mos cenojë privatësinë e familjes.

I pyetur në emisionin “Kjo Javë” për çështjen në fjalë, edhe kreu i Grupit të PS, Taulant Balla i qëndroi stoik reagimeve të mëparshme nga PS, duke mbrojtur Elisa Spiropalin.

“Pse shkuat me kamera”, pyeti gazetarja dhe Balla u përgjigj duke thënë: “Familja kishte nevojë për solidaritet dhe Elisa e shprehu në mënyrë të qartë solidaritetin”.

“Duhet të jetë e qartë se pavarësisht prirjes për të sulmuar kolegen time Spiropali në mënyrë të padrejtë, ajo ka bërë një punë të mirë që ka shkuar atje”, shtoi Balla.

Më tej ai tha se ishte “e rëndësishme që ata që u përpoqën të flisnin në emër të familjes të enjten në Kuvend, morën një përgjigje nga vetë familja dhe mbyllet këtu diskutimi, për një fushatë groteske të Sali Berishës për të gënjyer për këtë rast”.

“Le ta lëmë atë familje të rekuperojë presionin psikologjik”, deklaroi kreu i Grupit të PS, në një kohë kur gazetarja i kujtoi Nisida Tufa i kujtoi se ishte pikërisht ERTV që i cenoi privatësinë familjes së të miturës së abuzuar seksualisht.

“Atakuat mediat por ERTV zbuloi fytyrat e prindërve dhe identitetin e tyre”, konstatoi gazetarja, ndërsa Balla reagoi duke thënë se ajo ishte “një mundësi për t’i dhënë zë një problemi, shqetësimi që ajo familje ka pasur”.

“Sali Berisha po na hedh topa blate dhe ne kemi detyrë të sqarojmë çdo çështje. Ju thashë gjithçka u bë për të sqaruar baltën që u hodh ndaj institucioneve të shtetit, shkollës dhe policisë. Tani t’i lëmë të rikuperohen ata”, u justifikua Balla.

Comments are closed.