Lokalet 2019/ Cili është fati i “Lalës” dhe i PS-së së Elbasanit?

Forcat politike në Shqipëri kanë ndezur “motorët” për t’u përgatitur më së miri për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen më 30 qershor dhe në pah kanë dalë emrat e kandidatëve të mundshëm në disa bashki kryesore të vendit.

PD-ja ka mbajtur një qëndrim më diskret, por në PS janë përfolur çdo ditë dhjetëra emra. Dy bashkitë kryesore që fshehin dilema të mëdha për të majtën janë Elbasani dhe Durrësi, ku Qazim Sejdini dhe Vangjush Dako ndalohen nga ligji për të kandiduar për një mandat të 4-të.

Teksa për “Gjushin”, Edi Rama me të vetët kanë ende dyshime për ta “eliminuar” ose jo, në Elbasan pejsazhi duket më i qartë, pasi “Lala” duket se ka hequr dorë nga bashkia pas 12 vitesh në krye të saj.

I pyetur se kush do të jetë kandidati i PS në Elbasan, kreu i Grupit Taulant Balla ka thurur lavde për prefektin e ri të qarkut, Gledian Llatja dhe me shumë gjasë ka lënë të kuptohet se ai do të garojë më 30 qershor.

“Gledian Llatja është një djalë i shkëlqyer me të cilin kam punuar për vite me radhë. Qoftë me eksperiencën e tij shumë të mirë në administratë, po ashtu edhe në PS si ekspert i çështjes zgjedhore ndër vite. I kemi dhënë besimin të drejtojë prefekturën e Elbasanit me 502 njësi administrative. Në momentin e duhur pas konsultimeve publike, sigurisht pse jo Llatja do të jetë një nga kandidatët brenda nesh, për të qeverisur Elbasanin. E sigurt është që PS do vazhdojë të qeverisë Elbasanin”, tha Balla në emisionin “Kjo Javë”.

Comments are closed.