Zbuloni historinë se si i shpëtoi vdekjes në 2010 ish-polici

Arben Bilali, ish-oficer i Forcave të Rendit, u qëllua me pistoletë në ditët e para të muajit maj të 2010, kur ndodhej në një bar tek ish-stadiumi “Dinamo”. Ai i shpëtoi atentatit pasi mori mjekim në spital pas dy plagëve të marra në lokal nga të shtënat me pistoletë. Ish-polici, në shënjestër të këtij atentati ishte përfolur për një vrasje të ndodhur vite më parë edhe pse zyrtarisht nuk ishte pandehur asnjëherë për këtë krim. Policia ka dyshime se pas dështimit të atentatit ndaj tij, në lidhje me këtë ngjarje të vjetër mund të jetë ekzekutuar vëllai i ish-oficerit.  Uniformat blu, edhe pse fillimisht folën për një ngjarje me motive banale, nuk lanë pas dore dhe pistën e hakmarrjes.

Atë kohë, policia shoqëroi në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës mikun e Arbenit, me të cilin po pinte kafe në momentin e atentatit, si edhe disa dëshmitarë të tjerë, të cilët mendohet se kanë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së shtunës në rrugën “Emin Duraku”.

Ekspertët shqyrtuan provat e mbledhura nga këqyrja e vendit të ngjarjes, gjurmët, si edhe dy gëzhojat e pistoletës “Zastava”, pasi plumbat kishin mbetur në trupin e të plagosurit, mbi të cilin mjekët kanë kryer një ndërhyrje kirurgjikale për ta mbajtur në jetë.
Arben Bilali, atë kohë 41 vjeç, banues në Selitë, mbeti i plagosur rëndë, në rrugën “Emin Duraku” në krah të stadiumit “Selman Stërmasi”, nga persona të panjohur. Ai u qëllua nga afër, me pistoletë. Ish-polici u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në kryeqytet për t’i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore. Nga deklaratat e policisë mësohet se 41-vjeçari, kishte marrë dy plagë, një në bark dhe tjetrën në gjoks, nga të shtënat e personit të panjohur, që ishte larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes pas realizimit të atentatit të paramenduar.

Comments are closed.