Helidon Gjergji dhe Fatos Qerimaj, një performancë mbi heshtjen

Artistët Helidon Gjergji dhe Fatos Qerimaj bëhen bashkë në një performancë artistike, që do të vijë sot në orën 20.00 në Tulla Center.

“Info Jazz” quhet instalacioni që do ta kthejë Tullën në një rezidencë, ku tingujt e klarinetës dhe të celularëve, thyejnë heshtjen e mbuluar nga një mjegull surreale. Ky projekt konsiston në një performance akustiko-vizive që ka si pikënisje tingujt digjitale të celularëve që na rrethojnë në mënyrë obsessive nga të gjitha anët e në mënyrë konstante.

Është një lloj kolone sonore e ekzistencës sonë bashkëkohore e përdorur si material bazik për të krijuar një hapësirë urbane akustike. Për më tepër, për të krijuar një dimension surreal, hapësira mbushet me avull skenik që krijon një atmosferë të varur në mes të një realiteti fizik e digjital.

Vetëm pak ditë më parë Gjergji e prezantoi këtë projekt në Museo Civico di Castelbuono. Drejtoresha e këtij muzeu Laura Barreca, u shpreh se, vepra e Gjergjit, tregon se sa shumë teknologjia dhe tingujt e celularëve, na kanë larguar e shpesh izoluar nga njëri tjetri.

Duke e quajtur një performancë të bukur, ajo tregoi se, vizitorët e Palermos u përfshinë në një ndjesi të humbjes së konceptit të hapësirës dhe kohës, duke lëvizur në një dimension joreal, ku kufiri ndërmjet ndriçimit dhe dritës, ishte pothuajse i padukshëm.

17 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)

Comments are closed.