Gjykata Speciale, sot udhëtojnë drejtë Hagës dy ish-komandantë të UÇK-së

Dy ish- komandantët e UÇK-së, Sami Lushtaku e Rrustem Mustafa do të udhëtojnë sot për në Gjykatën Speciale, pasi janë janë thirrur për t’u intervistuar nga kjo e fundit.

Bashkë me ta do të udhëtoj për në Hagë edhe avokati i tyre, Arianit Koci, i cili ka konfirmuar lajmin për thirrjen e dy ish-komandantëve.

“Po nisemi unë, si avokat i Sami Lushtakut dhe Rrustem Mustafës. Do të udhëtojmë me linjë të rregullt. Nuk ka ndonjë aeroplan special për të ftuarit, këtë e kam demantuar që nga fillimi. Ne do të udhëtojmë me linjë të rregullt”, tha Koci për mediat kosovare.

Lushtaku dhe Mustafa pritet që të merren në pyetje nga Prokuroria e Specializuar, por nuk është e qartë nëse janë thirrur si të dyshuar, si të akuzuar apo si dëshmitarë për luftën me Serbinë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvendin e Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto institucione u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që u paraqit para Këshillit të Evropës në janar të 2011. Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i kenë kryer ushtarë e komandantë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

13 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)

Comments are closed.