Sesioni i ri parlamentar nis me bojkot? Opozita më larg sesa afër Kuvendit

Rinisja e sesionit parlamentar pritet të mos ketë surpriza, sa i takon marrëdhënies mes shumicës dhe pakicës parlamentare. Pas rrëzimit të nismës për vettingun e politikanëve, në dhjetor, opozita pritet t’i rikthehet bojkotit.

Megjithatë, vendimi zyrtar do të merret bashkë me aleatët.

“Nuk mund të kthehemi në një Parlament që mban brenda hajdutë dhe kriminelë, duke filluar nga kryeministri”, tha Edi Paloka.

Mungesa e një gjuhe të përbashkët dështoi që palët të miratonin me konsensus Reformën Zgjedhore vitin që lamë pas. Nënkryetari demokrat, Edi Paloka bën përgjegjës kryeministrin, duke shtuar se zgjidhja është largimi i tij.

“Derisa të jetë Rama në krye të qeverisë nuk janë kushtet anësore që zgjidhin problemin e zgjedhjeve, pra Kodi apo pjesëmarrja në KQZ e të gjitha këto të tjerat. Problem i parë që ne duhet të zgjidhim është largimi i Edi Ramës, si personi që nuk lejon sot zgjedhje të lira në Shqipëri”, tha më tej Paloka.

Opozita përjashton skenarin e bojkotit të zgjedhjeve, ndërsa lë të hapur opsionin që ato të mbahen në një ditë nëse Rama nuk largohet vet.

“Ne po përgatitemi për zgjedhje, sepse në demokraci janë qytetarët që vendosin nëpërmjet zgjedhjeve. Se kur do të bëhen zgjedhjet, kjo është çështje tjetër”, deklaroi Paloka.

Jashtë Parlamentit, numri dy i Partisë Demokratike paralajmëron se beteja do të vijojë në mbështetje të protestave qytetare.

10 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)

Comments are closed.