Vrasja e 17-vjeçares në Laprakë, lihet në burg ndihmësi i ekzekutorit (EMRI)

Roland Muzhaqi, i riu i arrestuar si bashkëpunëtor në krimin e rëndë që ndodhi në Laprakë, ku mbeti e vdekur 17-vjeçarja Griselda Gjikola, është lënë në burg nga Gjykata Penale e Tiranës.

Gjykata ka caktuar “arrest me burg” për 25-vjeçarin Muzhaqi dhe të njëjtën masë kishte kërkuar edhe prokuroria e Tiranës, e cila tha se identifikimi i të dyshuarit është bërë bazuar në këqyrjen e kamerave të sigurisë në zonën ku u ekzekutua 17-veçarja dhe u plagos 23-vjeçari Erjon Benga.

Sipas pamjeve të fiksuara në skenën e krimit, dyshohet se objektiv i ngjarjes ka qenë 23-vjeçari ndërsa gjatë të shtënave, plumbat kanë goditur në kokë edhe adoleshenten e cila gjeti vdekjen në spital si pasojë e plagëve të rënda.

Ndërkohë, në kërkim për akuzën e vrasjes është shpallur 19-vjeçari nga Puka, Robert Përpepaj, që dyshohet se ideoi dhe kreu atentatin.

Sipas dëshmive të mbledhura nga grupi i hetimit, dyshohet se motiv i ngjarjes kanë qenë ngacmimet e autorit të shpallur tashmë në kërkim ndaj 17-vjeçares Griselda Gjikola.

30 dhjetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Comments are closed.