Loja që ndryshoi Shqipërinë…

Libri i ri i Sokol Ballës, një udhëtim në ngjarjet që bën historinë e sportit shqiptar

Loja“Loja që ndryshoi Shqipërinë”, quhet libri më i ri i gazetarit Sokol Balla. I njohur për analizat e tij politike, këtë herë Balla vjen në një hulumtim interesant i cili sjell një histori të futbollit shqiptar në vite, duke u ndalur në momente historike të këtij sporti. I shkruar me një stil, që ta bën leximin e lehtë, libri është një udhëtim në kohë të ndryshme, ku takon protagonistë dhe sheh tablo të ngjarjeve që kanë ndryshuar historinë e futbollit shqiptar. Libri është një ndihmesë në fushën e kujtesës sonë përsa i përket kulturës sportive, shkruar me nervin e një gazetari që e ka një pasion të hershëm futbollin. Libri është botuar nga UETPRESS dhe është pjesë e kolanës “Scripta manet”.

Kopertina e librit shoqërohet me një foto nga çastet kryesore të ndeshjes Holandë-Shqipëri me rezultatin 2.0, më 24 maj 1964, e në foto shfaqen, nga e majta në të djathtë, në këmbë: Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Lin Shllaku dhe portieri Mikel Janku, i shtrirë. Numri 7 është lojtar holandez. Foto është realizuar nga Fadil Berisha. Për të gjithë sportdashësit libri është një rrëfim plot të papritura dhe të kuriozitete mbi momente të rëndësishme të futbollit shqiptar, të shoqëruara jo vetëm me rrëfime por edhe mbi qëndrime mbi ngjarjet. Ja një pasazh nga libri: “Kisha qenë në ndeshjet e Kombëtares dhe të “17 Nëntorit” për vite të tëra rresht. Shtëpia ime e dytë ishte stadiumi “Qemal Stafa”. Por për herë të fundit kisha qenë aty më shtator 1990.

Dy herë. “Dinamo” kampione ndeshej me kampionët e “Olympic Marseilles”. Nuk di se si gjeta mënyrën të çaja kordonin policor për të hyrë në fushë. Deri aty ku trajneri i francezëve po testonte fushën, i shoqëruar nga një gazetar i “Sporti Popullor”. Idhulli im dhe i miliona tifozëve, Franz Beckenbauer, si dhe Robert Papa, pranë tij, ngelën të habitur. Një djalë i ri, me syze, bëri aktin e paprecedent: po i kërkonte Kaiserit një autograf, mbi një foto të tijën, me ngjyra, me Kupën e Botës që kishte ngritur dy muaj më parë, në Romë. Kaiseri firmosi foton dhe më pas fshiu dorën nga djersa e dorës sime të sikletosur që iu drejtua për ta shtrënguar. Gazetari i “Sportit Popullor” lajmëroi policët, të cilët më intervistuan me hollësi, por qëllimi ishte tjetër. Ata kërkonin të shihnin se çfarë letre kishte firmosur gjermani i famshëm. Për më tepër, njëri prej tyre tentoi ta griste, por duhet të ketë ndeshur në sy njerëzish të inatosur. Ishin kohë të vështira për regjimin. Njerëzit braktisën shkallët e stadiumeve dhe iu drejtuan ambasadave dhe shesheve e, më pas, edhe porteve dhe kufijve. Në stadium nuk do ktheheshin për shumë vite me radhë. Bashkë me ta, as unë….”.

Sokol Balla Është diplomuar në brezin e parë të Gazetarisë, fakultet i rihapur në vitin 1992 pranë Universitetit të Tiranës, 20 vjet pas rimbylljes së tij nga regjimi komunist.

Balla u lind në Tiranë, më 7 maj 1973, në një familje tradicionale tiranse. Mbaroi shkollën e mesme “Qemal Stafa”, e më pas, për 5 vjet, studioi fillimisht Filozofi e më pas Gazetari me rezultate të shkëlqyera.

Në vitin 2010, përfundoi me rezultate maksimale studimet për master dhe, me 72 për qind, iu dha grada Master of Arts, në Gazetarinë Ndërkombëtare, me një studim skrupuloz, kritik, mbi lirinë e shprehjes në Shqipëri, pranë Universitetit të Cardiff-it, në Britaninë e Madhe.

Në karrierën e tij regjistrohet një periudhë e shkurtër e angazhimit në politikë si Drejtor i Komunikimeve dhe Zëdhënës i Partisë Demokratike, në vitet 1994-1995. Profesioni i gazetarit, prej vitit 1992, kur nisi karrierën në TVSH, e ka çuar në poste drejtuese në “Gazeta Shqiptare”, “Koha Jonë” dhe “Klan”. Ka punuar për AP dhe CNN, si dhe disa projekte me “Neës 24” dhe “Vizion Plus”. Karriera e tij kulmoi me 4 vite punë në Londër, në BBC, si dhe Drejtor i Informacionit në Top Channel. Sot, emisioni i tij politik “Top Story” është më i ndjekuri në ekranet shqiptare, dhe, njëherësh, arenë protagonistësh sa i takon përfshirjes së njerëzve që ndikojnë zhvillimet politike në vend.

Sokol Balla ka krijuar profilin modern të gazetarit kritik e të pavarur. Balla njihet për angazhimin e tij në mbrojtje të interesave të publikut të gjerë.

Botime të autorit:

Loja 12013 “Viti i mbarë”, UET Press.

2011 “Liria e Shprehjes, bileta për Europë”, UET Press

2010 “33”, Përmbledhje dhe intervista, UET Press

2005 “ANTISHQIPTARI”, Ditar i çrregullt

politik 2003 – 2005, Tiranë: Shtëpia Botuese “55”

________________________________________________________________________________

Çmime & vlerësime për autorin

2012 Tirana International Film Festival,

Fitues i çmimit “100 Vjetori i Pavarësisë”,

për dokumentarët historikë, me titull

“Djemtë e përçarë të Amerikës”.

2010 – 2011 Akademia e Pavarur Televizive, Moderator

i sezonit për debatet televizive

2011 “Njeriu i vitit”, Gazeta “Tirana Observer”

2008 – 2010 “Personaliteti i vitit” për kryeqytetin,

Bashkia Tiranë

2007 Lidershipi i vitit në media

2003 Medalja e Mirënjohjes,

Ministria e Mbrojtjes

1998 Çmimi “Soros”, Reportazhi më i mirë i vitit

1997 Çmimi i Tretë, Konkursi i gazetarisë,

Fondacioni Velija

1996 Çmimi i Dytë, Konkursi i gazetarisë,

Fondacioni Velija

1995 Çmimi “Soros”, Skupi i vitit

20 dhjetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Comments are closed.