REFORMA KA NGECUR TE PARKU

MONIKA SHOSHORI STAFA

Monika Shoshori StafaSot bota po jeton një tjetër epokë, atë të një qeverisje të mirë demokratike. Nëse do na duhet t’i shpjegojmë fjalë për fjalë termat, do të kuptonim se vërtet bota si e tërë, sot është më e lirë. Kufijtë një pas një mes shteteve po bien, muret që ndanin dy botë nuk janë më; sot Vatikani, tej kodeve të mistershme për të mbajtur lidhur pushtetet, mund të vizitohet lehtësisht dhe pikturat e afreskeve në sallonet e tij mund edhe të flasin për një sy të thjeshtë. Perëndimi e fitoi betejën me Lindjen, por konfliktet në rajonet e kthinjta të botës ku jetojmë, nuk kanë mbaruar ende. Studiuesit thonë se, sot bota vërtet nuk qeveriset nga diktatorë si Hitleri apo Stalini, Çaushesku apo Hoxha, Cu En Lai etj., por sistemet e reja të qeverisjes që u ngritën pas tyre u karakterizuan nga disa neodiktatura të tjera që në konceptin e ri të qeverisjes globale quhen regjime qeverisëse të një burokracie politike mbi një shoqëri të sheshuar qoftë ato edhe demokratike. Kryesisht në rajonin e Ballkanit, kjo tezë mund të hulumtohet në veçanti.

Po çfarë është pushteti në këtë sistem të ri? Në sytë tanë, në këta 25 vjet ky koncept është i lidhur me imazhin e një grupi të përcaktuar njerëzish, relativisht të ngushtë që bëhen zot me forcën e pushtetit mbi shumicën e shoqërisë. Zakonisht kjo lloj neo-diktature legjitimohet me anë të një ideologjie, pushteti i së cilës rrjedh sidomos nga numri dhe nga pajisja e ushtarëve dhe policëve të tij, në këtë rast punën më të mirë do ta bënin gjykatësit dhe prokurorët. Kanë qenë këto pika nevralgjike për ta mbajtur këtë sistem pazgjidhshmërisht të lidhur me atë që ne dikur e kemi quajtur “diktaturë klasike”. Sistemi i drejtësisë është thembra e Akilit të kësaj neo-diktature; një sistem i cili jo vetëm është i mbështetur kudo mbi të njëjtat parime si sistemet e vjetra diktatoriale dhe i strukturuar në të njëjtën mënyrë si atëkohë, por përshkohet gjithashtu nga rrjeti i instrumenteve të manipulimit të një qendre të fuqisë së madhe ndaj interesave të të cilave është krejtësisht e varur. Nisur nga kjo rrethanë në një botë të brendshme politike si rotacionet mes kaheve politike në Shqipëri, le të themi, por dhe në vende si Maqedonia, që nuk kanë mundur të lëvizin dot për shkak të ekuilibrit të këtyre super-pushteteve është arritur të sigurohet një qëndrueshmëri dominuese pikërisht e këtyre pushteteve, të cilat me kohë kanë pjellë kriza lokale si bunkeri i dhjetorit të fundit, këndi i parkut tek liqeni apo kinse kongreset, referendumet apo dhe krisjet vëllazërore brenda këtyre forcave politike.

Dekriminalizimi nuk ra nga qielli. Ai është një dukuri natyrore dhe pasojë e pashmangshme e kësaj faze të vonuar historike përshkuar nga sistemi në të cilin rrotullohet e të cilin do të duhet ta kishim kaluar këtu e dy dekada më parë nëse neo-diktaturat këto kahe politike do t’i kishin në mos zbythur, të paktën t’i kishin lehtësuar nga gjaku i së shkuarës komuniste. Ky sistem i kapur tashmë me rrënjë nga e shkuara prej kohësh nuk mund t’ia dalë më për një mijë motive që të ngrihet në nivelin e një arbitri të mirëfilltë dhe brutal ndaj këtij pushteti që përjashton çdo lloj manifestimi jo-konformist, kur nga ana tjetër ka arritur në një pikë të palëvizshme të tillë politike sa bën çmos që kjo dukuri (dekriminalizimi) të afirmohet në mënyrë të qëndrueshme edhe në kuadrin e strukturave të saj zyrtare.

Por cilët janë në të vërtetë këta të ashtuquajturit “të inkriminuar”? Nga lind pozicioni i tyre dhe çfarë kuptimi ka? Ku qëndron kuptimi i atyre iniciativave të pavarura, e të pazëshme rreth të cilave kjo politikë duhet të pastrohet nga këta të “inkriminuar”? Cili është ai grup të rinjsh që sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i takoi në një ambient krejtësisht të jashtëm nga ndikimi politik dhe përse nuk ua njohëm fytyrat ende në media? Përse rrinë kaq të heshtur ndaj këtij procesi që ka nisur që vjeshtën e shkuar? Çfarë shansesh reale veç atyre të ligjit për reformën do të sjellin këto lloj iniciativash me këta njerëz të rinj? Duke iu referuar veprimit të tyre është e përshtatshme të mendojmë se Byroja e Hetimit dhe Drejtësia pas miratimit të reformës janë pjesë tanimë e konceptit të mirëqeverisjes demokratike edhe për Shqipërinë? Pse nuk bën ta përmendim tani? A është e drejtë që lind nevoja tani e kësaj reforme për një qeverisje më të mirë demokratike? Çfarë bënë deri tani ata që na qeverisnin? Qeverisën keq dhe nëse po, çfarë është në realitet në rrethin e këtij sistemi kjo reformë kaq shumë e përfolur? Një “opozitë” e re kundër një sistemi të kalbur qeverisësish dhe nëse po, cili është roli i saj në shoqëri? Në çfarë shpreson dhe mund të shpresojmë? A kanë njerëzit e rinj që do kryejnë këtë reformë integritetin e duhur për të qenë jashtë strukturave të pushtetit?

Një reflektim për këto pyetje, pra një reflektim për mundësitë e atyre që mund të quhen “të papushtetshmëve”, nuk mund të fillojë mirë përveçse përmes një reflektimi për karakterin e pushtetit, në situatën do të thoshte Vaslav Havel, ku veprojnë këta “të papushtetshëm”. Reforma – tha Kryeministri disa net më parë në një studio televizive – ka mbetur te parku. Te parku i këndit të lojërave dhe pistoleta e Strazimirit, te mandati i deputetes Leskaj dhe Sulit. Por a qëndrojnë realisht këto kriza lokale për të zmbrapsur hapat e ardhmërisë së Shqipërisë drejt stabilizimit të saj në tryezat europiane? Sot është reforma në drejtësi, nesër do të shpiket diçka tjetër, por thelbi që më bën të mendoj se ne jetojmë në neo-diktatura është ky; zhvillimi 25-vjeçar i një klase politike postkomuniste duket se ka krijuar prej kohësh sa i përket aspektit ‘fizik’ të pushtetit, mekanizma aq të përsosur dhe të përpunuar të manipulimit të drejtpërdrejtë apo tërthorazi të së gjithë shoqërisë, duke përfaqësuar sot një cilësi radikalisht të re të bazës ‘fizike’ të pushtetit. Pyetjet e mësipërme askush nuk i ka ngritur, qoftë në mediume vizive, qoftë në dëgjesa publike, çfarë do të thotë se kapja e zërit të publikut është një tjetër goditje manipulative që i bëhet sistemit të ri që do të duhet të ngremë pa këta gjyqtarë e pa këta prokurorë me lejekalime të anuluara.

Comments are closed.