Dy rreshta për Bujarin

Bujar Zela piktura (6)Monika Stafa

Do të shkruaj disa rreshta për Bujarin, unë kështu dua ta quaj, sepse është kushëriri im dhe e kam shumë e më shumë të afërt. Më shumë se çdo gjë, me sa duket na lidh, ai “gjen” i vullnetit dhe këmbënguljes për t’ia dalë me sukses sfidave pavarësisht se ato, na vijnë e na kthehen, e me sa duket Bujar nuk mbaruakan kurrë. Por kjo ne, na bën më të bukur e më të fortë. Bujari ka kohë që përgatitet për këtë ekspozitë. Së bashku e kemi diskutuar rreth tre vjet më parë. Natyrisht, kristalizimi i mendimit nuk ka qenë i lehtë. Ai duhet të bindej se e meritonte këtë ekspozitë të ëndërruar prej kohësh, kjo jo për faktin se punët e tij nuk ishin të duhurat, por sepse ai kërkonte përsosmërinë, kthjelltësinë, kritikën dhe perfeksionin deri në detaj, aq sa shumë shpesh më thoshte se është më e lehtë të bësh fëmijë, Monika sesa të realizosh një pikturë çfarëdo qoftë ajo. Këtu kuptoja se çfarë Bujari kërkonte të sillte në veprat e tij, dashurinë për jetën, përsosmërinë e qenies njerëzore? Rininë e përjetshme të fshehur në kode? Apo vegimin drejt një bote që nuk ekziston? Dhe e kuptova më në fund pasi i vërejta mirë pikturat e tij. Bujari kërkonte Lirinë, lirinë dhe thellësinë e mendimit në pikturë, në ngjyra dhe portrete, fluturimin në amshimin e një pune që do të duhet të linte gjurmë në breza. Ndaj dhe jam e bindur se Bujari me veprat e tij të vendosura me aq kujdes (se ia di dhe përkushtimin) në këtë holl, ia ka dalë. Ia ka dalë të lërë gjurmë pas në artin shqiptar, të jetë frymëzim për brezin e ri të artistëve që më së shumti priren drejt imazheve të gatshme sesa drejt jetës dhe spërdredhjes së bukur që vjen nga peneli i ngjyer me bojë. Telajo të rrëmujshme gjen në shtëpinë e tij, bojëra të hedhura në dysheme, shkarravina nervoze në letrat e zhubravitura që sado të nervozojnë kur i sheh ashtu të çorganizuara dhe drejt kaosit të plotë nuk gjen shpjegim tjetër t’i justifikosh, veç dashurisë dhe pasionit që ai ka për pikturën dhe artin e brishtë në përgjithësi.

Comments are closed.