Polakët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore 1939 – 1945

hebrenj “…Ne nuk dimë asgjë edhe për shumë njerëz të tjerë: ata që u ofruan familjeve hebreje strehë dhe ushqim të ngrohtë në ato kohë terrori. Ishin dy apo tri ditë kjo ka pak rëndësi; nuk dimë asgjë për ata, që nazistët i vranë së bashku me miqtë e tyre hebrenj duke i shkatërruar kështu përgjithmonë të gjitha provat e heroizmit të tyre human; ata, të cilët bënë detyrën e tyre ndaj njerëzimit teksa shpëtonin jetë, por që më pas e ruajtën këtë të mirë të tyre, heshturazi, në modesti të plotë…”.                                                      

Norman Davis (2013)

Historia e shekullit të 20 e trajtoi Poloninë dhe polakët në një mënyrë të veçantë dhe i vuri ata para një prove të jashtëzakonshme, veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1945). Polakët u bënë viktima të politikës së gjenocidit të Gjermanisë naziste dhe Rusisë sovjetike e në të njëjtën kohë ata u detyruan të ishin dëshmitarë të shfarosjes së madhe të qytetarëve polakë me origjinë hebre. Qeveria polake në ekzil në Londër dhe autoritetet e tjera të shtetit polak i kundërshtuan me forcë këto krime. Ata menjëherë shpallën dënime të ashpra për pushtuesit gjermanë ndërsa morën masa të rrepta për të ndëshkuar tradhtarët dhe informatorët polakë që ishin vënë në shërbim të Rajhut nazist. Gjenocidi i parë në Aushvic u përgatit ndaj rezistencës polake aty nga viti 1942, e që u kryesua nga Witold Pilecki, i cili doli vullnetar nga vetë qeveria për të hyrë në kamp, si një i burgosur i zakonshëm. Qëllimi i vetëm ishte të mblidhte inteligjencën dhe të organizonte rezistencën brenda gardheve të elektrikut në Aushvic. Nga ana tjetër, qeveria polake, ndërmori aktivitete informuese dhe organizoi protesta drejtuar qeverive dhe shoqërive perëndimore duke u bërë thirrje për të ndaluar holokaustin ndaj popullsisë hebre. Thirrjet nënshkruheshin nga ministri i Jashtëm në ekzil, Edward Raczynski, dhe i dërgoheshin më pas gjithë qeverive, nënshkruese të Deklaratës së Kombeve të Bashkuara.

Në territoret e pushtuara polake gjatë Luftës së Dytë Botërore, polakët dhe hebrenjtë ishin të ndarë në mënyrë rigoroze, çfarëdo kontakti mes tyre dënohej me vdekje nga gjermanët. Edhe nën kulmin e terrorit më të egër dhe varfërisë së skajshme, shumë polakë nuk i ndërprenë marrëdhëniet me hebrenjtë. Ata u treguan të gatshëm të rrezikonin jetën e tyre dhe të familjeve për të shpëtuar fqinjët. Në shtator të 1942 një aksion i paprecedentë u ndërmor mbi transportimin e gati një çerek milioni të burgosurish nga geto e Varshavës në kampin e shfarosjes në Treblinkë. Menjëherë pas kësaj u krijua Këshilli Żegota i cili do t’u vinte në ndihmë hebrenjve. Një personalitet i njohur letrash u bë pjesë e këtij këshilli. Ai ishte shkrimtari i njohur, Zofia Kossak. Por kjo nuk ishte e vetmja formë e ndihmës institucionale për hebrenjtë. Këshilli Qendror Mirëqenies ishte aktiv në territoret e pushtuara që nga viti 1940. Ai bashkëpunoi për organizimin e ndihmës për hebrenjtë në mënyrë efektive edhe nën rrezikun e rregulloreve gjermane. Ka raste të njohura kur edhe qarqe të klerit katolik në Poloni, dhanë mbështetjen e tyre të gjerë në mbrojtje të këtij populli në rrezik. Veçanërisht murgeshat i fshehën fëmijët hebrenj nëpër jetimoret, shkollat apo dhe spitalet, që ishin nën mbikëqyrjen e tyre. Kishat dhe manastiret u kthyen në vende strehimi për shumë hebrenj gjatë pushtimit të Polonisë.

Në shumicën e rasteve, duket qartë se ndihma është dhënë bazuar mbi integritetin dhe dinjitetin e çdo individi apo familjeje. Çdo gjë është realizuar pa një ndihmë të organizuar, përkundrazi nën terrorin e rrezikut të dënimit me vdekje (ka shumë prova ku gjermanët vranë më shumë se njëmijë polakë teksa kishin ndihmuar hebrenjtë). Përveç emrave si Irena Sendler apo Jan Karski në Poloni, të njohur në mbarë botën, ka me mijëra heronj anonimë që i shpëtuan hebrenjtë polakë dhe më pas u harruan. Numri i tyre si kudo ndër ato vende që i shpëtuan këta njerëz në kohë terrori nuk do dihet kurrë saktësisht, por sigurisht një gjë është e qartë se Polonia pati numrin më të madh, në raport me hapësirën e saj gjeografike, të atyre familjeve që u ekzekutuan me vdekje nga gjermanët, për arsyen e vetme se ishin të gatshëm të shpëtonin jetën e bashkëqytetarëve të tyre pa asnjë kusht.

Në vitin 1963, një titull nderimi “Fisnikë mes Kombesh”, u themelua në Yad Vashem. Në mesin e 22 mijë njerëzve nga 44 vende të botës, të cilët u nderuan me këtë titull deri në fund të vitit 2014, grupi më i madh përbëhej nga polakë, me plot 6,000 të tillë. Nuk duhet harruar, si dhe ka vënë në dukje Norman Davis, historiani britanik, se qeveria e Izraelit mund të nderojë vetëm ata emra, të cilët mund janë mundur të shkëputen nga memoria e viktimave të terrorit nazist, historitë e të cilëve kanë kaluar nëpërmjet verifikimeve rigoroze por ka ende shumë punë përpara për t’u bërë. Të tjera histori të harruara apo të marra me vete nga heronjtë kur u ekzekutuan, nuk dihen ende.
Hapja e Muzeut të Familjes Ulma mbi polakët që shpëtuan hebrenjtë në Markova pritet të nxisë kujtesën për ata heronj që shpëtuan bashkëkombësit e tyre hebrenj dhe që më së shumti janë harruar. Interesi pikërisht në këtë çështje po duket vonë në kohë, tani pas 75 vjetësh, ndërsa ata që ndihmuan dhe rrojtën me rrezikun, jetuan dhe vdiqën modestisht pa treguar asgjë nga historia e tyre.

Comments are closed.