Familja Ulma: Dëshmia e dashurisë ndaj njerëzimit deri në vetëflijim

hebrenj2Polonia hap të parin muze për të nderuar polakët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore

Monika Shoshori Stafa

“Duke shpëtuar jetën e të tjerëve, ata rrezikuan të tyren”. Kjo është historia tragjike e Viktoria dhe Józef Ulmas, si dhe e gjashtë fëmijëve të tyre, e cila ka frymëzuar autoritetet për t’i dhënë muzeut për ata polakë që shpëtuan hebrenjtë në rajonin e Podkarpacies, emrin e familjes Ulma. Muzeu është hapur më datë 17 mars. Ky është muzeu i parë në Markova të Polonisë që u dedikohet të gjithë polakëve, të cilët shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë vend në Poloni për të paraqitur – në një kontekst më të gjerë – profilet e heronjve të cilët rrezikuan jetën për të shpëtuar bashkëqytetarët e tyre hebrenj, të përballnin holokaustin. Muzeu që mban emrin tashmë të familjes Ulma, tregon historinë e heronjve polakë që nga koha e pushtimit gjerman deri në vitin 1945. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Rajhu gjerman vendosi t’i jepte “Zgjidhjen Përfundimtare” çështjes hebre. Ata polakë që do të ndihmonin hebrenjtë në shpëtimin e jetës së tyre, do të dënoheshin me vdekje. Përgjegjësia kolektive e shumë familjeve ishte një prej subjekteve të ligjit drakonian, vetëm në Poloninë e pushtuar nga gjermanët. Pavarësisht se ishin të kërcënuar me ekzekutim, shumë polakë vendosën jo vetëm të ndihmonin fqinjët hebrenj, por dhe të njohurit e tjerë të huaj. Familja Ulma nga Markova ishte shembulli i qartë i këtyre fisnikëve të rrallë.

Para Luftës së Dytë Botërore, Markova, fshati më i madh në Poloni, përbëhej nga rreth 4500 banorë, përfshirë këtu dhe 30 familje hebreje. Familja Ulma strehoi dy familje hebreje gjatë kohëve të terrorit: familjen Szalls dhe Goldmans. Në mbrëmjen e 24 marsit 1944, policia ushtarake gjermane, shoqëruar dhe nga Granatowa policja (policia polake në zonat e pushtuara gjermane) pasi kishin marrë udhëzimet ushtarake, hynë në shtëpinë e familjes Ulma dhe i ekzekutuan me armë, familjarët Jozef dhe gruan e tij, Viktoria, megjithëse gruaja, zonja e familjes ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë. E gjithë ngjarja tragjike ndodhi në sy të gjashtë fëmijëve dhe tetë hebrenjve të strehuar aty. Qëndrimi heroik i kësaj familjeje u bë simboli i flijimit të të gjithë polakëve që do të shpëtonin gjatë luftës.

Ata që sot mund të vizitojnë Markovën do të njohin mes të tjerash, historinë e Józef Ulmës, qytetarit të ndërgjegjshëm dhe aktivistit shoqëror të palodhur i cili ishte i pari që përdori metodat e reja të hortikulturës dhe kopshtarisë. Ai kishte një rol aktiv në shoqatën lokale të Rinisë Katolike dhe mbështeste vazhdimisht Bashkimin e Rinisë Lokale, si bibliotekar i saj. Por pasioni i tij më i madh mbetej fotografia. Duke përdorur një kamera të realizuar nga vetë ai, Józef Ulma mundi të shkrepë dhe të fiksojë në imazhe me mijëra fotografi nga familja dhe miqtë e tij, kujtime të cilat sot mund t’i shohim pikërisht në këtë muze. Por sigurisht në Poloni kishte shumë e më shumë histori si ajo e familjes Ulma. Përveç emrave të mirënjohur kudo në botë: si ajo e Irena Sendler dhe Jan Karski, ka pasur me mijëra heronj të tjerë që kanë mbetur të paemër të cilët shpëtuan hebrenjtë polakë dhe tani gati janë harruar. Në vitin 1995, në Yad Vashem (Autoriteti Përkujtimor i Martirëve të Holokaustit dhe heronjve të tyre) familjes Ulma pas vdekjes iu dha titulli Fisnikë mes Kombesh. Për të festuar këtë ngjarje, një memorial prej guri që përkujton martirizimin e familjes, u ngrit në vitin 2004. Hapja ceremoniale e Muzeut në Markova u mbajt vetëm pak ditë më parë dhe në këtë përkujtimore në respekt të heroizmit të kësaj do të merrte pjesë edhe Andrzej Duda, Presidenti i Polonisë dhe shumë të ftuar e miq dashamirës të kësaj kauze edhe nga jashtë vendit.

Comments are closed.