JOHN KERRY DHE LIBRI I PËRSHTYPJEVE NË KRYEMINISTRI

MONIKA SHOSHORI STAFA

Monika Shoshori StafaVite më parë, një sondazh i amerikanëve mbi shkallën e korrupsionit në Shqipëri e detyroi ambasadorin amerikan të atëkohshëm të mbante një fjalim elektrizues para opinionit publik shqiptar. Ishte maji i vitit 2008. Publikimi i sondazhit “Perceptime dhe përvoja me korrupsionin” kryer nga IDRA dhe financuar nga USAID, tregoi se 92% e shqiptarëve thoshin se korrupsioni është shtrirë mirë në zyrat publike dhe se ryshfeti është kthyer në një sindromë të zakonshme për shqiptarët. Ata e pranojnë se nuk ka zgjidhje ndryshe. Në atë kohë, 70% e njerëzve të intervistuar thanë se kanë paguar një ryshfet për trajtim mjekësor dhe se rreth 60% kanë shumë pak besim te sistemi gjyqësor. Në një raport 3 me 1, shqiptarët nuk mendonin 8 vjet më parë se gjyqtarët janë të paanshëm kur kryejnë gjykime. Por a mund të mendojmë se edhe tani, pas 8 vjetësh, në këto shifra ka ndryshuar për mirë diçka? A mund të themi me bindje se nuk paguajmë më ryshfet dhe se e kemi marrë pronën tonë të trashëguar vjedhur nga sistemi komunist? A mund të themi se i kemi të dekriminalizuara të gjitha pushtetet, ai ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor dhe mediatik? A mund të konfirmojmë me bindje se nuk gjendet as edhe një zhdinjitar mes këtyre katër pushteteve edhe në mos në të katërt, të paktën në një prej tyre? Në Shqipëri amerikanët shpeshherë kanë folur mbi një numër çështjesh gjatë këtyre 25 viteve. Shumica e tyre kanë qenë tema të gëzueshme si rënia e komunizmit dhe martirizimi i viktimave të tij me Rajersonin, këshillimi i vlefshëm i Marisa Linos gjatë vitit të errët 1997 për shqiptarët; apo Marcie Ries një zonjë e vërtetë, po aq dashamirëse e me një sensibilitet të veçantë në erën e re që njohu Shqipëria pas viteve të para të postkomunizmit; ftesa e Shqipërisë për anëtarësim në NATO, pavarësia e Kosovës, dhe sigurisht kultura dhe historia shqiptare kanë qenë disa nga temat që nuk i kanë shpëtuar fjalimeve entuziaste të ambasadorëve Withers dhe Arvizu (ky i fundit do të mbahet mend natyrisht jo aq për buzëqeshjen sharmante sa për përveshjen e mëngëve në zgjedhjet lokale të 2011-s), miq të shtrenjtë të shqiptarëve tek të cilët ata shohin potencialin e fortë të progresit në këtë vend. Padyshim sot e gjithë ditën, fatkeqësisht një nga shqetësimet e tyre të vazhdueshme mbetet dhe korrupsioni. “Aspiratat e qytetarëve përsëri po nëpërkëmben nga korrupsioni, nga interesat e oligarkëve, të cilët përdorin paratë për t’i marrë frymën opozitës politike, për të blerë politikanë dhe median, si dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit e të shoqërisë civile”. Shumë pak u komentuan këto fjalë te sekretari Kerry dy vjet më parë lëshuar në një konferencë për sigurinë. Shpeshherë, nën tendencën për t’ia lënë fajin së kaluarës, por asesi nuk të shkonte ndër mend se në një konferencë të tillë, të dominuar nga përplasjet BE-Rusi-SHBA në lidhje me konfliktin në Ukrainë, numri i dy i Departamentit të Shtetit do të plaste këtë deklaratë më shumë si një paralajmërim për një kontroll të ri në Ballkan tash e tutje. Të gjitha këto, me pak fjalë, lanë të kuptonin se Ballkani ka një problem serioz me korrupsionin dhe se ai prek të gjitha pjesët e shoqërisë së tij, ekonominë, mundësitë e investimit por dhe imazhin jashtë, sidomos kjo shkon në një gjendje alerte për disa vende të cilat janë anëtare të Aleancës Euroatlantike. Por si do të lexohet shënjimi i sekretarit amerikan të shtetit John Kerry në librin e përshtypjeve pas mbërriti në Tiranë? Çfarë vlerësoi ai? Mikpritjen e popullit shqiptar (jo të leadership-it të tij, po të ishte ndryshe do ta thoshte, por nuk e tha). Bukurinë e vendit të shqiponjave të cilin ose e pa nga avioni (pak e vështirë për t’u besuar), ose është një nga ato konsideratat e përgjithshme ekzotike perëndimore që nga koha e lordit anglez George Byron apo mos ndoshta një frazë diplomatike standarde që mos qoftë e thënë. Por jo, Shqipëria mbetet një aleate besnike e NATO-s. Me sa duket, e vetmja lidhje strategjike e SHBA-së për Shqipërinë është orientimi i saj atlantik dhe jo ai europian, si ishte në vitin e largët 1990.

Shqipëria është atlantiste edhe tani që lufta kundër terrorizmit po kthehet në Luftën e Tretë Botërore. Kjo do të thotë se Shqipëria po rrezikon më shumë se çdo herë tjetër. Ishte krejt ndryshe kur ndodhte lufta në Irak. Është ndryshe tani kur lufta bëhet te porta jonë, dhe ne jemi jo objektiv, por objektivi, njësoj si Parisi, Londra apo Roma. Por a po rrezikojmë për veten apo për aleancën? Apo në thelb ky është vetë kuptimi i aleancës?

Kësaj radhe ne jemi rreshtuar kundër nisur edhe nga një pjesë e vetvetes. Qindra shqiptarë janë rreshtuar në krah të ISIS dhe kujtojmë këtu se rilindësi i urtë, Naim Frashëri, këtë faktor e quante Mavi (jo aq në kuptimin e ngjyrës, por si kundërshtarë të imam Aliut). A është ky vlerësim i State Department për atlantizmin tonë, apo pse ne jemi bujarë të pranojmë herë pas here të padëshiruarit e Washington-it? Zakonisht prevalon arsyeja që nuk thuhet.

Cili atëherë është ekstremizmi, ndaj të cilit Shqipëria është aleate e shkëlqyer? Kjo mund të kuptohet kështu: ja një vend me shumicë myslimane që e lufton armikun tonë njësoj si ne luftojmë ISIS-in, që tashmë i ka prishur kufijtë midis shteteve, sepse ka krijuar një kufi të ri ndërkombëtar, përmbi Siri, Irak dhe Turqi. A quhet luftë botërore kur prishen kufijtë ndërkombëtarë? Kur atëherë një luftë quhet botërore?

Kerry erdhi në Shqipëri për të mirën e Amerikës: ai do besnikëri, qoftë dhe duke luftuar një pjesë të vetvetes, muxhahedinët e Kosovës, pjesëmarrës në ISIS. Në fakt, muxhahedinët e R. Qosjes, sepse ai e promovoi identitetin islamik të shqiptarëve. Cili ishte interesi më i madh i Kerry-t? Pranimi i një mijë opozitarëve iranianë, apo rreshtimi solidar kundër tanëve në ISIS? E dyta, sigurisht.

Edhe interesi për një pushtet drejtësie të denjë këtë qëllim ka. SHBA mund të mbajnë aleat të diskutueshëm, gjysmë demokratik por sesi me demokraci në pikëpyetje. Prandaj duhet ndryshuar fytyra e Shqipërisë me Byronë e Hetimeve dhe Reformën në Drejtësi. Atlantiste, por dhe demokratike, në mos tjetër në fasadë. Rama na e premtoi. Pas zgjedhjeve të qershorit të 2013-S, ky duhet të jetë momentum-i i dytë i tij përndritës. Por kjo ishte vizita e Kerry-t: një Shqipëri e devotshme ndaj atlantizmit (nuk ka shumë rëndësi edhe ndaj europeizmit), edhe në rastin e një konflikti botëror. A ishin leader-ët tanë në lartësinë e çastit historik? Duhet t’i dëgjojmë të flasin, pastaj t’i gjykojmë. Sa u takon deklaratave të tyre, ata folën për shumëçka, vetëm për çka u bisedua nuk folën. As majtas, as djathtas. Për paradoks, më i fituari këtu duket se doli Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Shënjimi i Kerry-t, po të lexoheshin buzët e tij në Rinas, do të thoshin: Sa vend i bukur është Shqipëria! Ju jeni miq besnikë sepse ne rrezikojmë bashkë, ndihmojmë njëri-tjetrin në luftë e në paqe, ndaj bëjeni atë dreq Byroje Hetimi që të na besojnë. Lëreni plakun në shenjtninë e tij, se nuk kemi asgjë me të. Ne na duhet fasada! Ah, harrova edhe kryeministri juaj është shumë i pasionuar për të bukurën dhe historinë e saj, kam dëgjuar për të … si i thoni ju… pedonalet, lungomaret, etj. Unë e respektoj pasionin e mikut tim, Edi Rama!

Comments are closed.