Flakë dhe gurë te romët e Shkozës

Zjarri përpin 15 çadra të komunitetit rom, policia dyshon se është i qëllimshëm. Banorët: U dogj transformatori. OSHEE: Nuk kishte energji në ato çaste. Momentet e sulmit me gurë, ku u thyen xhamat e pallatit

Mariglen Mullai / Shpresa Mezini

Flakët e një zjarri, shkaku i të cilit nuk dihet ende, “përpinë” barakat e familjeve rome që jetojnë prej rreth 20 vitesh në fushën e zezë të Shkozës. Por, situata u përkeqësua, kur banorët filluan të qëllonin me gurë pallatet e banesave sociale, që ndodhen fare pranë tyre, duke shfryrë vrer, që mbetën pa shtëpi, kur përballë tyre ndodhen banesat sociale, të cilët Bashkia e Tiranës as ka menduar dhe as nuk mendon t’ia vendosë në dispozicion këtij komuniteti të pastrehë. Të irrituar, shumica e banorëve thonë se zjarri është pasojë e një shkëndije elektrike në transformatorët e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, që ndodhen aty pranë, ndërsa këta të fundit mohojnë zyrtarisht që të ketë qenë ndonjë shkëndijë elektrike burim i zjarrit të rënë mesditën e djeshme në Shkozë. Zyra e shtypit në OSHEE deklaron se ka qenë krejt e kundërta e asaj që pretendojnë banorët, pasi për pasojë zjarri që ra në kasollet e romëve ka dëmtuar një prej transformatorëve të energjisë elektrike, çka sipas tyre dëshmohet edhe me foto. “Për shkak të zjarrit, në disa banesa në zonën e Shkozës, OSHEE-ja ishte e detyruar për efekte sigurie të stakonte disa fidra të n/stacionit Autotraktor. Zjarri rrezikonte linjat. OSHEE-ja njofton se situata është normalizuar dhe shumë shpejt do të rikthejë energjinë elektrike në atë zonë”, sqaron zyrtarisht Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Policia ka nisur hetimet, ndërsa nga ekspertiza paraprake rezulton që nuk ka pasur shkëndijë elektrike, çka ka hedhur dyshime se zjarri ka qenë i qëllimshëm.

 

Përleshja

Strehimi ishte kryefjala që shoqëronte momentet e breshërisë së gurëve, që pjesëtarët e komunitetit rom lëshuan drejt xhamave të pallatit, përbri kampit të tyre. Mllefin për djegien e 15 barakave e nxorën duke copëtuar xhamat e katit të parë të pallatit, i cili s’ka shumë që është ndërtuar dhe ku banojnë personat që përfituan si të pastrehë. Fërshëllimat e gurëve përziheshin me ulërimat e grave, burrave, fëmijëve dhe të moshuarve që, ashtu të dalë nga kontrolli, nuk ngurruan të rrezikonin edhe jetën e atyre pak policëve, të cilët u gjetën të papërgatitur në momentet e para të sulmit. Në brendësi të katit të parë nuk ndodhej askush, pasi si rrallëherë në këto ambiente nuk janë hapur dyqane apo biznese të tjera. Tek-tuk ndonjë gur preku edhe katet e dyta dhe banorët as që guxonin të nxirrnin kokat në dritare e jo më të dilnin në ballkone. Shkëndija e parë e këtij shpërthimi masiv inati ishte krijuar sapo flakët përpinë 15 çadrat e këtij komuniteti. Mbërritja atje e Avokatit të Popullit, shoqatave të ndryshme që shpërndanë ushqime e veshmbathje dhe përkrahja që morën prej një përfaqësuesi, shtuan ndjeshëm dozën e inatit, që në dukje ngjante sikur shpërtheu spontanisht, por një organizim të vogël e pati gjithsesi. Një grua rreth 60 vjeçe, e shoqëruar nga dy burra me xhupa të kuq, ishin të parët që duke bërtitur “duam strehim”, shkuan në derën kryesore të pallatit, ku tentuan edhe të futeshin brenda banesave sociale, dhe për pak sekonda disa adoleshentë dhe gra rrethuan ata 10 policë të rendit dhe bashkiakë që ndodheshin aty. Më tej, pas një përplasjeje të vogël fizike me policinë, turma doli jashtë dhe disa thirrje të llojit “gjuni me gurë” e nxehën situatën. Breshëria e gurëve dhe sendeve të tjera të forta zgjatën për dy minuta e gjysmë dhe panorama që mbizotëronte pasditen e djeshme në kampin e komunitetit rom në Shkozë përbëhej nga tymi që ende dilte nga barakat e djegura, xhama të thyer dhe njerëz që bërtisnin e kërkonin strehim. “Jemi shqiptarë, nuk jemi romë”, ulëriti një grua, sapo ritmi i sulmit kishte rënë. Situata më pas nisi të qetësohej me mbërritjen e dy furgonëve të policisë së rendit dhe një të policisë bashkiake. Turma u shpërnda dhe breshëria e gurëve ua la vendin ankesave pafund të banorëve. Sapo panë autoambulancën që po mbërrinte, bashkë me një automjet të ujësjellësit dhe një zjarrfikëse tjetër dhe kur në vendngjarje ishte prezentë Igli Totozani, përfaqësues të bashkisë, OJF të ndryshme, kamerat dhe krerët e Komisariatit Nr. 1 që ka në juridiksion këtë zonë, banorët përdorën taktikën e tërheqjes së vëmendjes nëpërmjet dhembjes. “Na vdiqën pesë foshnja këtu nga të ftohtët, s’kemi ku të fusim kokën”, ulërinin disa gra, që në mënyrë demonstrative lanë një foshnjë në tokë për pak çaste, për ta rimarrë sërish. Nën zë përflitej plani i strehimit natën në katin e parë të pallatit që ia kishin thyer xhamat. Me rrallimin e njerëzve, disa banorë të kampit nisën të shpresonin në premtimin e Bashkisë së Tiranës për ngritjen e 15 çadrave për strehim të përkohshëm, ndërsa të tjerët po përgatisnin batanijet për t’i shtruar sipër çimentos së dyshemesë së katit të parë të pallatit. “Të paktën aty nuk do të na zërë shiu dhe nuk do të vdesim nga i ftohti. Kishim 55 baraka, tani mbetën 40”, thanë ata. Më herët, një aktiviste e këtij komuniteti i kërkoi Leonard Ollit, kreut të demokratëve në bashki, që të largohej. “Bëni sikur ju vjen keq, ju nuk duhet ta politizoni çështjen, largohuni, nëse vërtet doni të na ndihmoni”, tha ajo. Ndërkaq, Olli iu përgjigj: “Nuk jam këtu për të prodhuar kapital politik, ne jemi në sensibilizim të një situate, ajo që është më kryesorja është të shpëtohen jetët e njerëzve, këta njerëz të mos e kalojnë natën jashtë”. Banorët aprovuan apelin e Totozanit për gjetjen e një zgjidhjeje të menjëhershme.

Bashkia e Tiranës

Në një situatë të rëndë si kjo që po kalojnë banorët romë, që jo rrallëherë përfshihen në ngjarje të tilla, pa harruar ndodhinë më të fundit te Liqeni Artificial, nga ku u dëbuan rreth 15 familje të këtij komuniteti, reagon edhe Bashkia e Tiranës. Institucion që sipas aktivistëve të shoqatave që mbrojnë të drejtat e këtij komuniteti, është përgjegjës për ngjarjen e ndodhur njësoj sa për zgjidhjen që duhet t’i japë strehimin të tyre. “Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për normalizimin e situatës së krijuar pas rënies së zjarrit në banesat e komunitetit rom në Shkozë, si dhe për sistemimin e 11 familjeve të prekura nga zjarri. Deri në sqarimin e plotë të ngjarjes, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim edhe me prefektin e Tiranës, ka ngritur disa çadra të reja pranë Qendrës Tranzitore të Emergjencave në Tufinë, për strehimin e përkohshëm të familjeve të prekura nga zjarri, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për sistemimin e tyre afatgjatë. Qendra Tranzitore e Emergjencave strehon tashmë disa familje të komunitetit rom në ambiente të sigurta për ta dhe fëmijët e tyre”, thuhet në njoftimin zyrtar të Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, ky institucion po punon për një plan konkret për përmirësimin e jetesës së banorëve të këtij komuniteti. Në kuadër të këtij plani, bashkia ka përfunduar procedurat për fondet e programit IADSA për ndërtimin e 60 banesave dhe programeve të përshtatjes për fuqizimin e familjeve të këtij komuniteti.

 

Avokati i Popullit

Totozani: Strehim emergjent për nëntë familjet e prekura

Avokati i Popullit, Igli Totozani, gjithashtu i pranishëm në vendngjarje, ndërsa dënoi aktet e dhunshme të banorëve romë, pas zjarrit që mbërtheu “shtëpitë” e tyre, theksoi domosdoshmërinë e strehimit emergjent për nëntë familje rome, që kanë fëmijë të vegjël. “Nuk mbështesim asnjë akt si ky që pamë këtu, thyerje xhamash apo akte violence. Këtë po ua kërkojmë dhe publikisht qytetarëve romë që janë këtu. Duhet urgjentisht të tërhiqen nga çdo iniciativë, që për Avokatin e Popullit është e paligjshme. Kemi vite të tëra që ndërtojmë rekomandime për këtë gjë. Për rastin konkret, tri janë gjërat imediate: të distancohen menjëherë nga aktet e dhunës; një strehim i përkohshëm emergjent për nëntë familjet që kanë mbetur në qiell të hapur; rekomandimi i vazhdueshëm dhe i përhershëm i Avokatit të Popullit, zgjidhje të përhershme për strehimin e qytetarëve romë”, thekson Totozani.

 

Bashkia për PD-në

“Bashkia e Tiranës shpreh keqardhjen për deklaratat e këshilltarëve të Partisë Demokratike, të cilët, si çdo herë tjetër, edhe në këtë rast shpejtuan të përfitojnë nga situata e familjeve të komunitetit rom në Shkozë për kapital politik. Gjatë katër viteve të fundit, kur në krye të Bashkisë së Tiranës ishte vetë kryetari i PD-së, nuk dhanë kurrë asnjë zgjidhje konkrete për këto familje, duke i injoruar dhe nxjerrë në qiell të hapur për llogari të lejeve për pallate”, kundërpërgjigjet Bashkia e Tiranës, e cila thekson se inkurajimi i vandalizmit të pronës publike, sipas modelit të protestave të PD-së, për t’i marrë zgjidhjet me dhunë, nuk funksionon dhe nuk do të tolerohet në qytetin e Tiranës.

 

Sokol Lushi, banori 32-vjeçar, rrëfen shkakun e sulmit 

“Dua strehë për familjen, nuk mjaftojnë ndihmat”

Romet ne Shkoze (1)Baraka e tij nuk u përfshi nga flakët, por çadrat e babait, vëllait dhe të afërmve të tjerë ishin shkrumbuar komplet. Sokol Lushi, 32 vjeç, baba i dy fëmijëve, lindur dhe banues në Tiranë, rrëfen për gazetën “Shqip” se të vetmen gjë që kërkon është streha. “Unë u dogja tani, më iku jeta kështu, me hekura e kanoçe, po të paktën fëmijët e mi të jetojnë si njerëz”, thotë i riu që ishte ndër më aktivët në sulmin me gurë. Ai shprehet se për këtë veprim të dhunshëm ishin detyruar nga rëndimi i kushteve të jetesës. “Unë marr hekura nga një servis, edhe bodrumi te puna ime është më i pastër se baraka ku jetoj me familjen”, shprehet ai. Më tej, 32-vjeçari rrëfen se disponojnë disa dokumente, sipas të cilave ata janë lejuar nga shteti që të banojnë në këtë zonë dhe dëshiron që aty të ngrihet një pallat për të strehuar këto familje. Ndërkaq, i pyetur nëse ishin ndihmuar në përballimin e situatës, ai thotë se disa OJQ u kishin shpërndarë ushqime, veshmbathje dhe soba zjarri, por këto nuk mjaftonin sipas tij. “Ne duam një çati mbi kokë si gjithë të tjerët, sepse në të kundërt është padrejtësi po të na lënë jashtë”, thotë Lushi.

Comments are closed.