Gjimnazi “Asim Vokshi”, në fund të gushtit nisin regjistrimet

DAR

Gjinazi Asim VokshiNë fund të muajit gusht nis regjistrimi në gjimnazin e gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” në kryeqytet. Sipas njoftimit të drejtorisë arsimore rajonale, regjistrimi do të nisë më 31 gusht dhe mbyllet më 9 shtator. Të drejtën për t’u regjistruar në këtë gjimnaz e kanë vetëm nxënës nga qyteti i Tiranës dhe nga ato qytete apo rrethe ku nuk ka gjimnaze me orientim gjuhësor. Në vitin shkollor 2015-2016, në klasën e dhjetë do të hapen 8 paralele me 280 nxënës. Regjistrimet mund të bëhen në degët: “anglisht-gjermanisht; gjermanisht-anglisht; frëngjisht-anglisht; italisht-anglisht; spanjisht-anglisht; anglisht-rusisht; seksioni dygjuhësh; frëngjisht-shqip”. Gjithashtu theksohet në njoftimin e DAR se kur numri i kërkesave për një degë është më i madh se numri i nxënësve të planifikuar, nxënësit përzgjidhen sipas mesatares së notave të provimeve të lirimit, të rrumbullakosur me një shifër pas presjes. Numri i nxënësve për klasë është 30-35. Kur nxënësi fitues nuk paraqitet në shkollë në fillim të vitit shkollor, njoftohet drejtori para fillimit të këtij viti shkollor. Kur një nxënës fitues nuk paraqitet në shkollë, brenda 15 ditëve nga fillimi i vitit shkollor, pa arsye objektive, nxënësi tjetër, sipas radhës në listë, gëzon të drejtën e pranimit në shkollë. Ndërsa për të aplikuar nxënësit duhet të paraqesin këto dokumente: “kërkesë për regjistrim; kopje e noterizuar, e njehsuar me origjinalin, e dëftesës së lirimit të nxënësit; kopje e kartës së identitetit të nxënësit”. Sipas njoftimit të DAR, listat e nxënësve që regjistrohen, shpallen më datë 10 shtator. Ndërsa nxënësit, të cilët nuk fitojnë të drejtën e regjistrimit, kanë të drejtë të aplikojnë në shkolla të tjera ku regjistrimi nuk parashikon konkurs apo kritere të tjera të veçanta.

Comments are closed.