PD-LSI, akuza për një kuti votimi të rrëmbyer në Bulqizë

palokaPartia Demokratike denoncon një rast grabitjeje të një kutie votimi nga ana e militantëve të LSI-së në fshatin Gjuras në Bulqizë.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka hedh akuza se një kuti votimi është transferuar në një makinë fuoristradë nga persona të armatosur.

“Militantët e LSI-së-së kanë grabitur një kuti votimi në një QV në fshatin Gjoricë të Bulqizës, – u shpreh Paloka, – dhe e kanë transferuar në një fuoristradë. Militantët e LSI-së ishin të armatosur. Kjo tentativë, tregon qartazi se kjo qeveri nuk heq dorë për të manipuluar këto zgjedhje, por tregon edhe vendosmërinë tonë, për të mos lejuar asnjë milimetër cenim të votës së qytetarëve shqiptarë. I bëjmë thirrje Metës e Ramës të heqin dorë dhe të dorëzohen përballë votës së qytetarëve dhe të lënë të lirë mbylljen e procesit të numërimit. I bëjmë thirrje Prokuroprisë dhe ndërkombëtarëve të reagojnë”, – tha Paloka.

Por ka reaguar menjëherë deputeti i LSI-së i kësaj zone, Përparim Spahiu, i cili ka përgënjeshtruar deklaratat e deputetit demokrat, duke thënë se ka ndodhur krejt e kundërta:

“Bulqiza nuk është problematike siç tentoi ta paraqesë Paloka, – tha Spahiu. – Zoti Paloka mos ka pasur ndonjë plan që ta rrëmbejë vetë kutinë e votimit. Furgoni është i rrethuar nga njerëz që e shoqërojnë dhe policia. Nuk ka asnjë fuoristradë që thotë Paloka. Është komplet e kundërta, është deputeti i PD-së Roland Keta me kandidatin e PD-së që tentuan të bllokojnë makinën. Policia do të vijë dhe do të hetojë”.

21 qershor 2015 (gazeta-Shqip.com)

Comments are closed.