MAS: Nuk do të ketë rikorrigjim për asnjë provim të maturës 

Deklarata 

Nxënësit kërkojnë rivlerësim. Arsimi: Provimi korrigjohet nga 3 duar, s’ka mundësi për gabime

protesta-para-mas-2_1Asnjë tezë e provimeve të Maturës Shtetërore nuk do të rikorrigjohet. Pavarësisht pretendimit të studentëve se provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë ishte shumë i vështirë, me gabime drejtshkrimore, ndërsa pjesa letrare sipas nxënësve nuk ishte shkëputur nga programet shkollore, burime në Ministrinë e Arsimit bëjnë me dije se nuk do të pranohet ankesa e asnjë kandidati për student, edhe pse ky i fundit mund të pretendojë se vlerësimi është i gabuar. Kjo, pasi sipas tyre, vlerësimi është i trefishtë, pra ka kaluar nëpër tri duar, proces ky që nuk lejon asnjë mundësi për korrigjim të gabuar. “Provimet e Maturës Shtetërore kalojnë në tri duar vlerësuesish. Veç tyre, një administrator i caktuar nga MAS monitoron gjithë procesin. Janë 3 specialistë të trajnuar që kontrollojnë testet. Ky proces bën të mundur transparencë dhe mbi të gjitha nuk lë hapësirë për rikorrigjim”, shpjegojnë burime në MAS për gazetën “Shqip”. Teza e provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë u përfol nga një numër i konsiderueshëm maturantësh, të cilët deklaruan në rrjetin social Facebook, por edhe në protesta se niveli i pyetjeve ka qenë tejet i vështirë, ndërsa disa pyetje specifike linin mundësi për përgjigje evazive, që cilido mund t’i interpretonte sipas mënyrës së tij. Përballë këtyre argumenteve të maturantëve, që protestuan edhe përpara Ministrisë së Arsimit, ku i kërkonin ministres Nikolla t’u jepte mundësinë që provimet e tyre të rivlerësoheshin, nëpërmjet një konference për shtyp, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Rezana Vrapi, sqaroi publikisht se tezat janë hartuar brenda të gjitha kritereve të përcaktuara më parë në program. “Natyrisht që ka pyetje të nivelit të lartë të vështirësisë, sepse duhet të bëhet diferenca mes maturantëve të notës 8,9,10, dhe nuk pretendohet që një nxënës i pesës apo gjashtës të hyjë në këtë grup pyetjesh dhe t’i zgjidhë ato. Çelësi nuk është skemë përfundimtare, pasi është e pamundur të ndërtosh një skemë të tillë. Është një skemë thjesht orientuese dhe ne gjithmonë vendosim shënime që pranohen përgjigje që komisioni i korrigjimit i gjykon si të sakta. Ne do t’i shqyrtojmë me shumë kujdes dhe do t’i japim përgjigjen tonë në lidhje me të dyja peticionet”, argumentoi drejtoresha e AKP-së.

Comments are closed.