Kryeministri: Ballkani është në paqe, nuk flet më për kufijtë

Vizita

Rama “joshi” investitorët e Abruzzo-s, e merrni licencën me 1 euro

rama italiVizita dyditore e Kryeministrit Edi Rama në Peskara, i ftuar nga Luciano D’Alfonso, kryetar i Qarkut të Abruzzo-s, ka nisur të premten pasdite me takimin e investitorëve kryesorë të këtij qarku. Të shumtë të pranishmit të interesuar për të hapur një biznes, të cilët kanë shfrytëzuar rastin për të pyetur Kryeministrin shqiptar si mbi procedurat, por edhe mbi situatën politiko-sociale të vendit. Duke bërë një sërë batutash mbi burokracinë italiane, Rama i ka ftuar italianët të investojnë në vendin tonë, duke theksuar se “Shqipëria është një realitet ku çdo biznesmen italian do të gjejë atë që ëndërron e që nuk e gjen në Itali. Ka një sërë sektorësh si energjia, ndërtimi, infrastruktura, turizmi, industria agro-ushqimore, ku ka nevojë për investime dhe politika jonë fiskale është në shërbim të objektivit për të tërhequr investitorët, por për të mbështetur edhe bizneset vendase. Dua të theksoj se taksa për bizneset është 15% dhe paga minimale 157 €, ka një forcë punëtore shumë të re dhe një njohje shumë të mirë të italishtes nga të rinjtë. Te ne nuk ka një limit për përqindjen e kapitaleve të huaja dhe mbi të gjitha procedurat për lëshimin e licencave janë shumë të shpejta dhe transparente. Ka një kosto prej vetëm 1 euro. Të gjitha këto bëjnë të mundur që investuesit italianë të gjejnë kushtet e përshtatshme për të zhvilluar aktivitetin e tyre”. Të pranishëm në takim, edhe delegacioni që shoqëron Ramën, drejtori i komunikimit Endri Fuga, deputetët Blendi Klosi, Artan Gaçi, Blerina Gjylameti, Evis Kushi dhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Duke iu referuar mundësive që Shqipëria ofron për bizneset e huaja, Rama ka folur edhe për projektin e makrorajonit Adriatiko-Jonian, projekt për të cilin Luciano D’Alfonso pati udhëtuar disa javë më parë drejt Tiranës, e për të cilin u mbajt dje një tryezë e hapur, me praninë edhe të Ivan Jakovçiç, referues në Parlamentin Europian mbi këtë çështje. “Ka shumë vite që flitet për këtë projekt dhe është humbur shumë kohë. Falë vullnetit të D’Alfonso-s, ne jemi të interesuar ta mbështesim këtë nismë, për ta kthyer këtë projekt në një rrugë konkrete. Nuk do të jetë e thjeshtë, sidomos kur flasim për realitete që nuk janë qendrore, por periferike për Europën. Për këtë arsye nuk mjaftojnë vetëm idetë e mira, por koordinim mes të gjitha palëve. Europa është në këtë moment një burim diskutimesh lidhur me fondet, por ne kemi nevojë për më shumë Europë. Idetë për të dalë nga Europa, janë të barasvlefshme me propozimin për të dalë nga historia”, ka theksuar Rama. Kryeministri ka folur edhe për situatën në Ballkan, duke e cilësuar si një moment paqeje. “Ballkani është në paqe si asnjëherë më parë, ku mbizotëron një klimë bashkëpunimi. Këtë e tregon edhe konferenca që do të mbahet në maj në Tiranë, ku do të jenë të pranishëm të gjithë ministrat e Ekonomisë të këtyre vendeve. Për herë të parë nuk do të flitet për kufijtë, por për bashkëpunimin që kemi në proces”, tha Rama. Vizita e Kryeministrit shqiptar është përcjellë në të gjithë median lokale.

Oliverta Lila

3 Comments
  1. edi says

    Liçencen 1 euro e vuri ne jete Berisha dhe ky i shkalluari ç’nuk tha atehere,kunde kesaj nisme! Si ka mundesi qe tani ky po ja u ofron italianeve, duke kopjuar te urryerin Berisha ? Apo si gjthmone ,me stomak te forte; lepin ate qe ka peshtyre me pare !! I befte mire !

  2. linda says

    1 euro per licenxen dhe 20% per Edin,shume bukur.Puntoret paguhen 200 euro ne muaj dhe sigurimet shoqerore nuk paguhen.Cudi perse nuk investojne ketu(Itali) abrucezet ku ka shume nevoje per te hapur vende pune?(te josh mafia shqiptare ku kryetar eshte kr/ministri)

  3. Syrja Qarri says

    “Ballkani eshte ne paqe” – thote KM.
    Ky i fantaksur kujton se meqe eshte votuar nga shitesit e votes ne Shqiperi, ka te drejten te quhet Shef i Ballkanit.
    Megjithate nuk dime se c’pergjigje i kthyen Pese-Karezet , a i “perdoren” pese mundesite qe disponojne ne pergjigje te “kerkeses” se Edvinit.

Comments are closed.