Video 37-minutëshe për vrasjen e Doshit, u tentua edhe eliminimi i “dëshmitarit”

Deputeti i PS reagon pas qëndrimit të ambasadës së SHBA dhe asaj të BE

tom-doshi1Një video 37-minutëshe vërteton pretendimet se Ilir Meta ka porositur vrasjen time dhe vetëm pak ditë më parë është tentuar eliminimi i të porositurit. Jam i gatshëm që këtë video t’ia dorëzoj ambasadës amerikane dhe deklaroj se nuk jam përfshirë kurrë në asnjë akt kriminal. Ky ka qenë reagimi i menjëhershëm i Tom Doshit pas deklaratave të SHBA dhe BE, duke mbështetur çështjen për dekriminalizimin e Kuvendit, që sipas tij duhet të fillojë nga Kryetari i Kuvendit.

Deklarata e Doshit

“Tom Doshi nuk është përfshirë kurrë në asnjë akt kriminal. Nuk kam përfituar kurrë padrejtësisht dhe kurrë nuk jam përshirë në akte kriminale kundrejt pronës apo individit. Kam arritur çdo gjë në jetën time në bazë të përpjekjes sime të ndershme. Nuk kam synuar asnjëherë në jetën time të bëj shantazh as ndaj Kryeministrit dhe as ndonjë figure tjetër publike në vend. Kam folur me ton të ashpër ditët e fundit edhe ndaj Kryeministrit për të shprehur revoltën time personale, të familjes sime dhe miqve të shumtë, sepse kam parë bashkëfajësi dhe mosveprim të Kryeministrit në krimin e planifikuar kundër meje dhe kolegut Fufi. Çfarë duhet të bëja? Kam mbi 5 muaj që pres të reagojë shteti ndaj fakteve që unë i kam paraqitur deri në detaje për vrasjen time. I vdekur nuk mund të reagoj. Kam reaguar tani, sepse nuk mund të prisja më gjatë”, është shprehur deputeti Doshi nëpërmjet një reagimi në “Facebook”, i cili ka ardhur pas qëndrimit të ambasadës së SHBA-së.

Eliminimi i dëshmitarit

Më tutje, ai ka shpjeguar se ky reagim ka ardhur, pasi pak ditë më parë është tentuar eliminimi fizik i të porositurit për vrasjen e tij dhe deputetit Fufi, që sipas Doshit, porosia është kryer nga Meta. “Para pak ditësh është tentuar të vritet denoncuesi i skemës së vrasjes. Nuk mund të prisja më gjatë, sepse njerëzit rrezikojnë të vriten nga indiferenca e shtetit dhe ortakëria e Kryeministrit me Kryetarin e Kuvendit. Kush nuk do ishte i revoltuar në kushtet që është i rrezikuar të vritet, në kushtet që faktet dhe dëshmitarët po tentohen të vriten? Jam në të drejtën time të reagoj për jetën, ashtu siç jam në të drejtën time të denoncoj vrasësit me pushtet, të cilët me marrëveshje vendosin të injorojnë detyrën e tyre, të injorojnë ligjin dhe të fshehim një krim makabër”, shprehet më tutje deputeti shkodran.

Video 37-minutëshe

Duke mbrojtur pretendimet e veta për një skenar për eliminimin fizik të urdhëruar nga Meta, Tom Doshi ka pretenduar se ka edhe një video 37-minutëshe, të cilën është i gatshëm t’ua dorëzojë diplomatëve të huaj, por edhe organeve të hetimit. “Po deklaroj edhe një herë me përgjegjësinë e ligjvënësit se kam paraqitur fakte të pamohueshme për krimin ndaj meje dhe kolegut tim. Le të pyesin ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për deklaratën që ka bërë personi i paguar në zyrën e tyre. Le të informohen ambasadat te ministri për këtë fakt. Jam i gatshëm gjithashtu që të vë në dispozicion të ambasadave një video prej 37 minutash, ku rrëfehet me detaje historia e ndjekjes time prej disa muajsh nga kriminelët e paguar nga Ilir Meta. Le ta verifikojnë autenticitetin e videos dhe faktet tronditëse që pohohen aty”, shpjegon Doshi, i cili kërkon nga ambasada e SHBA dhe ajo e BE, që të ndihmojnë për hetimin e kësaj çështjeje. “Do kërkoja me zemër në dorë që të sjellin hetues profesionistë të gjykojnë së bashku me prokurorinë shqiptare këto akuza. Unë kam interes të zbardhet e vërteta. Kam interes të mos ketë kriminel në Kuvend”, shtoi Doshi.

Meta dhe Rama

Në përfundim të reagimit, ai u është rikthyer akuzave për Ilir Metën. “Një herë, Ilir Meta i shpëtoi drejtësisë me akuzën e korrupsionit. Këtë herë, shpresoj që drejtësia të bëjë detyrën dhe garancia që kjo punë do të funksionojë është që hetues profesionistë amerikanë dhe europianë të jenë pjesë e grupit të hetimit. Tom Doshi nuk mund të vazhdonte një miqësi me Edi Ramën kur ai ka bërë marrëveshje me krimin për të mbajtur të pacenuar karrigen e tij të pushtetit. Votat e një porositësi krimesh nuk duhet të mbajnë PS-në në pushtet. Shantazh i vërtetë është ai që bën Meta. Kjo aleancë duhet të denoncohet deri në fund. Me krimin duhet të ndahen të gjithë, mbi të gjitha politikanët. Ditët e fundit, Edi Rama më ka bërë ofertë që ta fsheh këtë krim, duke më dhënë garanci se qeveria dhe partia do të vazhdojnë të më mbështesin dhe se nuk do ketë masa ndaj meje. Unë nuk bëj pazare me askënd për jetën time dhe të fëmijëve të mi”, ka përfunduar reagimin Doshi, duke u treguar i gatshëm të bashkëpunojë deri në fund me drejtësinë.

 

SHKRIME TË TJERA ME INTERES
[related_posts limit=”5″]




Comments are closed.