Zgjedhjet lokale, socialistët harrojnë numërimin elektronik

Gjonçaj: Nuk është parashikuar ndonjë projekt për teknologjinë

ARTEMISA HOXHA

votat manuale_1Zgjedhjet për pushtetin lokal, që pritet të mbahen më datë 21 qershor, do të kenë të njëjtin proces numërimi apo dhe verifikimi të zgjedhjeve ashtu si në proceset e mëparshme zgjedhore. Pas dështimit të dy projekteve elektronike për numërimin e votave si dhe verifikimin e zgjedhësve nëpërmjet letërnjoftimeve të tyre, eksperti i çështjeve zgjedhore në Partinë Socialiste, si dhe përfaqësuesi ligjor i saj në KQZ, Genci Gjonçaj, konfirmoi mospërdorimin e dy projekteve në zgjedhjet e qershorit. “Nuk do të ketë përdorim të asnjë prej projekteve që provuan për zgjedhjet e kaluara as numërimin elektronik dhe as verifikim të zgjedhësve. Ato ishin dy projekte që dështuan për zgjedhjet e 2013-s dhe që nuk do të përdoreshin për zgjedhjet vendore që do të mbahen në qershor”, tha Gjonçaj për gazetën “Shqip”. Ai thekson se nuk është parashikuar ndonjë projekt tjetër për numërimin e votave më 21 qershor. Ajo që mbetet tashmë është fakti që në zgjedhjet e ardhshme, votat do të numërohen me duar nga komisionerët e komisioneve të qendrave të numërimit të votave, po ashtu edhe verifikimi i zgjedhësve do të bëhet në bazë të listave zgjedhore për çdo qendër votimi. Gjithsesi dy projektet e teknologjisë, që u provuan për zgjedhjet e kaluara të 23 qershorit, nuk u mbështetën as nga dy forcat politike më të mëdha në vend, pasi u nuk garantonin siguri. Edhe vetë institucioni më i lartë zgjedhor në vend, nëpërmjet një raporti, konsideroi dështimin e projekteve, por nuk mori asnjë vendim për shifrat e larta të parave që iu dhanë firmës spanjolle për implementimin e dy projekteve e pilotë në Qarkun e Tiranës dhe atë të Fierit. Aktualisht, në lidhje me zgjedhjet e qershorit, Ministria e Brendshme pritet që të nxjerrë udhëzimet për ekstraktet zgjedhore që do të shkojnë në çdo qendër votimi dhe më pas procesi i kalon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Si dështuan dy projektet

Dy projektet e teknologjisë në mënyrë elektronike për numërimin e votave dhe verifikimin e zgjedhësve, të cilat u testuan në dy qarqet më të mëdha për nga numri i votuesve për zgjedhjet e 2013-s rezultuan të dështuar. KQZ miratoi implementimin e dy projekteve pilotë që do të mbaheshin në dy qarqe, Tiranë dhe Fier, dhe sipas përfundimit të tyre, do të mund të përdoreshin për proceset zgjedhore të mëtejshme. Dy teknologjitë e reja u kushtuan taksapaguesve shqiptarë mbi 4 milionë euro. Projekti i numërimit elektronik, i fituar po nga kompania spanjolle INDRA, kushtoi 1.381.075 euro, ndërsa kostoja për identifikimin e votuesve për Tiranën ishte 2,660,995 euro. Në total, KQZ i pagoi firmës 4.042.030 euro. Në Qarkun e Fierit, ku ishte parashikuar të zhvillohej numërimi elektronik i zgjedhësve, numri i madh i partive politike të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si garuese në zgjedhjet e 23 qershorit, sollën dështimin e projektit, pasi në kontratën e lidhur mes KQZ dhe kompanisë zbatuese INDRA, ishin parashikuar 42 parti pjesëmarrëse në zgjedhje e që do të ishin pjesë e Fletës së Votimit. Por, në KQZ u regjistruan 66 të tilla. Ndërkohë para regjistrimit, kompania kishte nisur punën bazuar në numrin e 42 të partive. Ndërkohë që në Qarkun e Tiranës, ku do të përdorej verifikimi elektronik i zgjedhësve, rezultoi se procesi shfaq vonesa në leximin e kartave të identitetit, pasi mbi 10% e tyre nuk u arrit të lexohen elektronikisht nga sistemi SEV. Një tjetër problematikë kyçe ishte dhe mungesa e sigurisë së sistemit të kompjuterëve, si dhe e procesit të transmetimit të të dhënave.

Madje Partia Socialiste nuk nguroi as të padisë për shpërdorim të fondeve kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe gjithë administratën zgjedhore. Në padinë penale, Lleshi akuzohej për “dështim të orkestruar të projektit teknologjik, me pasojë shpërdorimin e fondeve publike”. Përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, do të shprehej në atë kohë se institucioni kryesor i zgjedhjeve është autoriteti përgjegjës për dështimin e kontratës me kompaninë spanjolle, duke e prishur atë me urdhër politik.

1 Comment
  1. Syrja Qarri says

    Epo na duhen parate per te ndertuar shtepi si keshtjella dhe per ceremonite e dasmave qe vazhdojne nje jave.

Comments are closed.