Plani i KQZ-së për zgjedhjet nuk e parashikon sistemin SEN

KQZNumërimi i votave në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 21 qershor do të bëhet sërish në mënyrë manuale dhe jo në mënyrë elektronike. Kjo për shkak se, edhe pse kanë kaluar dy javë nga miratimi i planit orientues për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka asnjë qëndrim lidhur me dy projektet që dështuan në zgjedhjet parlamentare të 2013-s, atë të votimit dhe numërimit elektronik të votave. Të kontaktuar pasditen e djeshme, zyra e shtypit e këtij institucioni theksoi se asnjë nga zyrtarët e KQZ-së nuk ka asnjë qëndrim lidhur me këtë çështje, duke lënë të kuptohet se KQZ-ja nuk ka parashikuar ndonjë mundësi për implementimin e projektit të dy viteve më parë në këto zgjedhje. Në mbledhjen e 24 dhjetorit të vitit të kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi Planin Orientues të Veprimeve të KQZ-së, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 21 qershorit 2015, në të cilin nuk është planifikuar numërimi elektronik i votave. Ky projekt nuk është planifikuar as në fondin e KQZ-së për 2015-n, duke rrëzuar çdo mundësi për implementimin e votimit elektronik të paktën edhe në këto zgjedhje. Në Kodin Zgjedhor ishte parashikuar që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 të zhvilloheshin dy projekte pilot për të cilat u akordua një fond shtesë prej 2.5 milionë eurosh. Por ky projekt pilot nuk u organizua asnjëherë, pasi testimet dështuan dhe për rrjedhojë, i gjithë procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë manuale. E njëjta situatë po bëhet edhe për zgjedhjet vendore të vitit 2015. Duke qenë se projekti pilot dështoi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mori vendimin për të zhvilluar një projekt tjetër, i cili do të kërkonte sërish një fond shtesë për zhvillimin e këtij procesi në mënyrë elektronike.

Comments are closed.