Opinion: Gjermania, një triumf që nis herët

Xhani De Biazi

Xhani De Biazi ne konferencen kunder QiprosKemi mbërritur në përfundim të një Botërori interesant dhe me të drejtë triumfon, jo pa vështirësi, Gjermania. Skuadër teknike, e organizuar dhe me një përgatitje fizike shumë të mirë. Me vështirësi, është e vërtetë, kanë arritur titullin e tyre të katërt, duke rrezikuar më shumë sesa mund të imagjinonim në vigjiljen e ndeshjes. Por pastaj kanë ditur të vuajnë, nuk janë shpërqendruar dhe kanë vazhduar të diktojnë ndeshjen. Ishte një nga favoritet e mëdha të vigjiljes, por kjo as nuk ka rënduar, as nuk ka ndikuar në vazhdimësinë e skuadrës së Joakim Lëv.

Këta lojtarë kanë përfituar nga një punë që ka nisur shumë kohë më parë. Një programim i vëmendshëm dhe skrupuloz i Federatës Gjermane, që ka punuar në mënyrë të veçantë me sektorët e të rinjve dhe i ka dhënë trajnerit të vet një hapësirë të gjatë kohore për të zhvilluar projektin e tij. Integrimi i shumë “jo gjermanëve” (Boateng, Ozil, Khedira, etj.) ka ndihmuar në projektin e rritjes dhe i ka shtuar fantazi, e cila e përzier me disiplinën dhe me forcën fizike, ka prodhuar një përzierje vendimtare.

Rritja tekniko-taktike e Bundesligës ka sjellë një rritje të mëtejshme dhe kombëtarja ka ditur të përfitojë.

Dy skuadrat lider, me Bajern Mynih që kontribuon me 7 lojtarë dhe Borusia Dortmund që ka 5 në ekip, janë baza mbi të cilën ka punuar Lëv për të ndërthurur më pas lojtarë si Ozil, Klose e Khedira që luajnë jashtë, po në klube të mëdhenj.

Reflektimet që mund të bëjmë janë të shumta dhe mund të përfshihen në kontekstin italian. Por unë nuk dua t’i jap këshilla askujt. Sugjerimi i vetëm që ndiej të jap është të ndryshohet logjika e përzgjedhjeve, shumë shpesh i besohen sferës emocionale, për të mos thënë “politike” dhe nuk bazohen mbi vlerën e vërtetë të atyre profesionistëve që punojnë larg bujës mediatike.

 

Comments are closed.