Kadare: Goditja e Bilal Xhaferrit, e pamoralshme

Një enigmë me disa të panjohura/ Shkrimtari Ismail Kadare rrëfehet për herë të parë për të vërtetën e marrëdhënies së tij me Bilal Xhaferrin dhe Arshi Pipën

Goditja e tij ishte e pamoralshme dhe e pabesë, tipike në atë kohë, nga ato që të çonin drejt rënies e ndoshta drejt burgut. Shkurt, njëri nga kolegët e fajësoi tjetrin për “dekadentizëm” dhe “nxirje të realitetit”. Kolegu (përndryshe kolosi tjetër) nuk u përgjigj. Ky ishte thelbi i ngjarjes. Të tjerat: ndërhyrja e zyrtarit komunist, për t’i thënë se nuk do të na mësosh ti, bir i një hoxhe të dënuar, si të mbrojmë realizmin socialist nga dekadentizmi, është rrjedhojë e absurdit të mëparshëm.

Ismail KadareNë prill të vitit 1968, Bilal Xhaferri, një shkrimtar i ri, kritikon në një mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve, një tjetër shkrimtar të ri, por që ishte bërë i njohur për lexuesin me disa libra të botuar. Ai ishte Ismail Kadare, dhe Xhaferri e akuzoi për romanin e tij “Dasma”, si një vepër me ndikime borgjezo-revizioniste të shfaqura në romanin e tij “Dasma”. Konkretisht: denigrim i klasës punëtore dhe sidomos i gruas shqiptare. Pas kësaj kritike, jeta e Bilal Xhaferrit do të ndryshonte. Ai do të internohet e më pas do të arratisej drejt Amerikës, ku edhe ndërroi jetë më 1986-n. Çështja e Bilal Xhaferrit është rikthyer shpesh si një akuzë ndaj Kadaresë për fatin e tij para dhe pas viteve ‘90. Për herë të parë, shkrimtari i madh Kadare, flet për çështjen Bilal Xhaferri, në një libër të gazetares Aida Tuci. Libri “Një enigmë me disa të panjohura, rreth dosjes Bilal Xhaferri”, ka vetëm pak ditë që ka dalë në treg nga shtëpia botuese “Onufri”. Libri përmban dëshmi nga bashkëkohësit, dokumente arkivore dhe një bisedë me shkrimtarin Kadare rreth kësaj ngjarjeje, por dhe personazheve të tjerë të letërsisë shqipe, si Arshi Pipa apo Lasgush Poradeci. Më poshtë po botojmë një pjesë të intervistës së dhënë nga Kadare në libër…

 

Është një shkrimtar shqiptar, ndaj të cilit, sa herë që kthehet vëmendja, paralelizmi i kujtesës shkon te ju, zoti Kadare. E kam fjalën për Bilal Xhaferrin. Ka një kohë të gjatë që merrem me këtë çështje, le ta quajmë “Dosja Bilal Xhaferri”, dhe nuk arrij të kuptoj se si, pas botimit të kaq dokumenteve, çështja nuk po sqarohet. Sipas jush, a është vërtet kaq i vështirë sqarimi i saj apo ka diçka tjetër që pengon?

S’ka asgjë të paqartë në këtë çështje, që ju e quajtët “Dosja Xhaferri”. Në qoftë se ka shumëçka të paqartë, madje të errët, atë duhet ta kërkoni në ndërgjegjen e njerëzve që janë marrë me të. Dihet se kur ndërgjegjet njerëzore janë të papastra, i tillë do të jetë edhe prodhimi që del prej tyre. Ju keni bërë një anketë të hollësishme për këtë histori dhe besoj se jeni bindur se në bazën e saj ka një gjë të keqe, një llum të pafund.

 

Përpara shumë vitesh, pikërisht për këtë çështje, ju keni bërë një qartësim në shtypin shqiptar. Në intervistën tuaj, gjithë atë ngjarje ju e keni quajtur “Historia e një blofi”. Madje edhe intervista kështu është titulluar. I përmbaheni ende sot një mendimi të tillë?

I përmbahem plotësisht. Jo vetëm kaq, por sot që ne po bisedojmë, pra shumë vite më pas, kam bindjen se ajo që e kam quajtur “blof” ka qenë më e keqe se një blof, më e rëndë dhe, pa dyshim, më e pistë. Mund të thuhet se ajo është pjesë e një tabloje tepër të errët të Shqipërisë së sotme: ndotjes morale të saj. Shqipëria është sot vendi i vetëm në Europë që nuk pranon të shqyrtojë pjesën e errët të ndërgjegjes së vet. Pa këtë shqyrtim s’mund të ketë zbulim të së vërtetës për asgjë. Dhe të vërtetat e mbuluara, sa kohë që do të jenë të varrosura në qilarët e fshehtë, aq kohë do të helmojnë gjithçka.

E di që pas këtyre fjalëve acarimi i njohur kundër meje do të përtërihet. Është e kuptueshme. Armata e spiunëve ka gjetur qetësi. Ata jo vetëm nuk kërkohen e nuk zbulohen më, por janë kthyer në një mall tepër të çmuar. Gjejnë punë të mira, fitojnë dekorata, tituj dhe kryesorja, të strehuar shpesh në internet, me nofka, si dikur, kanë ndjesinë e kthimit të kohës së tyre.

Ish-Sigurimi i Shtetit, monstra më e madhe që ka pjellë deri më sot kombi shqiptar, i rrëzuar, siç është, ndien me siguri ngazëllim sa herë që njerëzit e tij ia dalin të ngjiten në sipërfaqe. Të vihen në qendër të vëmendjes, të bëhen të suksesshëm, të kafshojnë si dikur.

 

Në sqarimin tuaj, ju keni folur për thelbin e asaj që ndodhi në një mbledhje të shkrimtarëve në prill të vitit 1968. Sot, pas kaq kohësh, a do të shtonit ndonjë gjë? Diçka që do të hidhte dritë, për shembull, mbi ngjarjen. Që mund të shpjegonte sjelljen e njërit apo tjetrit.

Thelbi mbetet ai që kam thënë atëherë. Në qoftë se pas anketës që ju keni bërë dhe diçka është sqaruar më fort, ky sqarim s’ka bërë gjë tjetër veçse e ka rënduar edhe më tepër anën e shëmtuar të ngjarjes. Meqenëse jemi te thelbi, do të përpiqem ta jap sa më shkurt: në vitin 1968, në Shqipërinë e egër komuniste, një shkrimtar me emrin B. Xhaferri kritikon një tjetër shkrimtar, I.K. Janë pothuajse moshatarë, rreth 30 vjeç, me ndryshimin se I.K. është tepër i njohur, kurse B.Xhaferri pak, për shkak të botimeve më të pakta, e sidomos të biografisë së tij. Salla e Klubit të Shkrimtarëve, ku bëhet mbledhja, dëgjon e heshtur kritikën e Xhaferrit kundër I.K. Një shef i lartë komunist, që ndodhet në sallë, ia pret fjalën, për t’i kujtuar se ai është bir i një armiku të rendit. Pas kësaj, Xhaferri kalon ditë të vështira, derisa një ditë ia del të arratiset dhe përfundon në SHBA, ku jeton 18 vjet. Menjëherë pas rënies së komunizmit, befas, fillon legjenda e tij. E gjitha ngrihet mbi ngjarjen në Klubin e Shkrimtarëve më 1968-n, më saktë, mbi kritikën kundër I.K. Ajo kritikë lavdërohet, glorifikohet, siç e thoni ju në anketën tuaj, sikur të kishte qenë një çudi, një shpallje heroike për lirinë e të shkruarit etj. Në të vërtetë, siç e mbajnë mend pjesëmarrësit në sallë, dhe siç sqarohet dalëngadalë ajo kritikë, jo vetëm s’ka pasur asgjë për t’u çmuar, por, nga çdo anë që të merrej, ishte e pabesë dhe e shëmtuar moralisht. Ishte thjesht një akuzë kundër I.K.; nga ato që e çonin tjetrin në fatkeqësi, e ndoshta në burg. Për t’i rënë shkurt, shkrimtari I.K. akuzohej prej Xhaferrit se po sillte frymën e dekadentizmit në letërsinë e pastër shqipe!

 

Përpara se ta shtjellojmë më tej këtë, desha t’ju kujtoj se një kritikë të ngjashme keni pasur në parathënien e librit tuaj të parë në botën e jashtme. E kam fjalën për librin poetik “Lirika”, botuar rusisht në Moskë, më 1961. 

Megjithëse mund të duket si jo fort e sjellshme nga ana ime, dua t’ju them, zonjushë, se nuk ka asnjë ngjashmëri. Kam folur disa herë për këtë, por do të më lejoni ta përsëris. Libri im në rusisht i vitit 1961 ka vërtet një parathënie, ku shprehet njëfarë rezerve ndaj meje, si poet i ri me ndonjë prirje të modernizmit perëndimor, por në këtë rezervë nuk ka asnjë gjurmë dashakeqësie, qoftë nga ana e autorit të parathënies, David Samojllov, qoftë nga ana e shtetit sovjetik, me të cilin Shqipëria sapo ishte shkëputur, ndaj dhe ishte e natyrshme që mendja jonë shqiptare të kërkonte me ngulm dashakeqësinë.

Së pari, parathënien e shkroi përkthyesi, mentori dhe miku im besnik, Samojllov, poet i shquar sovjetik, por me krye të ulur tashmë, për shkak të “prirjeve dekadente” dhe sidomos të një historie intime me Svjetllana Stalinin, vajzën e tiranit sovjetik. Së dyti, vendimi për botimin e autorëve të huaj ndaj të cilëve kishte rezerva, ishte një hap liberal i Hrushovit. Ai vinte si kusht që botimet e huaja problematike duhej të shoqëroheshin me një parathënie “distancuese” (ne e botojmë këtë libër, por kemi rezervat tona për të). Për këta libra, midis studentëve të Institutit “Gorki” thuhej me humor se iu ngjanin tabelave përpara kopshteve, ku shkruhej: “Kujdes! Këtu ka qen të rrezikshëm!”. Pothuajse gjithë autorët me “parathënie distancuese” ishin perëndimorë dhe pikërisht, për shkak të parathënies zgjonin interes të dyfishtë te lexuesit. Habia ime dhe e Samojllovit ishte kur morëm vesh se gjatë kohës që libri po përgatitej, ai kaloi nga botimi normal, në botim “distancues”! (Ka gjasë që ftohja e Shqipërisë nga kampi socialist të ketë luajtur rol për këtë.) Samojllovi u dëshpërua shumë që do të duhej ta shkruante “distancuesen”, madje donte të më bindte ta tërhiqja librin, kurse unë, ca nga gjykimi i cekët i gjërave, ca nga snobizmi i moshës (isha i bindur se shumica e studentëve të “Gorkit” do ta ëndërronin këtë kapërcim), jo vetëm nuk u mërzita, por m’u duk tepër shik! Ishte herë e parë që nga një vend mik, anëtar i familjes, por që tani ishte bërë ish-mik, po botohej një libër me shenjën “kujdes, ka qen!”. Ishte, si të thuash, dallëndyshja e parë, nëse do të lejohej që zogu i këndshëm të përdorej si krahasim për diçka të tillë. Më mirë do t’i shkonte “korbi i parë”. Siç e shihni, historia e botimit moskovit s’kishte asgjë të përbashkët me ngjarjen e shëmtuar të vitit 1968 në Tiranë.

 

Ju kërkoj falje që po këmbëngul në punën e parathënieve, por mendoj se lexuesit do të ishin tepër të interesuar të dinin diçka më shumë për mosmarrëveshjet tuaja me Arshi Pipën. Me sa di unë, edhe ato e kanë pasur origjinën e tyre te një parathënie e tij për ju.

Është e saktë. Bëhet fjalë për botimin e romanit tim “Kronikë në gur” në Londër, në kohën e komunizmit. Arshi Pipa

jo vetëm e përktheu romanin, por shkroi një parathënie tepër tronditëse për lexuesin anglez. Së pari, dua të them se ndërlikimi midis meje dhe Arshi Pipës, pavarësisht surprizave jo të këndshme, është një ngjarje e nivelit të lartë, që gjithashtu s’ka asgjë të përbashkët me ngatërresën e pistë, do të thosha, gjysmë qesharake me Xhaferrin. Kjo e fundit, jo vetëm për nivelin e ulët dhe për kotninë e saj, por për shkak të gjithë atyre që janë marrë e vazhdojnë të merren me të, mund të quhet një “histori çapaçulësh”. Tjetër rang ka keqkuptimi me Arshi Pipën. Ai është vërtet i hidhur, por kjo s’e pengon të jetë dramatik, në kuptimin e plotë të fjalës, me domethënie të gjerë dhe, pse jo, me një epilog të bukur, siç do ta shpjegoj. Gjatë shumë viteve, Arshi Pipa, në shkrimet e tij, ka bërë vlerësimet më të larta për shkrimtarin shqiptar, bashkëkombës të vet. Kemi pasur fate të ndryshme në jetë dhe në letërsi, por kjo nuk ka penguar që të krijohej, siç krijohet në raste të tilla, një fije lidhëse midis fateve që ngjajnë të kundërt. Ndaj tij do të përsëritja edhe një herë atë që kam shkruar për Martin Camajn: “Ai kishte lirinë, por s’kishte atdhe. Unë kisha atdhe, por s’kisha liri”.

Arshi Pipën jo vetëm s’e ka bezdisur kurrë njohja e kolegut I.K. nëpër botë, por ka bërë çmos që ai të kuptohet, të çmohet e të shpërndahet sa më shumë kudo. Për këtë, ai shkroi vlerësimet më të mëdha në shtypin botëror, sidomos atë anglosakson. E cilësoi kolegun e vet shqiptar “shkrimtar heretik”, që, sipas tij, ishte shkalla më e lartë e vlerësimit, madje më e lartë se ajo e shkrimtarit “disident”, ngaqë, gjithmonë sipas tij, ndërsa disidenti e lufton me ndërgjegje totalitarizmin, heretiku e lufton atë në mënyrë gati gjenetike, pra edhe atëherë kur kujton se nuk po ndeshet me të. Që kolegu i vet të kishte sa më shumë sukses në botën e lirë perëndimore, Arshi Pipa, shpesh e ka zmadhuar guximin letrar të 92 93 I.K. Kjo ka ndodhur me parathënien e romanit “Kronikë në gur” në anglisht, parathënie që duket sikur ishte në zanafillë të incidentit fatkeq. Atje, autori i “Kronikës” del një denoncues i pamëshirshëm i terrorit komunist dhe sidomos i shefit të komunistëve shqiptarë, E.Hoxhës, gjë që nuk i përgjigjej së vërtetës. (Tani do të më pëlqente të ishte ashtu, por dihej se, edhe po të doja, kjo ishte e pamundur.) Botuesi anglez e refuzoi parathënien, për të mos e rrezikuar autorin që jetonte ende nën diktaturë. Kontrata u prish. “Kronikë në gur” u botua pa emrin e përkthyesit.

Një pjesë nga këto i dija. Një pjesë e merrja vesh nga botuesi im francez, i cili, merrej me mend, kishte lidhje me anglezin. Ishin lajme të këndshme dhe po aq të rrezikshme, por unë vetë s’mund të bëja asgjë, veç t’i lutesha fatit që të mos shkonin në vesh të diktatorit.

 

Për t’u kthyer te konflikti me Arshi Pipën. Siç e kuptova unë, deri në vitin 1990, kur komunizmi po lëkundej në Shqipëri, ju s’kishit asnjë problem me të.

Është krejt e vërtetë. Jo vetëm nuk kisha asnjë problem me të, por në kohën kur lindën shpresat për t’u takuar me shkrimtarët e shquar shqiptarë të diasporës, njeriu i parë që ëndërroja të takoja ishte pikërisht Arshi Pipa. Aq më tepër që ishin miq me Martin Camajn, të cilin e kisha takuar në Frankfurt më 1981. Pavarësisht nga mosmarrëveshja e Arshi Pipës me botuesin anglez, përkthimi anglisht i “Kronikës” ishte i tij, dhe parathënia dhe shkrimet e tjera të tij mbeteshin si një akt nderimi e dashurie për kolegun e vet brenda Shqipërisë.

Pikërisht në këtë kohë, fillim i viteve ’90, ndodhi një nga befasimet më të mëdha të jetës sime. Në dy-tri emisione të “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe, Arshi Pipa foli ndër të tjera edhe për shkrimtarin I.K., duke theksuar se ai s’ka asnjë të drejtë morale të flasë për demokratizimin e vendit, përderisa ka qenë një nga mbështetësit e diktaturës. Shprehja “nuk iu besoja veshëve” s’besoj se kishte qenë ndonjëherë më e përshtatshme për të dhënë gjendjen time. Unë të mos kisha të drejtë të flisja për demokracinë? Unë që njëzet vite më parë, sipas tij, s’kisha lënë gjë pa thënë kundër terrorit komunist, që, prapë sipas tij, paskësha bërë aludime për shefin e Shqipërisë, si vrasës e homoseksual? Që vetë botuesit anglez në Londër i qenë dukur akuza të tepruara, që vetë botuesi francez në Paris kishte vënë duart në kokë, duke më pyetur se si ishte e mundur që këto hatara të qenë shkruar në shqip, se në frëngjisht ai s’i kishte parë, dhe që unë i kisha thënë se s’kishin qenë kurrë as në shqip, as në frëngjisht dhe në asnjë gjuhë tjetër. Pas shfryrjeve të para kundër Pipës, zemërimi sa vinte më rritej dhe, bashkë me të, një mendim i mbrapshtë, dyshues po më ngulitej në kokë: E gjitha kjo ishte bërë me qëllim! Ndryshe s’ka si të shpjegohej. Me qëllim ishte shkruar parathënia anglisht, për të më dëmtuar, për të shkaktuar dënimin tim. E shava veten, e quajta naiv, budalla, që s’e kisha kuptuar qysh në fillim. Dëshira për t’iu përgjigjur s’më ndahej. Në duar kisha bocat (fletëkorrigjimet) e “Ftesë në studio” dhe gjeta një vend në tekst, ku mund t’i thyeja hundët, siç thuhej. Mirëpo kjo ishte një fjalë goje! Ishte ende regjimi komunist. Kurrsesi s’mund të shkruaje se X.Y. më denoncoi te regjimi, që ky të më dënonte. Në vend të kësaj, shkrova ca të shara, shumica të padenja për tekstet letrare, për të mos thënë, të çmendura. Midis tyre, fraza e vetme me njëfarë logjike ishte ajo ku thuhej se parathënia e A.P. kundër meje “ishte një kallëzim në polici”.

 

A jeni penduar për këtë tekst? Nga fjalët tuaja kështu nënkuptohet.

Sigurisht që jam penduar. Kisha të drejtë të zemërohesha, madje ende sot mendoj se kisha të drejtë plotësisht, por kurrsesi nuk duhej ta teproja. Sidomos nuk duhej të bija te dyshimi i mbrapshtë se gjithçka ishte bërë me qëllim. Por kjo duhet kuptuar: në atë kohë ishte shumë lehtë të të kapte dyshimi, madje vetë marrëzia. Shenjën e parë të pendimit e kuptova kur po kaloja në duar përkthimin frëngjisht të “Ftesë në studio”. Te paragrafi i A.Pipës më mbetën sytë një copë herë. Unë i paskësha shkruar këto rreshta? I fshiva gjysmat e tyre pa më të voglën mëdyshje, megjithatë edhe gjysma e mbetur do të mjaftonte t’ia prishte gjakun personazhit.

 

Në “Ftesë në studio”, në pjesën ku flisni për Arshi Pipën, keni përmendur dy shkrimtarë të tjerë, me iniciale: K. Trebeshinën dhe atë që është bërë shkak i kësaj bisede, B. Xhaferrin. Nuk jeni aspak i butë me ta. 

Keni të drejtë të thoni se s’jam i butë me asnjërin prej tyre. Por s’keni të drejtë të mendoni se unë po përpiqem të dukem i tillë. S’po i bëj asnjë himn butësisë, madje më duket se kam shfaqur mendimin se shkrimtarët, si askush tjetër, mund të jenë të padrejtë, për të mos thënë mizorë. Kjo është e natyrshme përderisa ata bëjnë pjesë në llojin e sunduesve dhe, si të tillë, do të vuajnë nga po ata që cilësohen si “cen (deformim) i profesionit”. Nga dy njerëzit e tjerë të përmendur prej jush, për njërin, Xhaferrin, do të kemi rast të vazhdojmë bisedën, kurse për tjetrin, nuk jam unë që e kam akuzuar si ish-oficer i Sigurimit, e aq më pak si vrasës i llojit më të shëmtuar të vrasësve, pabesisht, me plumb pas koke. Kjo është një e vërtetë publike e pakundërshtueshme prej askujt, as prej atij vetë. Në asnjë letërsi të botës së qytetëruar nuk ka të tillë. Në qoftë se Shqipëria do të ngulë këmbë që të mbrojë autorë të tillë, kjo s’është më çështje letërsie. Është më shumë. Dhe më tmerr.

 

Përpara pyetjes që lidhet me atë që e përcaktuat si epilog dinjitoz me Arshi Pipën, a mund të thoni diçka për anën e paqartë të asaj që ndodhi midis jush? Ju thatë se nuk iu besuat veshëve kur dëgjuat sulmin e tij. A e sqaruat më vonë se si shpjegohej ajo enigmë?

Pjesërisht po. Asnjëherë plotësisht. Në fund të vitit 1989 e në fillim të vitit 1990, regjimi, ndonëse hiqej si i fortë, ishte në panik. Logjika e panikut shtynte në veprime të ngutshme, shpesh kundërthënëse. Dërgimi i emisarëve në diasporën shqiptare ishte një prej tyre. Qëllimi: përçarja e intelektualëve të njohur, sidomos moslejimi i krijimit të një fryme bashkuese midis atyre që ndodheshin jashtë dhe të tjerëve, brenda vendit. Në vend të saj, synohej mbjellja e mosbesimit, grindjes. Për këtë komunistët ishin mjeshtër. Të dërguarit e R.Alisë e të Sigurimit ia behën befas në Perëndim, te shtëpia e Martin Camajt, e Arshi Pipës, e dhjetëra të tjerëve, për t’iu mbushur mendjen se fajet që gjërat shkonin keq në Shqipëri, e sidomos për mospranimin e liberalizmit e të pluralizmit, i kishin intelektualët.

Për ta bërë sa më të njohur këtë ide, në gusht u zhvillua mbledhja e famshme me intelektualët e kryeqytetit. Besoj se në krejt historinë e komunizmit botëror, është mbledhja e vetme, pas përfundimit të së cilës u trumbetua se: Shqipëria komuniste, partia, donin ta liberalizonin regjimin, por ç’e do, pengonin intelektualët, në radhë të parë shkrimtarët. Mashtrim më grotesk vështirë se mund të përfytyrohej. Regjimi më stalinist i Europës, vendi ku pak kohë më parë ishin pushkatuar dy poetë, Blloshmi e Leka, dhe ku një poet i tretë, Nelaj, ishte varur mu në mes të qytetit, ankohej se ishin shkrimtarët që nuk e linin të zbutej! Një propagandë e ethshme po i bëhej kësaj mbledhjeje.

Agjentët e Sigurimit e të Alisë përsëritnin ditë e natë se “liberali” Ramiz Alia, për të luftuar konservatorët në Komitetin Qendror kërkoi ndihmën e intelektualëve, kryesisht të shkrimtarëve, por ata e lanë në baltë! Është e pabesueshme që ende sot besnikët e Ramiz Alisë, profesorë, akademikë, ish-spiunë ose bij spiunësh vazhdojnë të shpërndajnë këtë mashtrim. Ende sot kurtizanët e Alisë nuk tregojnë se tekstit të transkriptuar i është bërë një prerje, për shkak të së cilës, një pjesë e dialogut për pluralizmin tingëllon pa logjikë, si në teatrin absurd. Pjesa e prerë ende fshihet, sepse tregon qartë se në fjalën e Alisë, jo vetëm s’kishte dhe as mund të kishte, kurrfarë inkurajimi për pluralizmin, por përkundrazi kishte kërcënimin e hapur se Partia kishte të dhëna se borgjezia botërore nëpërmjet çështjes së pluralizmit përpiqej të nxiste agjentët e saj në Shqipëri. Ndërkaq, një tjetër mashtrim u përhap: trillimi se shkrimtari I. Kadare në mitingun e madh të Tiranës, ka mallkuar e sharë në mënyrën më vulgare njerëzit, më saktë, heronjtë që ishin në gojë të të gjithëve: refugjatët shqiptarë. Ishte shpifja më e suksesshme e Sigurimit Shqiptar. E dëgjuan dhe u ndien të tradhtuar jo vetëm mijëra refugjatët, por gjithë familjet e farefisnitë e tyre, që përbënin, pa teprim, gjysmën e Shqipërisë. Aq në mënyrë djallëzore u mbajt gjallë shpifja, saqë lajmet televizive (madje edhe sot e kësaj dite) nuk e tregonin asnjëherë nga afër tribunën e mitingut të kryeqytetit, në mënyrë që telespektatorët të mos shikonin se shkrimtari i përfolur, jo vetëm nuk kishte folur në atë miting, por nuk kishte qenë fare. Rrallëherë ndonjë shpifje më ka trishtuar aq shumë. Në sheshin e mitingut ishin mbi njëqind mijë kryeqytetas dhe nuk më kujtohet që ndonjëri të ngrihej më pas për të hedhur poshtë mashtrimin. Pas kaq vitesh shpifja vazhdon ende sot, çka tregon se sa thellë kishte hedhur rrënjë e keqja, sidomos midis vulgut shqiptar, atij që realizmi socialist e përkëdhelte me stilemën “masat e gjera të popullit”.

 

Tani besoj se do t’u kthehemi edhe një herë, për t’i mbyllur, siç më premtuat, dy historive të fillimit të bisedës sonë, asaj të A. Pipës dhe B. Xhaferrit.

Janë dy dosje që s’kanë të bëjnë fare me njëra-tjetrën.

Njëra prej tyre, ajo e B. Xhaferrit, si një sajesë e pistë, siç u tha, nuk mund të bëjë pjesë në kronikën e asnjë kulture dhe që të jem i sinqertë, s’kam ndonjë dëshirë ta kujtoj. Ndërkaq, ndërlikimi me Arshi Pipën, duke qenë i një natyre krejtësisht tjetër, e ka në vetvete edhe peshën dhe dinjitetin e atyre incidenteve që, edhe pse të rënda, janë pjesë e natyrshme e kalendarit të letërsisë. Epilogu i saj e jep fare qartë çka thashë më lart. Arshi Pipa, ashtu siç pritej, erdhi në Shqipëri fill pas rënies së komunizmit. Ishte e kuptueshme që kthimi në atdhe i njërit prej antikomunistëve më të shquar, përveç kërshërisë, do të zgjonte ndjesi të ndryshme, acarim te disa, ngazëllim te të tjerët. Bota letrare kishte një arsye më shumë për të gjitha këto. Me përjashtim të një ndjese fare të tërthortë nga ana ime (thjeshtimi i fyerjeve kundër tij në botimin frëngjisht të “Ftesë në studio”), keqkuptimi midis nesh, i shpallur, për fat të keq, publikisht, gjendej në një pikë të vdekur. Arshi Pipa u prit me nderime në Shqipëri. Në disa nga takimet e tij me publikun u këndua himni kombëtar. Gazetat i kërkonin me etje intervistat e tij. Bota letrare nga ana e saj, kishte padurim për mendimet e tij për artin, e sidomos për incidentin midis nesh. Detraktorët e mi fërkonin duart. Ishte koha e përshtatshme që ai, “I kthyeri”, sipas dokeve të letërsisë (këngët e mungesës e të kthimit), të merrte hakun. Nuk ndodhesha në Shqipëri, çka, ndoshta, e bënte më të volitshme gjithçka.

Por “të kthyerit” qëllon që shkaktojnë zhgënjim te pritësit.

Arshi Pipa, përveç ndjesive të tjera, i zhgënjeu rëndshëm etrarët dektraktorë. Haptas dha të kuptohej se nuk kishte asnjë dëshirë të fliste për incidentin e njohur. Herën e fundit, përpara një publiku të gjerë, kur iu bë pyetja e drejtpërdrejtë, u shpreh pak a shumë se midis nesh kishte ndodhur diçka vetjake dhe se ai nuk do të donte ta përmendte atë. Ende sot nuk e di ç’ka ndodhur. Të jem i sinqertë e kam ndjekur që nga Parisi udhëtimin e tij dhe, e vetmja gjë që m’u duk se arrita të kap, ishte një tis pikëllimi i njeriut. Kjo fjalë përdoret shpesh, por ka raste kur merr ngjyrim të veçantë. Nga pikëllimi i Arshi Pipës m’u krijua bindja se kuptova diçka më shumë se të tjerët. Me botimin e veprës sime të plotë në Shqipëri dhe në Francë, kur erdhi puna se cili studim do të shoqëronte si parathënie “Kronikë në gur”, pa asnjë mëdyshje u kërkova botuesve, shqiptarit dhe francezit, parathënien e dikurshme të Arshi Pipës. Kërkesën ia bëra gjithashtu botuesit anglez, i cili vazhdonte ta botonte “Kronikë në gur” me përkthimin e A. Pipës, por pa parathënien, madje pa emrin e përkthyesit. Kështu, me shumë vonesë, teksti i tij u bashkua, më në fund, me parathënien, asaj që kishte qenë në zanafillë të së keqes. Ky bashkim ngjante vërtet si një zgjidhje simbolike e asaj ndarjeje, e atij keqkuptimi mizor, që kishte bërë atë që do të dukej e pamundur: acarimin e studiuesit të shquar kundër kolegut të vet të letrave, atij që e kishte përkthyer me aq dashuri, e prej të cilit ishte shkëputur aq pikëllueshëm. Kjo rivendosje e harmonisë ishte njëherësh ngadhënjim i saj mbi përçarjen, të fshehtën e së cilës ai e mori me vete atje ku shkoi. Ne nuk e dimë atë, ashtu sikurse ai s’do ta marrë vesh kurrë epilogun pajtues. Ndërkaq, jam i sigurt se, sikur ta merrte vesh, atje ku ndodhet, siç thuhet, shpirti i tij do të gjente edhe më shumë paqe.

 

Duam s’duam do të kthehem te fillimi i kësaj ankete. Ju disa herë keni dhënë të kuptohet se s’keni dashur të flisni për incidentin e dikurshëm, ngaqë iu duket në një “nivel të mjerueshëm”. Është fjala për të sqaruar një problem parimor, që ka lidhje me letërsinë shqipe prandaj do t’ju lutesha për disa sqarime. Kam takuar shumicën e dëshmitarëve të ngjarjes, një pjesë miq të B. Xhaferrit, madje farefisni të tij. Të tjerë që kanë folur me të përpara mbledhjes, por sidomos pas saj. Pothuajse asnjeri nuk ju bën ju fajtor për asgjë. Madje, shumica theksojnë që ju ishit një prej atyre që e keni ndihmuar. Madje, edhe në mbledhje nuk thatë asnjë fjalë kundër tij, përkundrazi.

Ju kujtoni se unë ndiej ndonjë kënaqësi të dëgjoj pohime të tilla? Po jua them prerazi: më interesojnë fare pak. E para se s’kam nevojë për këtë lloj zemërgjerësie. E dyta se s’kam ndonjë dëshirë të dukem aq i virtytshëm si në telenovelat braziliane, e as sentimental si në kafenetë e Tiranës, ku gjysmëpijanecët, pasi janë grindur me njëri-tjetrin, përfundojnë gjysmë të përqafuar. Në atë sallë ka ndodhur diçka shumë më e rëndë nga ajo që është dukur ose është rrëfyer. Në qoftë se zonjat dhe zotërinjtë dëshmues ju kanë thënë ose kujtojnë se ju kanë thënë të vërtetën, atë e kanë bërë në radhë të parë për ndërgjegjen e tyre. Megjithatë, unë mendoj se e vërteta që ata kanë treguar nuk është e plotë. Më mirë se unë këtë mund ta dini ju. Më keni bërë kaq shumë pyetje, më lejoni dhe mua t’ju bëj një pyetje të vetme: pasi ju kanë pohuar indulgjencën ndaj meje, cili ka qenë përfundimi i bisedës së këtyre dëshmuesve? Është shumë e rëndësishme një gjë e tillë, ndaj, ju lutem, mundohuni të ma thoni sa më saktë.

 

Do t’jua them fare saktë. Pavarësisht nga ato që kishin ndodhur, admirimi i tyre për B. Xhaferrin mbetej i paprekur. Për mendimin e tyre, ai ishte një talent i madh, i jashtëzakonshëm etj., por që iu pre rruga e u dënua ngaqë guxoi të kritikonte I. Kadarenë.

Ju faleminderit. Siç mund ta shihni, ata nuk kanë kapur dot as pamjen e plotë e as thelbin e asaj që ka ndodhur. Nuk është fjala aspak tek admirimi që ata ruajnë për shkrimtarin. Kjo është e njohur dhe kjo është e drejta e tyre. Është fjala për tjetër gjë.

Në sallën e Klubit të Shkrimtarëve në prill të vitit 1968 ka ndodhur një akt i rëndë, nga ata që kërkojnë gjykim të saktë. Është lehtë të thuash: u përleshën dy kolosë (reminishenca e dy luanëve apo dy fustaneve etj.) e të vazhdosh se asnjëri s’e mposhti dot tjetrin, e të ngazëllehesh nga kjo, e fill pas saj t’i bësh lavde harmonisë që duhet të mbretërojë midis gjenive, për të mirën e kombit autokton etj. Në atë sallë nuk ndodhi asgjë e tillë. As përplasje idesh, e aq më pak kolosësh. E vërteta ka qenë fare ndryshe dhe e vërteta në kësi rastesh nuk duron dot as më të voglin cen. E vërteta është se në atë sallë nuk ndodhi gjë tjetër veçse një goditje politike. Dhe në raste goditjesh të tilla nuk ka vend për naivitet e as barazim faji. Ka dy kolegë përballë (ndryshe nga ç’mund të përfytyrohet, Xhaferri ka qenë më i madh në moshë), njëri prej të cilëve kërkon të rrëzojë tjetrin politikisht. Goditja e tij ishte e pamoralshme dhe e pabesë, tipike në atë kohë, nga ato që të çonin drejt rënies e ndoshta drejt burgut. Shkurt, njëri nga kolegët, e fajësoi tjetrin për “dekadentizëm” dhe “nxirje të realitetit”. Kolegu (përndryshe kolosi tjetër) nuk u përgjigj. Ky ishte thelbi i ngjarjes. Të tjerat: ndërhyrja e zyrtarit komunist, për t’i thënë se nuk do të na mësosh ti, bir i një hoxhe të dënuar, si të mbrojmë realizmin socialist nga dekadentizmi, është rrjedhojë e absurdit të mëparshëm. Dalja kokulur nga salla gjithashtu, e më pas mënjanimi, kapërcimi i kufirit, përfundimi në SHBA, ku jetoi i lirë rreth 18 vjet, pa dëshmuar pothuajse asgjë serioze për ferrin nga shpëtoi, e kanë rrënjën tek ai akt fillestar.

Nuk dua të merrem me to, aq më pak me pikëpyetjet që shtrohen aty-këtu në anketën tuaj, si e ndiqte, për shembull, Sigurimi, mu në mes të SHBA-së! etj., etj., ngaqë të tilla, ashtu si gjithë kjo histori, më ngjan, siç e thashë, krejtësisht e padenjë për kalendarin letrar.

 

Megjithatë s’mund të thoni se ajo s’ka asnjë rëndësi si fenomen.

Ju vetë keni folur shpesh për absurditetet dhe marrëzitë e kohës, prandaj do t’ju lutesha, në këtë rast, që, për ndriçimin e disa pikave të kësaj ankete, të jepni dëshminë tuaj. Do të shtoja në emër të lexuesit të brezit tim, që është njohur me këtë histori, por në mënyrë të pasaktë. Ju keni qenë në “atë sallë”, siç e quajtët, ku nisi gjithçka.

Është e vërtetë. Kam parë gjithçka dhe kam dëgjuar gjithçka. E di që do të pyesni se si e prita akuzën e tij. Po ju përgjigjem shkurt: me përçmim. S’ishte vetëm çështje mosmirënjohjeje, bënte pjesë në palcën e së keqes së një tiranie. Siç e thashë më lart, ju patët kujdesin që disa herë të theksoni “dashamirësinë” e dëshmuesve ndaj meje. Madje ndonjë prej tyre, duke dashur të më bëjë akoma më të mirë, shtoi se unë gati-gati kam qenë mirëkuptues ndaj tij etj. Për t’ju çliruar të gjithëve nga ky kujdes, po ju them se kjo s’ishte fare e vërtetë. Qysh në çastin që ai foli për “dekadentizmin” tim, për asnjë grimcë kohe nuk kam pasur as më të voglin mendim pozitiv për të. E kam dëgjuar krejtësisht i befasuar, kam thënë me vete ç’mosmirënjohës! Mund të gjente një tjetër mënyrë për të ndrequr biografi në etj. Pastaj s’kam folur asnjë fjalë, qoftë në mbledhje, qoftë pas saj. Me kalimin e viteve, kjo histori u harrua. Në rrethe fare të ngushta mbahej mend ky shkrimtar, dikur i talentuar, por që s’i eci në asgjë. Shfaqej aty-këtu habia se, duke ikur nga robëria më e thellë në më të lirin vend të botës, nuk u ndie e nuk u botua asgjë e tij askund. Perëndimi e sidomos SHBA, që ishin tepër të ndjeshëm për shkrimtarët e arratisur, në këtë rast u treguan krejtësisht të shurdhër. Diaspora shqiptare gjithashtu, sidomos pas një paralajmërimi të keq kundër tij nga kryetari i Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji. Një interes për të nisi të ringjallet pas vdekjes së tij të vetmuar. Kishte rënë komunizmi dhe kureshtja ishte në krye në trajtë keqardhjeje, forma më e shpeshtë te shqiptarët që kujtohen për tjetrin kur e shohin në fatkeqësi. Interesi përkoi me fillimin e fushatës kundër intelektualëve më 1990. Qarkullonin disa shkrime të tij për Çamërinë, por sidomos një vjershë kundër shkrimtarit I. Kadare dhe një shënim i tij për incidentin e harruar tashmë te Klubi i Shkrimtarëve.

 

Sipas jush, a ishin këto zbulime që luajtën rol për ta ngritur atë në statusin e një disidenti? Juve vetë, çfarë përshtypjeje ju bënë ato?

Ndonëse një gjë e tillë nuk thuhet, mendoj se “zbulimet”, në radhë të parë vjersha dhe shënimi nën të, kinse të shkruara natën “pas përplasjes”, kanë luajtur rolin kryesor në krijimin e përrallës me kolosë. Vjersha ishte thjesht një pamflet vulgar, ku përmblidheshin shpifje dhe akuza të njohura: ndihmës i diktatorit, i përkëdheluri i regjimit e i fatit, bredhës pas fustanesh vajzash ruse e kështu me radhë. Kurse shënimi “Të kritikoje I. K. ishte njëlloj si të kritikoje Enver Hoxhën”, ishte edhe më i mjerë. Besoj se e kuptoni që pas kësaj, përçmimi im për të do të ishte shumë më i madh. Por që të jem i sinqertë, nuk e kam besuar dhe ende dua të mos e besoj se ka shkuar aq larg. Një bindje e brendshme më thoshte se vjershën bashkë me shënimin i ka shkruar një tjetër dorë. Kjo është e vërtetueshme, besoj, dhe po të vërtetohet do të tregojë shumë gjëra. Ajo lidhet me thelbin e problemit: rigjallërimi i çështjes Xhaferri, shkaqet e vërteta, kush qëndron pas saj, kush ka qenë në zanafillë dhe kush e ka trashëguar atë. Dosja Xhaferri ka qenë pjesë e puzzle-s, asaj që dëshmon vazhdimin e frymës staliniste në Shqipëri. Në qoftë se ju do ta çoni deri në fund anketën tuaj, jam i sigurt se do të ndesheni me befasime të tjera.

 

Ka qenë jo e lehtë gjer tani dhe sa vete bëhet më e vështirë. Arkivat e fshehtë janë të mbyllur. Kam bërë përpjekje, por ka qenë e pamundur qasja te dokumentet.

Sigurisht. Ka një paradoks, një kthim kokëposhtë të gjërave. Sa herë që e mendon, aq më i pabesueshëm ngjan. Jemi në botën e absurdit komunist, jemi mësuar me të, e megjithatë ende arrijmë të habitemi. Ngjan pak a shumë si përpjekja për të përligjur parullën: bar do të hamë, por marksizëm-leninizmin do ta mbrojmë. Pyetja se a mund të mbrohej ky marksizëm pa ngrënë bar, nuk bëhej kurrë. Pyetjet e tjera: përse Shqipërisë i ka rënë në pjesë ky detyrim planetar me një ngjyrim bagëtish? Ose, po sikur Shqipëria të heqë dorë nga kjo barrë apo ky testament, ç’ndodh vallë? Pra, pyetje s’bëheshin. Më saktë, edhe në bëheshin do të kishin si përgjigje një breshëri plumbash. Të kthehemi te rasti ynë. Jemi prapë te salla e shkrimtarëve. Në vitin 1968. Në muajin prill. Pra, stalinizëm pranveror. Diskutim midis shkrimtarësh. Njëri e fajëson tjetrin për dekadentizëm. Fajësimi më zyrtar, më komunist i kohës. Tjetri nuk përgjigjet. Incidenti zgjat më pak se dhjetë minuta. Fajësuesi pret ndoshta dafinat, por ato i mohohen. Shkaku: një letrar me biografi të keqe, bir i një hoxhe të dënuar, nuk e ka tagrin të mbrojë realizmin socialist. Ky është thelbi. Çështja mbyllet. Pas njëzetepesë vitesh, befas ringjallet. Komunizmi ka rënë, gjithçka po rivlerësohet. Ngjarja te Klubi i Shkrimtarëve, gjithashtu. Madje me shumë mallëngjim. Dafinat që iu mohuan fajësuesit, i jepen tani të shumëfishuara. Cilësohet kolos, gati-gati hero i mendimit. Jo për veprën, në radhë të parë, për ngjarjen te Klubi i Shkrimtarëve. Atje ku e fajësoi kolegun e vet për dekadentizëm. Me një fjalë, disa minuta sharje kundër kolegut, i vlejnë më shumë se 30 vjet krijimtari. Zëra të hutuar u ngritën andej-këndej: Prisni! Akuza për dekadentizëm nuk nderon askënd. Madje, turpëron gjithkënd. Përgjigjja: S’ka rëndësi natyra e akuzës. Ka rëndësi që u godit “tjetri”. “Tjetri”, siç e dini tashmë, zonjushë e dashur, jam unë. Kaq e domosdoshme ka qenë goditja e “tjetrit”, kaq çliruese, shpëtuese, emancipuese? Vërtet I. K. paskësh qenë fatkeqësia e letërsisë shqipe? Prishësi, bllokuesi i saj? Këto pyetje janë bërë me siguri, por kori i kundërt ka qenë shurdhues. Thuhej se të godisje I. Kadarenë ishte aq e pamundur sa të godisje Enver Hoxhën. Në qoftë se këto fjalë janë shkruar vërtet prej tij, siç ngulet këmbë e që unë s’e kam besuar, ky njeri, përveçse mashtrues, ka vuajtur nga deliri i madhështisë. Një hero, që atje te Klubi i Shkrimtarëve (te rrapi në Mashkullorë), paska goditur diktatorin!

 

Edhe një pyetje që shpresoj të më çojë në përfundimin e kësaj bisede. Ju thatë se nuk e keni besuar, ose s’donit ta besonit se vjersha dhe shënimi për krahasimin tuaj me Enver Hoxhën kanë qenë të tij. Në përgjithësi, shkaktar për këtë zhurmë mendoni se janë të tjerët dhe jo ai vetë?

Shpesh kam menduar kështu. Dhe vazhdoj të mendoj. Duhet ta dini se kur ka një përplasje shkrimtar-palë tjetër, vetvetiu, qoftë dhe pak me anësi, unë mbaj anën e shkrimtarit. Është lloji im, është klani im familjar. Edhe në këtë rast dua të mendoj se problem, përpara se të ishte ai vetë, kanë qenë sajuesit e kësaj zhurme të marrë. U fol për forume, përkujtime, komisione e dekorata. S’ka asgjë të keqe në të gjitha këto. Aq më tepër për një shkrimtar me një jetë përgjithësisht të trishtuar e që s’është më në këtë botë. Midis lavdeve, qoftë edhe të tepruara, dhe heshtjes, është kjo e dyta që meriton dënimin më të madh. Në fund të fundit, lavdet për çdo shkrimtar i shkojnë tempullit të përbashkët të letërsisë. Pyetja në këtë rast do të ishte: a i shkojnë vërtet letërsisë apo ndërrojnë rrugë, si ajo rrëkeja, që i shmanget udhës së natyrshme? Le të mos bëjmë sikur nuk kuptojmë dhe le të pohojmë se në rastin që po flasim ka një mjegull që kërkon sqarim. Le të pranojmë që gjithë legjendat për këtë shkrimtar, para se të jetë lidhur me tridhjetë vitet e jetës së tij letrare, lidhet në radhë të parë me ato tetë a nëntë minutat te Klubi i Shkrimtarëve. Ashtu sikurse emri i një personazhi shoqërohet shpesh me përcaktimin: doktor i shkencave, ose laureat i X titulli, emri i Xhaferrit ka si përcaktim “shkrimtari që u dënua se kritikoi Kadarenë”. Madje, për të theksuar dramaticitetin, nisi të flitej për vrasje, kështu që titulli mund të bëhej më i zymtë. “Shkrimtari që u vra, mu në mes të Amerikës, ngaqë kritikoi Kadarenë!”. Në qoftë se ju keni rezerva për këtë, është e kotë që të vazhdojmë bisedën.

 

Më duket se unë vetë e kam shtruar një çështje të tillë qysh në fillim të kësaj ankete.

Është e vërtetë. Atëherë po vazhdoj. Besoj e keni dëgjuar një shprehje të famshme: in hoc signo vinces. (Nën këtë shenjë do të fitosh.) Për fat të keq, signo (shenja) ishte e gabuar. Në këto raste, për çdo shkrimtar që i ndodh një gjë e tillë, mund të thuhet kahu tjetër: nën këtë shenjë do të humbësh. Kam ndjekur me habi gjithë përndezjen që sa vinte shtohej. Kam kujtuar se logjika, më në fund, do të fitojë mbi marrëzinë dhe gjithçka do të sqarohet, do të vihet në vend. (Për të bërë pak humor, të dy kolosët të pushojnë, më në fund!) Por s’ndodhi ashtu. Katedrat e letërsisë, akademikët, komisionet, hulumtuesit vazhduan, herë me dashje e më shumë pa dashje, rendjen absurde pas “njeriut që kishte guxuar të godiste të pagoditshmin”.

Natyrisht që kam bërë pyetjen se kujt i hynte në punë kjo. Ose, a janë në vete këto katedra që s’kuptojnë një gjë kaq të thjeshtë. Këta profesorë e këto profesoresha, këta akademikë e këta ministra, e pas tyre këta kryeministra e së fundi këta presidentë, që e lënë veten të tërhiqen në këtë lojë? Ishte më keq se kaq. Ishte njëfarë biznesi fitimprurës, me një reklamë apo mesazh të keq: goditeni shkrimtarin e pagoditshëm se s’do të mbeteni pa shpërblim. Tani dhe më pas!

16 Comments
  1. Damiano Damiani says

    Shyqyr qe paske shpetuar o Ismail, i rrethuar gjithandej nga armiq, nga Sigurimi i Shtetit e kush e din nga kush tjeter, dhe, megjithate ia ke dale te jesh shendosh e mire. Me vjen mire qe edhe popullin e thjeshte e quan ” vulgu “. Por, mos harro se edhe vulgu do ta ktheje reston, per te mos thene se tashme ta ka kthyer. Nga nje shkrimtar qe admirohej nga, te pakten 60% e njerezve, sot as 20 % e shqiptareve nuk e dine kush eshte Ismail Kadare.

    1. Leke Lleshi says

      GEZIM DHE DAMIANO,KUR FLISNI PER ISMAIL KADAREN OSE ME SAKTE KUNDER TIJ DO TE THOTE SE EDHE 8-VJECAREN NUK E MERITONI TA KENI MBARUAR.PO PERSE E GODITI NE FUND TE FUNDIT AI XHAFERRI KADARENE,SE PO MBANE ANEN PERENDIMORE NE SHKRIMET E TIJA….,APO JO !!!???????ATEHERE KUSH ESHTE KOMUNISTI KETU?TURP PER ATA QE FLASIN KUNDER KETIJ MENDIMTARI TE PALODHUR TE KOMBIT SHQIPTARE DHE KOLLOZ I LETERSISE BOTERORE DHE KLASIK I TE ARDHMES BOTERORE.

      1. Gezim says

        Kritika e Bilal Xhaferit kunder Kadarese nuk kishte
        permbajtje politike, por ishte nje kritik me permbajtie artistike ku
        ne librin e tij shtremberohej shemtuar karakteri i gruas dhe nenes
        shqiptare. Ne qofte se ky liber do te kishte sadopake vlera
        artistike, atehere Kadareja nuk do ta shdukte nga qarkullimi per ta
        fshehur nga syte e shqiptareve, por do ta vleresonte dhe shperndante
        gjithandej per ti treguar kundershtareve te tij sa i gabuar ishte
        Bilal Xhaferi ne kritiken e tij dhe sa te drejte kishte Kadareja. Me
        kete ligesi dhe lufte te pandershme qe po i bene Kadareja, Bilal
        Xhaferit te vdekur prej 28 vjetesh, po tregohet shume i ulet dhe po
        xhvishet plotesisht nga cdo vlere qe mund ti kete mbetur akoma. Po
        kthehet ne nje Hamleti te cmendur qe gjithe kohen lufton me fantazmen
        e Bilalit qe se le rehate per pabesit e shumta qe i beri Kadareja .
        Sa me shume qe po plaket ky njeri, aqe me shume ligesohet. Tani se
        fundi na ka dale dhe me nje liber te ri ku pershkruan aventurat me
        dashnoren e tij kur ishte i ri. Qe ketu duket serjoziteti i ketij
        njeriu imoral qe mere neper goje vashen e dikurshme qe sot mund te
        jete nena ose gruaja e dikujt tjeter. Ky eshte Kadareja i “Madhe”
        mor Llesh qe meret me vogelsira te neveriteshme.

        1. safo says

          Kritika e Bilalit ndaj Kadarese ne 1968 ishte qe “romani Dasma i Kadarese ishte dekadent”-dmth ne frymen perndimore dhe Bilal Xhaferi ishte aty per te mbrojtur realizmin socialist nga dekadenti Kadare! Kjo gje ka ndodhur. Por Kadareja ishte shkrimtari i “Gjenerali i ushtrise se vdekur” qe nuk mund te rrezohej kaq lehte. Kritika qe ju be nga Bilal Xhaferi nuk mundi ta demtonte Kadaren, megjithe te metat e evidentuara tek Dasma, por demtoi ate vete ne saje te makinzma nga te cilet funksiononte diktatura, ndonse synimi i tij ishte qe te godiste Kadaren, duke u bazuar po ne ato mekanizma. A duhej te ndiqej Xhaferi per shkak te biografise se tij? sigurisht qe jo, por nuk mund te akuzohet Kadare per funksionimin e mekanizmave te diktatures ne disfavor te Bilalit. Diktatura me mekanizmat e saj kishte projektet e tyre qe ne kete moment ishin ne disfavor te Bilalit. Kadare i duhej per ti treguar botes se edhe ne socializmin shqiptar mund te zhvilloheshin talente letrare.

          Kurse per sa i perket heshtjes letrare te Xhaferit ne USA, ndonse i lire te shkruante cte donte, nuk mund ta shpjegoj. Ndoshta trauma qe morri nga peripecite ishte kaq e madhe sa ai nuk arriti ta rrimare veten duke mbetur i pafuqishem moralisht per te shkruar. Eshte vertet drame e madhe….

          1. Gezim says

            Safo mund te jete dhe ashtu sic thua ti, Ishte nje sistem i eger dhe nuk mund te flisje jasht kornizave te percaktuara qarte nga ky sistem barbar. Asnje deshimtar nuk na i sjelle te qarte kete ngjarje, nuk duan te konfrontohen me Kadaren, kjo eshte dhe nje nga arsyet qe une e shofe me dyshim vertetesin e versjonit te Kadares. Eshte ironike kur shefe persekutorin te kthehet ne viktime dhe viktimen ne persekutor. Keto absurditete ndodhin vetem ne Shqiperi. Amerikanet kane nje fjale te mencur ” Follow the money” po do te njohesh se kushe fshihet mbrapa Kadarese . Ja le te filloim me nje pyetje te thjeshte qe mund ti bejme Kadarese: Ku ka jetuar kur e derguan ne France dhe kush i paguante shpenzimet e tij?!

  2. Gezim says

    Kadare o ligesi e gjalle !
    Deri sot kam pasur respekt per ju si shkrimtar dhe shqiptar, por mbas kesaj interviste nuk dua te ta degjoi me emrin dhe shofe bojen. Ti je nje njeri i vogel dhe cinik, i pabese, nje personalitet i neveritcem qe e ke per norm pergoimin e te vdekurve qe dikur i konsiderove si armiq dhe me vone me porosin tende qe ju dhe miqeve te tu ne Biron Ploitike dhe Sigurimin famekeq te shtetit i persekutuat dhe vrate. Bilal Xhaferi u largua nga Shqiperia i detyruar nga persekutimi tuaj dhe miqeve te tu xhelat qe nuk ja falen kurre kritiken qe ju beri juve. Ju mendonit se ishit te pa gabushem, ishit te paprekshem, ishit perendia vete dhe kushdo qe guxonte dhe ju kritikonte, perfundonte burgjeve dhe internimeve. Bilali nuk pati ndonje aktivitet te dukshem ne Amerike, sepse duhej te punonte, te ushqehej, kurse ti mor zoteri i pandershem te derguan ne France ku jeton akoma si nje Pasha pa punuar asnje dite te vetme. Tregona njeher ku jetoje dhe punoje kur shkove ne France, kush i paguante shpenzimet e tua te lluksit. Ti nuk u largove ne France si kundershtar politik, por te dergoi aty tavolina e Katovices dhe te gjitha shpenzimet u mbuluan dhe vashdoin te mbulohen nga floriri qe ju vodhe shqiptareve nga klika komuniste qe e shperdau mes vedi ku edhe sherbetori me ordiner i tyre Koco Kokedhima mori pjesen e tij si Sekretar i Pare i Rinise Komuniste. Kjo eshte e verteta qe mundohesh ta fshehesh nga syte e shqiptareve qe nepermjet mashave te tua ne Shqiperi na ka dhene imazhin e reme te nje disidenti qe cau me forcat e tij rruget e veshtira te emigracjonit. Ti perdor Abaz Ermenin si nje mashe kunder Bilalit, pori shqiptaret e njofin mire kete mashe te vjeter te Enver Hoxhes qe ndiqte dhe persekutonte diasporen. O Zot cfare shpirti te zi qe paske, nuk le njeri pa perdorur vetem qe te ngopesh ligesin tende me viktima te pafajshme. Kishte te drejte Janulla Rafti kur tregonte per ju se jeni njeri zemer zi dhe me nje ligesi te papare. Une si haroi fjales e saj kur thoshte: “Se njifni ju ate sa i lige eshte” dhe mbas kesaj interviste une i besoi kesaj gruaje te vuajtur qe ti i nxive jeten duke i lenduar djalin e saj te vetem. I vure nga mbrapa gjithe shtetin komunist dhe sigurimin e shtetit deri sa i bere ate qe i bere. Si te mban dheu me gjithe keto poshtersira dhe pabesira qe ju ke bere shqiptareve, dhe vashdon tu beshe akoma, dhe cuditerisht nuk te vrete fare ndergjegjia. E persekutove Bilalin deri sa e vrave dhe tani qe ai s’eshte gjalle dhe s’ka mundesi te mbrohet, ti perseri mere guximin dhe pergojon e fyen personalitetin e tij. Arite deri aty sa te mashtrosh opinionin duke thene se babai i Bilalit ishte nje Hoxhe prandai ishte persekutuar, kur ne fakt babai i tij ishte nje nacionalist (Ballist) qe e deshi vendin e tij dhe Enver Hoxha e persekutoi si nje kundershtar politik. Hoxha ne familjen e Bilalit eshte patrioti i shquar intelektual Hasan Tahsini qe te dhuroi ti gjuhen shqipe mor mosmirnjohes Gjirokastre. Kurse sa per librin Dasma qe te kritikoi dikur djaloshi i talentuar Bilal, ishte vertet nje liber medioker dhe pa nivel prandaj dhe ti vete e hooqe nga qarkullimi dhe fshehe nga syte e lexuesve shqiptare. O Zot, kur lexova fjalet e tua qe nxore nga goja tende e piset kunder Bilalit dhe bashkefshatarve te tij, ju drejtova Krijusit dhe pyeta se si ka mundesi qe krijoi nje njeri te lige si puna tende?! Thone pleqte e mocem se Djalli jeton mes neshe dhe une tani e mora veshe se kush eshte ky Djall dhe cfare fytyre ka . Ti je Djlalli vete.

    1. onufri says

      ti hidherim duhet te jesh ishspiun apo bir spiuni nga vreri qe vjell, por ju ju lumte se po vazhdoni ta renoni shqiperine sepse ju e keni ate akoma ne duart tuaja qe rjedhin gjak

  3. Nikua says

    Si nuk foli ky njeri nji here per te tashmen, per problemet dhe hallet qe ka Shqiperia sot, por vetem per shekullin e kaluar???!!!.

    1. tim says

      me race m.. qe jemi ne shqipot nuk ka ne faqe te dheut. nje kadare nuk dime ta mbajme jo me te merremi dhe me bilalin .kadarea eshte gjeni i letrave thone te huajt ne trapet themi jooo bilal mavria eshte .po kush e njeh bilo ziun more kadareja eshte akademi e gjalle dhe librat e tij i blejne me shume te huajt ne themi jooo bilali .ore po mblidhni mendjen e beheni top kadareja eshte zeusi i letersise shqipe njeloj si m,esi ne futboll po kujt po i mbush mendjen dhe une tru krrundeve si bilo mavria.

  4. vang says

    O GEZIM- SHKO VIZITOHU MOR BIR DHE QE TE KUPTOSH PAK ,FARE PAK PERPIQU TE SHKRUASH NJE FAQE HARTIM DHE JEPJA GJYSHES TENDE TA LEXOJE SE KA MUNDESI TI PEQEJE OSE DHEJO.ATHERE MBASE E KUPTON PAK FARE PAK SE SI FITOHEN FLORINJTE .

    1. Gezim says

      O Llesh, u transformove ne “vang” tani? U bete shumice, ju lumte. Ha. .ha . ..ha !

  5. adolfhi says

    zoti kadare,,,,ne intervisten tende brilante qe e ke te lindur nga natyra kete Talent ose dhurate te zotit.. nuk ka sinqeritet ..nuk jam ne brendesi te ceshtjes nuk me intereson fare mua, por besoj edhe lexueseve te tjere ……me ben pershtypje per finesen meskine tuajen indirekt ose direkt rreklamoni se i .k. eshte desident kunder komunizmit ..ju kam vene re dhe ne intervistat te tjera qe keni bere .. per kete lexo me poshte…nuk jam mjek,, por di nje gje,, kur njeriu plaket. dhe rreth 1 deri 2 muaj perpara se te vdese,, peson menjehere nje ndryshim te madh… kujton dhe flet ne cdo cast vetem te kaluaren e larget ..nga ky ndryshim i menjehershem , femijet e shtepise therrasin mjekun Internist per ta vizituar …nga vizita e keti mjeku dalin analizat dhe tensioni si Pilot …ku ne ikje e siper mjeku Internist i rrekumandon femijeve qe babai i tyre ska nevoje per dr Internist por per dr psihater … meqe plaku ka filluar te kujtoje te shkuaren ,,,e tj etj mos kini frike se jeni i ri z.kadare te rroni sa mali i korabit ..e me qe jeni i ri ..ju rrekomandoje ose me direkt .pse nuk merreni me te socmen…shikojeni shqiperine si eshte katandisur si nje qen i ngordhur.. qofsha i gabuar..jeni ne kontra tempo zoti kadare .. dikur ne komunizem kini qene trim dhe desident deri ne kufirin qe ta lejonte diktatura …por keto 24 vjet qe nga rreximi i murit te berlinit pse te kini frike te shkruani per keto neokomuniste mafjoze ,,qe kane shkaterruar mbi te gjitha arsimin ,,,APO ju pelqen ..do ta shkaterrosh nje komb, nuk eshte ti heqesh buken e gojes , por ti rrembesh e te shkaterrosh shkollen shkencen Kulturen .per mua eshte si dhimbje por edhe si tragjedi..,a nuk te ben pershtypje me qe keni shije artisti si eshte shkaterruar natyra e bukur ne germadhe ..dihet zoti kadare qe natyra eshte dhurate e zotit .. njeriu o e zbukuron ate me shume ose politikanet tane e kane shkaterruar ne menyren me barbare .. keni kohe qe banoni ne perendim pse nuk e ngritet nje here zerin ku jane arkitektet shqiptare APO kane vdekur ,APO nuk i lene milioneret e rinj neokomuniste e anti shqiptare ..ju edini me mire se gabimet e ndertimeve para 300 vjeteve ne vendet e zhvilluara po i vuajne me dhimbje deri sot .pse nuk e ngritet nje here zerin qe toka shqiptare po digjet po helmohet ,,shqiptari do pije uje me para ,,ku sot e kesaj dite derdhen vajrat e vjeter te makinave vend e pa vend ..ju banoni ne perendim dhe duhet ta dini mire .eshte denimi me i rende se droga, per arsye se nuk riparohet me ai nuk avullon por shkon deri te burimet e uit ..pse nuk folet nje here per ardhjen e plerave nga perendimi ne shqiperi te ngrije zerin me te forte se mbrapa ketyre plerave, vinin ndoshta mbeturina te lendeve radiaktive, .ku eshte Problem akut per hedhjen e mbeturinave lende rradiaktive dhe te afrojne miliona ..,se ka dhe paparace qe i gjemojne ketyre gjerave ..besoj se ke pare ne televizorin shteteror franceze per keto tema …ngrihuni dhe thoni qe durresi me tiranen mund qe te hidhen ne here per arsye te pikave te karburanteve qe jane pa kushte teknike ku jane thjesht me saldim dhe jo te derdhura sic jane kushtet teknike ..plus rrjedhja qe demton token e deri distancat plus balle per balle me temperaturat e nxeta te mesdeut. qe do jete shumefishi i gerdecit…APO sju kane rene ne sy keto karburante bythe me bythe ,..ku ne francen tende distanca me e afert eshte 28 km.. si nuk shkruajtet nje here gjere e gjate per hapjen e dosjeve famekeq te sigurumit ..une personalisht e dua shqiperine dhe nuk jam hakmarres ti them x politikani te kapem …jo ,.por per mua kjo eshte me thelle…eshte ardhja e lirise .e te pamvarurve .te personalitetit eshte pamvaresia e politikaneve shqiptare ,perballe kundershtare jashte kufijeve te shqiperise si ne veri si ne jug e ndoshta pertej oqeanit .. ku nuk do i terhiqte njeri prej hundesh dot. .beje kete se ta hapen dosjen…nuk e di a mund te kete rilindje shqiperia pa bere keto me qe ke emer dhe te peshon fjala po ju kritikoj bile serjozisht ..leri historite e kohes se diktatures komuniste ..cohu e shkruaj qe ky korrupsion me keqeardhje per mua eshte korrupsion Politik eshte me i tmershem se diktatura ..flas per brezin tone qe e kemi perjetuar te dy llojet e pasqyres..shkruani pa ironi z kadare keto tema se do keni sukses ..beni krahasimin e diktatures ,,ku pa bere gje te vinin dy Police te zhubrosur e te thonin,,ne emer te popullit jeni i arrestuar.. pa deshmitare, u denoje por realiteti ishte se dktatori Hoxha te dilte perballe dhe te thonte kete peshqesh e ke nga une ..po keto 24 vjet ste arreston njeri por po te prekesh ne kallo politikanet .je i vdekur pa te marre njeri leje ..bile te vjen .mafja neokomuniste per ngushellim .. nuk kam Talent fare te shkruaj i nderuari shkrimtar . po po te kisha talentin tend do te shkruaja kete teme qe do ja u shtjelloj me poshte ..do merja cmimin nobel ..veri re temes ….kryeministri rama ka gati nje vit qe lufton si don kishoti me mullinjte e heres per luften kunder korrupsionit …ben propogande per reformimin e drejtesise kur shkel kushtetuten personalisht plus lsi. per ceshtjen e pronave e i cirret gjykatesve se jeni sherbetoret e saliut e te nishanit ..si nuk i vjen turp dhe si mund ti kerloj llogari, ky buurre mbi 2 Metra i larte ketyreve xhuxhve gjygjtare qe shkel me dy kembet kushtetuten shqiptare….po e perseris nuk kam talentin tuaj,, por po ta kisha, do isha me se i sigurte me kete teme te fundit do mirrja cmimin nobel …te me Falin lexuesit .per kete shkrim te gjate ..zoti kadare dy koka ka Kombi yne sot per sot ..jeni ju shkrimtari me mire i kombit ,,kemi dhe profesor rexhep qosen i rrangut tuaj ,pra kritiku me i madh letersise qe ka pas e ka Kombi yne shqiptar ja u them te drejten z.kadare pr qosja ka shkruar per tema te mprefte e balle per balle kurse ju absolutisht jo, por indiferenti me ne ekstrem shqiptar ju drejtohem z kadare me qe keni tashme emer per te vene me shpatulla mbas murit keta milionier te rinj neokomunidte mafjoze.. ..me gjithe se jam nje e katra gjirokrastit e dhe 3 te katrat po nga jugu e them me gjithe shpirt jam krenare per profesor qosen qe jam bashkekohes i tij..te uroj shendet zoti kadare…

    1. Kleida M. Peculaj says

      Nese quani nje GJENI psikopat me vjen keq por jeni ju ata qe keni nevoje per kontrolle

  6. nio says

    Kur po lexoja gjerat e shpifura qe shkruan Kadare mu kujtua emisioni i top story i sokol balles fatekeqesia qe e kishte ndjekur ate familje vetem sepse djali i tyre dashuronte vajzen e kadares, jam 100%100 i bindur se nese e hapen dosjet e diktatures do te mund te shikojme se cfare njeriu katil dhe i pameshirshem eshte kadare si njeri, gabimi behet sepse ngaterrojme kadaren si shkrimtar i cili duhet thene qe eshte nje gjeni por, kadareja i zhveshur nga petku i shkrimtarit eshte nje njeri shume i vogel. Sa per Bilal Xhaferrin mund te ju them se vinte nga nje familje patriotesh ku i ati ju vra ne luft por me vone u cilesua si tradhetar 2 Fisi i tij vjen nga mendje te ndritura sic ishte hoxha tasim nje nga njerzit me te zgjuar te ketij kombi psikologut te pare Shqiptare 3 Nese Bilali sdo ishte gjeni nuk do gjente hapsir pasi ne ate fshat qe jetonte ai sdo e vinte re askush nese skishte talent.

  7. Agimi says

    Regjimi komunist ishte me I egri nder ish vendet komuniste.Jo vetem sgurimi I shtetit por shume organizata te tjera ,cdo qelize e asaj shoqerie ishte e politizuar,deri edhe ne te denuarit politike(te burgosur apo te persekutuar.).Keshtu qe eshte shume e veshtire te komentosh ngjarje apo histori te asaj kohe,ne dukje bardh e zi por ne te vertete me shume ngjyra.Disidenti mund te ishte spiun, kur I beuari I partise gdhihej ne burg etj.Nga rrethe te aferta te ish te denuarve te atij regjimi tregojne historira se si ndodhte spiunimi Brenda atyre,cfare mund te thuash tjeter.Te flasesh per Kadarene nuk eshte e lehte.Ai eshte nje kollos I letersise shqipe,eshte nje vlere,nje pasuri e rralle qe ne e kemi,dhe duhet ta ruajme.Por sic duket ashtu sic edhe per cdo gje tjeter ne nuk vleresojme vleren por antivleren,jo te dobishmen por te demshmen, kjo na ka cuar qe te kemi shume vuajtje dhe drama si komb.Merremi me shume thashetheme , sajojme e ngreme shume akuza vetem per te denigruar figura te tilla si I.Kadare ,Jane bere ne mode mashtruesit. thashethemexhinjte,dalaveraxhinjte,ato qe paguhen per te leshuar tymnaja e coroditur lexuesin.Kadareja eshte nje shkrimtar-gjeni,deri me sot I paarritshem,prandaj ka edhe shume xhelozi dhe lufte ndaj tij,Meqenese nuk jane ne gjendje te kritikojne vepren e tij(ne fakt kjo eshte ajo qe na intereson) sajojne cdo gje per ate si njeri.Ne fund te fundit ai eshte nje qenie njerezore si gjithe ne te tjeret, me te mirat dhe dobesite e tij.mepak xhelozi dhe ego, me shume dashuri e respect per te ruajtur ato pak vlera qe ne kemi -duke vleresuar keshtu me shume vetveten.

  8. studenti says

    Metamorfoze
    Nje shkrimtar i madh qe don te behet i vogel,
    ishte bere sa nje mal,por don te behet koder,
    desh te nderroje ne prag te gjashtedhjetave,
    por ky tjetersim kundershtohet prej veprave,
    ne duaret e lexuesve si prove e te vertetave .
    Vepra e tij ua mekonte frymen revolucionare,
    qe u sherbente si narkoze masave proletare,
    dhe ua atrofizonte lirine vetedijeve qytetare,
    duke i skllaveruar ato me aksione vullnetare.
    Rendi pas tiranit, duke u rrokullisur si gogel,
    ashtu siç deshironte tirania kendoi dhe qau,
    lexuesin e “mikloi” dhe e perdori si nje loder,
    pasi ia vodhi te verteten, e “çnderoi, e vrau”,
    kur i tha se ai ishte ndryshe nga ç’tregohej,
    dhe vepra e tij ishte ndryshe nga ç’lexohej .
    Sa keq qe dikur genjente per t’u shperblyer,
    dhe tani perseri perkedhelet per te genjyer!

Comments are closed.