Reportazh: Bovilla, vend depozitimi i ujërave të zeza

Pranë liqenit, në rreth 150 metra largësi jetojnë ende disa familje, të cilat janë burim ndotjesh

Bovilla është furnizuesi kryesor me ujë për banorët e Tiranës, ndonëse ekspertët bëjnë me dije se ai nuk i plotëson parametrat për konsum. Madje është kërkuar që uji i saj të futet në karantinë, sepse është i rrezikshëm nëse ai përdoret për t’u pirë. Që të kuptoj disa nga arsyet e ndotjes së ujit, vendos të bëjë një vëzhgim në burimin kryesor

Ilda Hoxha  

Për të shkuar drejt Bovillës ka dy rrugë, një nëpërmjet Zall-Herrit dhe tjetra nga Rruga e Arbrit. Unë zgjedh këtë të dytën, sepse është më e lehtë për t’u përshkuar. Një njohës e mirë i asaj zone është udhërrëfyesi im, në këtë udhëtim. Përgjatë gjithë rrugëtimit nuk shoh asnjë tabelë për të më orientuar, në mënyrë që të gjej vendndodhjen. Rruga gjarpëron përpara dhe mungesa e sinjalistikës ma vështirëson pak punën. Udhërrëfyesi më tregon se ndodhemi në Zall-Dajt dhe pamja është e mrekullueshme, mushkëritë të mbushen me ajër të pastër dhe cicërimat e zogjve janë simfonia që më ndjek në çdo moment. Ai më paralajmëron se jo gjithçka pritet të jetë kaq mahnitëse dhe pas kësaj ndeshem në një pirg me plehra, i cili prish magjinë e natyrës. Vetëm pak minuta na ndajnë nga mbërritja në Komunën Zall-Bastar dhe jam kureshtare për të ditur se çfarë më pret. Qëllimi im është që të shoh nga afër liqenin e Bovillës, i cili furnizon një pjesë të mirë të kryeqytetit me ujë.

Në Komunën e Zall-Bastarit

Sapo mbërrij në Bovillë, filloj të zhgënjehem nga ajo që shoh, doza e  cila do të shtohet edhe më tej. Ndotja e liqenit fillon që në Zall-Bastar ku lumi Tërkuzë, i cili buron nga Qafë-Murrizi, përshkon fshatin. Lumi i Tërkuzës është edhe furnizuesi i liqenit me ujë. Gjatë vërshimit, ai merr me vete edhe mbetjet që kanë hedhur banorët. Qese, letra, bidonë vaji, shishe të ndryshme, kuti ilaçesh, të gjitha këto i gjejmë në shtratin e këtij baseni. Ecim përgjatë tij, ku pak metra nga depozitimi i plehrave shikojmë dy djem që po lajnë makinat në rrjedhën e ujit. Nuk dua ta mendoj që qytetarët konsumojnë këtë lloj uji. Përpiqem që pamjen e shëmtuar, ta hedh tutje, por nuk me shqitet nga mendja. Ai mendim më ndjek gjithë kohës dhe më godet si çekan në kokë, për minuta të tëra. Vazhdoj rrugën për të shkuar drejt fshatit Gjonaj, i cili ndodhet rreth 2 kilometra larg nga Komuna Zall-Bastar. Përveç mbetjeve urbane, në shtratin e ujit shoh edhe si kafshët kalojnë përmes tij, duke kryer edhe nevojat e tyre.

 

Në Bovillë

Mbërrijmë në Bovillë, ku vetëm 150 metra në vijë ajrore ndodhet fshati Gjonaj. Barinjtë kanë dalë për të kullotur bagëtinë. Një tufë me dele i shoh buzë liqenit dhe një tufë me dhi teksa kalojnë lumin, në pikën ku lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me Bovillën. Nuk ka asnjë lloj sinjalistike apo tabelë që të parandalojë apo tregojë se nuk duhet lejuar të afrohesh, të ndërhysh aty, sepse ky është ujë i pijshëm për mijëra banorë. Gjithë vija në grykëderdhje është e mbushur me mbetje të ndryshme si: fekale, shishe qelqi, qese, bidonë vaji, shishe qelqi të ilaçeve e shumë të tjera. Banorët e zonës janë ata që e njohin më mirë situatën. Një prej tyre është Nexhmi Dedja, të cilin e ndesha tek po çonte bagëtitë për të kullotur.

“Ne ndodhemi 150 metra larg, ndërsa kur ka shira dhe mbushet liqeni, uji afrohet akoma më shumë. Në dimër shtëpitë tona nga liqeni janë larg vetëm 50 metra”, shpjegon ai. Më tej shton se sipas rregullores së përcaktuar kur është ndërtuar liqeni i Bovillës, largësia minimale duhet të jetë 300 metra nga liqeni dhe e gjithë pjesa duhej të ishte e rrethuar dhe me ndonjë tabelë, të cilën nuk e gjejmë askund aty. Ai është i vetëdijshëm e se nuk është normale që bagëtia të kalojë në mes të lumit, por matanë janë kullotat e tyre. Bagëtitë janë burim jetese për ta.

“Të gjitha mbeturinat këtu vijnë, ujërat e zeza i derdhim këtu, nuk kemi ku t’i çojmë”, thekson Dedja. “Jemi 22 familje që kërkojmë të shpërngulemi. Ndërsa 5 familje, ku bëj pjesë edhe unë jemi shumë afër me liqenin”, e mbyll rrëfimin banori i zonës. Pak metra më tutje takojmë një tjetër banor, Agimin. Ai na rrëfen me detaje mbi Bovillën, ndotjen që ata vetë shkaktojnë, për shkak se u duhet të mbijetojnë. Kjo është e vetmja mënyrë për të përballuar jetesën.

“Na është thënë disa herë se do të shpërngulemi që këtej se ne ndotim ujin e pijshëm, por asnjë lloj mase nuk është marrë nga shteti. Kemi shkuar disa herë në instancat përgjegjëse, derisa kanë arritur të mos na fusin më nëpër zyra, sepse i kemi bezdisur. Ata na kanë thënë se nuk është e nevojshme që të shkojmë më atje, sepse puna e Bovillës për ata është e mbyllur. Nuk ka më shpronësime apo shpërblime. Ka një kohë që uji i pijshëm është bërë problem, por ne këtu do punojmë dhe jetojmë, sepse nuk kemi mundësi tjetër. Unë jam më afër liqenit, ndërsa të tjerët ndodhen 200 metra larg”, sqaron Agimi.

Më pas më bën me dije se ata e përdorin liqenin për nevojat e tyre. “Ujin e liqenit e përdorim për të kapur peshk meqë ka peshk, lahemi gjatë verës”. Ai nuk e mohon faktin se ka edhe kafshë të ngordhura aty. “Ka edhe kafshë të ngordhura brenda në liqen, nuk mund të them që nuk ka. Ku t’i çojnë njerëzit. Ne i varrosim, por ujqërit, qentë i nxjerrin nga toka dhe ka raste që përfundojnë në liqen. Ka sa të duash”, thekson ai. Liqeni është edhe një burim rreziku për ta, pasi ka raste të përsëritura kur fëmijë janë mbytur. “Është rrezik për fëmijët, sepse na ikin fshehurazi për t’u larë te liqeni dhe ka pasur raste që janë mbytur edhe fëmijë. Duhet të ruajmë fëmijët, sepse na ikin për t’u larë”, flet i shqetësuar Agimi.

Një tjetër problematikë është edhe përdorimi i pesticideve nga banorët e këtij fshati. Ata gjithashtu prodhojnë produkte bujqësore dhe për rritjen e tyre përdorin pesticide apo plehra kimikë. “Nuk është faji ynë që këto mbetje shkojnë në liqen, ne duhet të jetojmë. Që nga viti 1996 kemi bërë kërkesë që të shpërngulemi, kemi bërë shumë kërkesa, por nuk kemi marrë asnjë lloj përgjigjeje. Na kanë mbajtur me shpresën hajde sot e hajde nesër. Kemi ngelur nëpër dyert e institucioneve. U lodhëm. Ka një vit që nuk kemi bërë më kërkesë për t’u larguar”, tregon Agimi.

Pesticidet në ujin e pijshëm shkaktojnë pasoja për shëndetin

Ndërkohë, një specialist i prodhimit bimor na tregon disa nga pasojat e këtyre pesticideve në cilësinë e ujit. “Përdorimi i plehrave kimike e pesticideve nga fermerët e zonës është një problem i madh për ujin e pijshëm. Pasi kanë arritur pesticidet në tokë nga trajtimet e ndryshme, mundësia e lëvizjes së tyre është nëpërmjet avullimit në atmosferë. Një tjetër metodë është ajo me anë të rrjedhjeve dhe erozionit në sipërfaqet ujore dhe me anë të shpëlarjes në ujërat nëntokësorë. Këto mënyra të lëvizjes së pesticideve bëjnë të mundur ndotjen e ujërave nga lëndë shumë të dëmshme për organizmin e njeriut dhe mjedisin. Këto janë kryesisht problematika e pesticideve në tokë. Një pjesë e pesticideve avullojnë, ndërsa një pjesë depozitohen. Koha që duhet për t’u shpërbërë është e gjatë. Në momentin që bie shi, ata kalojnë në lumë dhe më pas në liqen. Ato janë kancerogjene”, e mbyll sqarimin specialisti.

Erozioni

Banorët na tregojnë së erozioni u ka marrë rreth 60% të tokave.  Sipas tyre 3.5 hektarë janë zënë nga liqeni.

Problemet e Bovillës janë të shumta, duke filluar që nga ujërat e zeza që derdhen në të, mbetjet, bagëtitë, pesticidet e shumë problematika të tjera. Diskutohet nëse uji i këtij liqeni është apo jo i pijshëm, ndërkohë që faktet flasin vetë. Largohem nga Bovilla nga e njëjta rrugë që bëra dhe bindem që situata ishte emergjente.




2 Comments
  1. juristi says

    me drejtorin qe ka UKT aktualisht qe di te pije droge e tekurveroje ne vre ka per te na zene epidemia

  2. esi says

    me kete ujin qe pime ne dhe gatuajme, kane kohe qe na japin ”gjoja” garanci, por hajde besojiiiiiii

Comments are closed.