Shpjegimi: A është ilegale të luftosh në një vend tjetër?

Për amerikanët është e ligjshme të luftohet në ushtrinë e një vendi tjetër në shumicën e rasteve, me përjashtimin kur kjo ushtri po lufton kundër Shteteve të Bashkuara

JOSHUA E. KEATING, Foreign Policy

Kris Xheon (Chris Jeon), një student universiteti 21-vjeçar nga Los Anxhelosi, kaloi një palë pushimesh verore me goxha aventurë. Ai informoi familjen dhe miqtë që po shkonte në Kajro, por pastaj kapërceu kufirin dhe shkoi në Libi, ku kaloi disa javë duke luftuar me rebelët kundër Gadafit.

Lajmet e fundit tregojnë se garnizoni i tij i acaruar në fund e ka nisur për në shtëpi. Kur një reporter nga gazeta me bazë në Abu Dhabi, “National”, e identifikoi atë kur e pa të veshur me veshje stil amerikan, studenti i matematikës shpjegoi se pati menduar që “ishte qejf të bashkohej me rebelët”. Dhe ai duket se nuk e bëri diçka të tillë për të tërhequr vëmendje apo për ekzibicionizëm. Ai e mbylli intervistën duke u lutur, “çfarëdo që të bëni, të lutem mos u thoni prindërve të mi”. Por duke lënë mënjanë pasojat prindërore, a theu Xheon ndonjë ligj amerikan?

Ka gjasa që jo. Qeveria e Shteteve të Bashkuara natyrisht nuk i nxit nënshtetasit e vet të ikin dhe të luftojnë në luftëra të huaja, por ka një histori të gjatë të këtij fenomeni, nga Brigada Abraham Lincoln që luftoi kundër Francisko Frankos gjatë Luftës Civile të Spanjës te shumë amerikanë hebrenj që kanë shërbyer në Forcat Mbrojtëse të Izraelit.

Sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, çdo nënshtetas, i cili “regjistrohet, fut veten, punësohet, ndihmon ndokënd të rekrutohet ose shkon përtej juridiksionit të Shteteve të Bashkuara me synimin për t’u rekrutuar apo për të hyrë në shërbim të çdo princi, shteti, kolonie, distrikti ose njeriu si një ushtar apo si marinar… duhet të gjobitet nën këtë ligj ose të burgoset për jo më shumë se tre vjet apo të gjobitet dhe burgoset njëkohësisht”. Por një vendim gjykate nga viti 1896 në lidhje me një nënshtetas amerikan që pati luftuar me revolucionarët kubanë kundër sundimit kolonial spanjoll, e interpretoi këtë ligj si një mjet që synonte të shpallte të paligjshme për nënshtetasit amerikanë rekrutimin në një ushtri të huaj brenda Shteteve të Bashkuara, jo thjesht që të luftonte në një të tillë. (Shënim për Këshillin Tranzitor Kombëtar të Libisë: Ka gjasa që nuk do të jetë e mençur të krijohen stacione rekrutimi nëpër kampuset universitare amerikane me shpresën e rekrutimit të më shumë luftëtarëve).

Duke qenë se Xheon duket se ka udhëtuar drejt Libisë pa ndonjë nxitje (ai ka blerë një biletë vetëm vajtje, sepse nuk dëshironte të rrezikonte të humbiste 800 dollarë “nëse kapej ose ndodhte diçka”), ai ka gjasa që është i pastër nga pikëpamja ligjore.

Por ka disa detaje: Nëse një amerikan bashkohet me një ushtri të angazhuar në akte armiqësore kundër Shteteve të Bashkuara, atëherë kjo konsiderohet tradhti dhe është një akt i dënueshëm me vdekje. Ligji gjithashtu, dukshëm, nuk flet në mënyrë eksplicite për organizatat e klasifikuara si grupime terroriste dhe familja e “talebanit amerikan” Xhon Uollker Lindh (John Walker Lindh) u përpoq të argumentojë se ai thjesht po shërbente në forcat e armatosura të një vendi tjetër dhe nuk kishte për qëllim të ndihmonte Al-Kaedën apo të sulmonte trupat amerikane.

Por çfarë do të ndodhte nëse Xheon qëllonte të merrte pjesë në një sulm në Sirte apo në ndonjë qytet tjetër të Libisë, ku civilët janë masakruar?

Për këtë mund të shërbejë precedenti i Çaki Tejlor (Chuckie Taylor), një nënshtetas amerikan dhe djali i një ish-bosi lufte të Liberisë, Çarls Tejlor (Charles Taylor). I riu Tejlor u dënua më 2008-n në një gjykatë në Florida për akte torture të kryera gjatë luftës civile të Liberisë, nënshtetasi i parë amerikan që dënohet në Shtetet e Bashkuara për krime kundër njerëzimit të kryera në një vend tjetër.

Po për sa i përket nënshtetësisë? Nëse ke një pasaportë amerikane, atëherë ligji thotë se “mund ta humbësh nënshtetësinë tënde amerikane duke shërbyer në forcat e armatosura të një shteti të huaj”. Fjala ‘mund’ është me rëndësi kritike. Më 1967-n, në çështjen ligjore Afroyim v. Rusk, Gjykata Supreme vendosi që nën amendamentin e 14 të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, nënshtetasit amerikanë nuk ‘zhvishen’ dot pa vullnetin e tyre nga nënshtetësia. (Kjo çështje përfshinte një njeri me nënshtetësi të dyfishtë amerikane dhe izraelite, të cilit iu hoq nënshtetësia amerikane pasi votoi në zgjedhje në Izrael, por precedenti aplikohet edhe për shërbimin ushtarak gjithashtu.)

Që nga ajo kohë, qeveria duhet të provojë se një individ u bashkua me një ushtri të huaj, me synimin për të hequr dorë nga nënshtetësia e Shteteve të Bashkuara. Ushtria në fjalë duhet të jetë e angazhuar në akte armiqësore kundër Shteteve të Bashkuara ose individi në fjalë duhet të shërbejë si oficer.

Kështu, për sa kohë Xheon ia del të shmangë kryerjen e akteve të tradhtisë, krimeve të luftës apo nuk promovohet në gradën e oficerit – gjë që duket se ka pak gjasa të ndodhë, për shkak se ai raportohet se pyeti “si dreqin përdoret kjo gjëja?” kur i dhanë një automatik AK-47 – ai ka gjasa të jetë i mbrojtur nga pasojat ligjore. Se çfarë do të bëjë me të nëna e tij kur të kthehet në shtëpi, ky është një problem për të.

 

[callout]Lufta e Spanjës

Trajtimi i veteranëve nga vendet përkatëse

Rreth 2800 amerikanë shërbyen në Luftën e Spanjës si ushtarë, oficerë apo trupa të mbështetjes teknike në ndihmë të kauzës republikane gjatë Luftës Civile të Spanjës. Rreth 800 prej tyre u vranë në luftime. Pas luftës, veteranët e Brigadës u konsideruan në përgjithësi mbështetës të Bashkimit Sovjetik. Pas paktit Molotov-Ribentrop, i cili e ndau Poloninë mes Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë naziste, veteranët e brigadës dhe shoqata e tyre u përça, njëri grup ndoqi linjën zyrtare komuniste që e shikonte luftën në Europë si luftë imperialiste dhe u angazhua në forcat politike që kundërshtonin përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në luftë apo në mbështetje të Britanisë së Madhe. Të tjerë, gjithsesi, vijuan me axhendën e tyre antifashiste. Disa hynë vullnetarisht në forcat speciale britanike (para se SHBA-ja të hynte në luftë) dhe organizuan rezistencën antinaziste në Europë.

Shtetet e Bashkuara i konsideruan ish-anëtarët e Brigadës si rrezik sigurie. Më 1947-n, organizata e tyre u vu në listën e grupimeve subversive. Por kjo ishte vetëm një nga pesë organizatat që mbeti e paprekur, pasi u klasifikua si subversive.

Trajtimi i veteranëve nga vende të tjera varioi sipas qeverisë përkatëse. Në Kanada, veteranëve të Luftës së Spanjës iu mohua punësimi dhe disa nuk u rekrutuan gjatë luftës së Dytë Botërore për mungesë besueshmërie politike. Veteranët e Zvicrës u dënuan më ashpër se në çdo vend tjetër, me 420 vendime për burg nga dy javë deri në katër vjet. Në Spanjë, qeveria në vitin 1996 respektoi një premtim të qeverisë republikane të vitit 1938 dhe u dha nënshtetësinë rreth 600 ish-luftëtarëve të mbetur gjallë. Në Francë, më 1996-n veteranët morën statusin e veteranit francez. [/callout]

Artikull i botuar më 2 shtator 2011 te revista “Foreign Policy”

3 Comments
  1. toni says

    o dele po mbroni kamikazet ekstremiste arabe

  2. Arif Gjongjini says

    Kam lexuar edhe shkrime të tjera mbi mercenarizmin, aventurizmin apo vullnetarizmin e shtetasve për të luftuar gjetkë. Shkrimet janë bërë nga autorë, të cilët duket që duan të bien në sy duke shpalosur dijet e tyre mbi atë se si gjykohen këto punë nëpër botë, më tepër në shtete të fuqishme, ndaj të cilave pak servilizëm na bën të ndjehemi mirë me veten. Pothuajse të tërë autorët e këtyre dijeve shpalosin edhe një merak tjetër: ata shfaqen si klerikë fanatikë në mbrojtje të të drejtave të kulluara të individit për të bërë ç’të dojë me veten, duke e lënë disi në hije faktin që vetja mund të përdoret në mijra mënyra, të cilat mund të përcaktojnë fatin e të tjerëve, edhe në kuptimin që mund të lejohet apo të mos lejohet të jetojë dikush, të ndihmohet apo të pengohet dikush për të përmirësuar jetën e tij, por edhe që mund t’i hiqet e drejta e jetës vetëm në bazë të logjikës së këtij individit, që nuk i duhet cënuar liria për ta përdorur veten si të dojë. Se ç’mund të bëjë me të shtënat e mitrolozit apo me kamikazllëqe ky individi absolutisht i lirë, ata nuk i hyjnë kësaj analize, po thjesht e quajnë pjesmarrje në luftë në një vend tjetër, a thua se lufta është ajo lojë luftash e fëmijërisë së tyre. Këtu na përmendet Amerika, e ajo pra e paska vendosur një ligj që i kufizon këto liri luftimllëqesh, e edhe atje na qenka paraqitur goxha e ngatërruar puna me interpretimin e ligjit. Po, po sikur të ndodhte që të bazoheshim te hallet tona lidhur me këtë çështje? Ne kemi një tolerancë fetare shembullore. A duhet të lejohet me ligj që të shkallmohet kjo trashëgimni? Nëse jo brenda vendit, po jashtë vendit pse mund të lejohet? Nëse shteti shqiptar ndjen përgjegjësi për shtetasit e vetë që shkojnë gjetkë (në vendet e Bashkimit Evropian) për krimet që kryejnë, e për këtë lidh edhe marrëveshje bilaterale për ekstradime, qoftë edhe për shkëmbime të burgosurish, pse për shetasit e vetë që shkojnë e marrin pjesë në trazirat politike të një vendi tjetër duhet të heshtë në emër të lirisë së vetpërdorjes së individit? Mos me këtë “leje” autorët duan të thonë se ka luftra që na pëlqejnë të shkohet, por do ishte mirë që atje shtetasit të shkojnë vetë për të mos barrosur me përgjegjësi politike qeverinë? Paska luftra ku është mirë të shkohet (dikush thoshte: do ishte mirë të mos vinin të na ndihmonin neve në një hall të tillë?, pse na erdhi mirë për vullnetarët që shkuan në Kosovë? etj., etj.) Sidoqoftë këto punë, këto liri, duhen rregulluar me ligj. Vet organizimi i shoqërisë njerëzore ka në thelb jo vetëm bashkimin e njerëzve për të përballuar në grup problematikat, vështirësitë etj., por edhe për të rregulluar lirinë, për të mos lejuar tejkalimin e saj në dëm të tjetrit. Trajtimet alla puritanizëm i lirive të individit janë hapje portash e anarkisë së sjelljes njerëzore.

  3. Arben says

    Ne disa gjera ne behemi me katolike se Papa.

    Kjo vjen nga injoranca e politikaneve e cila nuk eshte e rastesishme.

    Duke qene se ata vijne ne pushtet vetem per te vjedhur, nuk kane kohe ta “vrasin” mendjen per ceshtje te ndryshme qe shqetesojne qytetaret, sepse ato ceshtje nuk kane “para te thata” per politikanet.

    Keshtu muhabeti dhe ne fund i fusin nje hajd ti biem shkurt.

    Po shtetasit Shqipetar qe luftuan ne Kosove do ti fusim ne burg nga 10 vite, po neser sikur te shfaqet prape nje mundesi e ngjajshme?????

Comments are closed.