Elvis Pupa provokon në Tiranë

“100 vjet, shteti më i lumtur …në Shqipëri” titullohet show që Pupa do të mbajë më 27 dhe 28 dhjetor, ora 19:30 në Pallatin e Kongreseve, një Stand-Up Comedy, mbështetur nga “DigitAlb”, në bashkëpunim me “Triangle Media Production”. Biletat gjenden në të gjitha pikat e autorizuara të shitjes së “DigitAlb”

Rikthehet si kurrë më parë

Elvis Pupa e ka lënë këto ditë Amerikën për t’u rikthyer te publiku shqiptar. Këtë radhë ndryshe dhe me një sfidë të re. Me dëshirën për të sjellë në skenën shqiptare për herë të parë formatin One-Man Show. “100 vjet, shteti më i lumtur …në Shqipëri” titullohet show që Pupa do të mbajë më 27 dhe 28 dhjetor, ora 19:30 në Pallatin e Kongreseve, mbështetur nga “DigitAlb”, në bashkëpunim me “Triangle Media Production”. Biletat gjenden në të gjitha pikat e autorizuara të shitjes së “DigitAlb”. Për më se 80 minuta, i vetëm përballë publikut, por me një mori personazhesh, të cilëve do t’u japë jetë. “Titulli e ka marrë spunton nga 100-vjetori i Pavarësisë që na mbyti me zhurmën e madhe. 100 vjet për mua janë përgjegjësi dhe reflektim për atë që është realizuar, ndërkohë që u festua pa pasur vërtet arsye për ta bërë. Ky show do të sjellë në vëmendje të gjitha problemet që ne kemi: sociale, politike, familjare. Është momenti që vërtet të shohim se kush ne jemi në të vërtetë. Do të jetë një miksim mes teatrit dhe improvizimit, përmes një teksti që e kam shkruar në bashkëpunim me shkrimtarin Koloreto Cukalli, një tekst që do të sjellë natyrshëm të gjithë personazhet duke ruajtur komunikimin që unë kam ndërtuar deri më sot me publikun. Nga ana tjetër, synimi im i përhershëm është që të tejkaloj artistikisht realizimet e mia të mëparshme”, thekson Pupa. Pas realizimit të filmit të tij të parë, “Legjenda e fundit”, aktori guxon sërish. I njohur tashmë përmes personazheve të “Portokallisë”, Elvis Pupa e ka zgjeruar shumë rrethin e karaktereve që do të sjellë. Do të gjeni aty policë, mjekë, gjyshe të lagjes, banorë pallati, emigrantë, stjuardesa, por edhe pak nga torta e Pavarësisë. Në mënyrën e tij nuk i ka përjashtuar politikanët, por ua ka hequr rolin e protagonistit, duke i “pickuar” me ironi. “Nuk i kam prekur fort politikanët, sepse na kanë lodhur aq shumë sa nuk ia vlen të bësh më humor me ta. Ne merremi me pasojat e rënda që ata kanë lënë. Synimi im është që publiku në sallë të argëtohet, të qeshë me batutat, por përtej kësaj unë dua që të flas në emër të tyre, të ngremë disa problematika dhe ta çojmë ngacmimin atje ku duhet”, thotë Pupa. Nuk do të mungojnë as personazhet e tij të “Portokallisë”, një eksperiencë për të cilën Elvisi thotë se e ka ndihmuar të krijojë atë komunikim me publikun, i cili i jep siguri edhe për këtë sprovë të re. Në fakt, ideja e këtij formati të njohur në botë e të praktikuar nga emra si Robie Williams, Jim Carrey apo Eddie Murphy, që shënon edhe një kulm në interpretimin live të një aktori, i ka lindur këtu e katër vite të shkuara, por ndërkohë ka marrë kohën e nevojshme që i është dashur ta latojë këtë tekst, për një komunikim sa më aktiv me publikun në sallë. “Teksti është ndërtuar në mënyrë të tillë që të ketë ritëm, batuta dhe me synimin që në çdo 1 minutë e gjysmë të ngacmojë reagime të forta. Të shpresojmë që do të ndodhë kështu në Pallatin e Kongreseve. Nëse do të kisha pasur mundësi do të kërkoja edhe një hapësirë më të madhe e kjo gjë nuk më tremb, sepse unë e di që publiku më pret dhe unë di si të shkoj e ta ngacmoj atë”, tregon aktori. Dëshira do të ishte që ky show të kthehej në një tur, por për momentin do të jenë vetëm këto dy data. “Për ata që nuk do të kenë mundësi të vijnë në Pallatin e Kongreseve, show do të regjistrohet nga platforma ‘DigitAlb’, një mbështetës në vazhdimësi dhe dua ta falënderoj”, tregon Pupa. Falë “DigitAlb” kthehet në shtëpi edhe me gjelin e Vitit të Ri. Ndonëse jetën tashmë e ka zhvendosur në Amerikë, nuk do t’i mungojë herë pas here publikut shqiptar, me projekte jo të shpeshta, por në të cilat do të jetë i bindur se ka për të dhënë. Sa arrin të qëndrojë në kontakt me realitetin shqiptar? “Sapo zgjohem në mëngjes shikoj televizorin dhe lexoj gazetat online. Pavarësisht të gjitha, do të vazhdoj të punoj për publikun shqiptar”. 

Comments are closed.