Skuadra e Elton Dedës, ja 5 të përzgjedhurit

Ata janë të ndryshëm për zërin e tyre, por të ngjashëm në pasionin e madh për muzikën. Matej, Edona, Aurela, Aleksandri dhe Arbëresha janë pesë konkurrentët me të cilët Eltoni do të shkojë në “Netët Live”

Matej Karaqi: Kam ende shumë për të dhënë në “The Voice”  

Matej Karaqi i ka habitur të gjithë me fuqinë e zërit që ka. Djali nga Prizreni, i cili tashmë është një prej 5 të përzgjedhurve të Eltonit për në “Netët Live”, thotë se ka kënduar  gjithë jetën. Ka nisur të merret me muzikë që në moshë të re, ndërsa në rrugën drejt këtij pasioni ka gjetur mbështetjen e madhe të familjes dhe të të afërmve.

Cili është qëllimi yt i pjesëmarrjes në “The Voice of Albania 2”?

Qëllimi im është që të jap një kontribut timin në këtë spektakël e njëkohësisht të shoh se çfarë vlere kam si një këngëtar i ardhshëm. Them këngëtar, sepse kënga është pjesë e pandashme e imja dhe e jetës sime. Trajnerët e “The Voice” dhe publiku do të më tregojnë sesa vlej. Jam krenar që jam pjesë e këtij spektakli.

Të gjithë habiten që nga një fizik i imët si i yti del një zë shumë i fuqishëm. E ke hasur në vazhdimësi këtë reagim?

Po. Shpesh dëgjoj që fiziku im nuk përputhet me zërin, por duhet të kuptojnë se kam kaluar situata të cilat më kanë tronditur shpirtërisht. Kam humbur dy anëtarë të familjes së gjerë, të cilët i kam dashur jashtë mase dhe ende nuk jam qetësuar shpirtërisht. Sidoqoftë gjithnjë kam qenë nën peshë. Do të vijë koha edhe për lukun tim, pasi të kryhen disa punë të tjera.

Nuk vuaj nga ky kompleks, mua më intereson puna ime, të cilën e kam filluar shumë vite më parë. Gjithmonë kam qenë modest dhe i tillë do të mbetem.

Do të ishe i kënaqur edhe nëse “The Voice” do të mbyllej për ty në “Netët live”?

Jo, mendoj se kam ende shumë për t’i ofruar këtij spektakli. “Netët live” janë vetëm kulminacioni i “The Voice”, por unë do të vazhdoj të këndoj edhe më pas. Kam një pedagog të shkëlqyer dhe do t’i mbetesha borxh atij edhe publikut sikur të përfundonte çdo gjë në “The Voice of Albania” për mua. U jam shumë mirënjohës të gjithëve që më kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe, prandaj ndiej obligim që të mos zhgënjej askënd.

 

Aurela Simo Kalaja: Po realizoj një dëshirë të vjetër

Aurela Simo Kalaja

Aurela Simo ndoshta është më e madhja në moshë që konkurron në “The Voice of Albania 2”, por kjo nuk e ka penguar aspak të ndjekë pasionin për muzikën. E lindur në Tiranë më 1977, pas shkollës së mesme ka vazhduar studimet e larta për Arkitekturë dhe Master në Menaxhim Biznes. Ka krijuar familjen e saj me Erjonin dhe djalin 2-vjeçar, Krisin. Angazhimet e para në muzikë për të kanë qenë në Pallatin e Pionierëve, ku përveç këngës ka ndjekur mësime për violinë dhe flaut. Gjatë këtyre viteve, mundësia e vetme e shprehjes për të kanë qenë fundjavat me miqtë dhe festat.

A ishe e përgatitur për një “humbje” në fazën e betejave dhe çfarë stimuli të jep kalimi në “Netët live”?

Përgjithësisht jam natyrë që dua të qëndroj me këmbë në tokë, ndaj marr në konsideratë së pari humbjen dhe më pas fitoren. Kjo pasi m’i bën gjërat më të lehta pavarësisht situatës. Kuptohet që përgjegjësia është akoma edhe më e madhe, pasi kam shumë miq që pretendojnë dhe kanë shumë besim tek unë.

Si do ta përkufizoje eksperiencën e deritanishme në “The Voice”? 

Është nga eksperiencat më të bukura të jetës sime. Ka shumë emocion, adrenalinë, por mbi të gjitha po më plotëson një dëshirë të madhe dhe të vjetër. Për momentin është një pjesë e shpirtit tim. Shumë veta shprehen duke shkruar, pikturuar apo kompozuar, disa të tjerë duke kënduar.

Në këtë format të takon të përballesh edhe me konkurrentë mjaft të rinj në moshë. Përbën kjo kompleks për ty?

Më kanë pyetur edhe të tjerë për këtë. Ndoshta mund të jetë një përshtypje që pa dashur mund ta kem lënë vetë unë. Në të vërtetë nuk është kështu. Që unë jam ndër më të mëdhenjtë te “The Voice 2” është e vërtetë, por jam shumë e kënaqur që kam të njëjtën energji dhe dëshirë si ata që janë më të rinj.

Sa është çmimi i madh në ambiciet e tua?

Fillimisht nuk ishte, por tashmë po. Më pëlqejnë sfidat ndaj vetes dhe kjo bëhet edhe më e bukur kur dëshira dhe pasioni janë në mes. Kjo nuk duhet të kufizohet as nga mosha e as nga statusi.

Para ca kohësh një miku im aktor komentoi për iniciativën time:

“Më mirë i vdekur me dëshira të realizuara, sesa i gjallë e me dëshira të vdekura”.

 

 

Arbëresha Maloku: Pres të jem në finale

Arbëresha Maloku

Arbëresha Maloku, vajza që vjen nga Gjakova, ia ka dalë që të shkojë në “Netët Live” si pjesë e skuadrës së Eltonit. Ajo ka filluar që e vogël të këndojë, por tashmë ambiciet e saj janë ato të një profesionisteje. Të kënduarit e konsideron si ëndrrën më të madhe në jetë.

Kush e ka zbuluar fillimisht talentin tënd në këngë?

E zbuloi mësuesja e muzikës së klasës së katërt dhe më futi në kor, te programi i shkollës. Që nga ajo kohë kam filluar të merrem me muzikë, sepse më parë kisha pasion aktrimin dhe pikturën. Më vonë, bashkë me shoqet krijuam një grup vallëzimi. Mund të them se jam me shumë fat që 9-vjeçaren e kam kryer në shkollën ku janë organizuar shumë aktivitete që më kanë dhënë mundësinë të zbuloj talente të reja te vetja. Në gjimnaz vazhdova të merresha vetëm me muzikë, në koncertet e shkollës dhe organizime nga të rinjtë në Gjakovë. Më pas iu përkushtova fakultetit dhe mbarova për Sociologji duke qenë gjithmonë në pritje të një formati nga “Top Channel”, siç erdhi “The Voice”. Për mua është e vetmja gjë që më beri t’i rikthehem ëndrrës time më të madhe në jetë.

Çfarë domethënie ka për ty fakti që kalon në “Netët Live”?¨

Më bën ta shoh veten shumë larg me muzikë. Tani ne mund të bëjmë show për publikun. Dua të kem mundësi të përdor të gjithë bagazhin tim artistik në “The Voice” dhe të kem publikun për vete.

Nga Mitrovica vijnë shumë të rinj me pasion për muzikën. Sa ka ndikuar kjo atmosferë në rrugën tënde?

Në aspektin e garës nuk ka ndonjë ndikim, thjesht krenohem me ata.

A e mendon muzikën si profesion?

Muzikën e mendoj si profesion, por jo si të gjithë artistët shqiptarë. Ëndrra ime është të bëj turne personal nëpër të gjitha trevat shqiptare dhe pse jo edhe më larg.

Çfarë pret nga “The Voice”?

Pres të jem në finale dhe pse jo edhe të fitoj. Do të më ndihmonte për rrugëtimin tim të mëtejshëm.

 

Edona Vatoci: Nuk do të ndalem duke bërë muzikë

Edona Vatoci

Tre vjet më parë, Edona Vatoci, së bashku me pianon e saj do të ngjitej në skenën e “Albania’s Got Talent”, për të treguar talentin. Vajza 16-vjeçare nga Prishtina është rikthyer për të treguar se e dëshiron muzikën. Në këtë rrugëtim të saj ka mbështetjen e madhe të familjes, ndaj të cilëve ndihet gjithnjë borxhlie.

Përzgjedhja në 5-en e “Netëve live”, sa të stimulon për të synuar çmimin e madh?

Çmimin e madh, secili nga ne e synon që në fillim. Tashmë për mua është përforcuar dhe afruar, por gara është e fortë dhe duhet punë. Çdo gjë duhet marrë natyrshëm dhe kryesorja është që të kënaqem, sepse arti është qejf!

Çfarë pjese zë muzika në jetën tënde?

Zë vend të posaçëm. Besoj që nëna ime ka dëgjuar shumë muzikë kur unë isha në barkun e saj, sepse që atëherë mendoj që jam e dashuruar me muzikën. Është një hije që nuk më shqitet dhe besoj se marrëdhënia ime speciale me muzikën nuk do të zbehet.

Më parë pjesë e “Albania’s Got Talent” dhe tashmë në “The Voice”. Ishte një kthim për të treguar rritjen në muzikë?

Për një 16-vjeçare besoj se kam arritur mjaftueshëm në muzikë. Në “The Voice” po mundohem të jap maksimumin tim që t’i tregoj vetes dhe të tjerëve progresin që kam bërë nga 3 vite më parë. Tani po formojmë një band të ri, “Ei aka electronic intelectuals”, ku do synojmë kryesisht rryma dark wave, synth pop. Koncepti lidhet me satirizimin e gjendjes aktuale të vendit tonë. Punët shkojnë mirë, jemi ende në fillim dhe po formojmë kiminë brenda grupit që është kyçe. Së shpejti do të lançojmë EP-në e parë. E rëndësishme është që nuk do të ndalem duke bërë muzikën që dua.   

Cili është synimi yt për të ardhmen?

Vetëm që të jem e lumtur me veten dhe vendimmarrjet e mia. Kryesisht sukseset në muzikë, shkollë etj,.

 

 

Aleksandër Tuka:  Filozofia ime, ta shijoj sa më shumë muzikën  

Aleksandër Tuka

Aleksandër Tuka, djali nga Shkodra po ashtu ka një lidhje të hershme me muzikën. Që në klasën e katërt ka qenë pjesë e festivaleve për fëmijë, ku ka pasur rolin e solistit. Ka nga ata që e kujtojnë edhe si pjesë e grupit “Mister”. Pas kësaj periudhe të shkurtër me muzikën e lehtë iu përkushtua muzikës klasike, si pjesë e korit që drejtohej nga maestro Gjon Kapidani. Këtu mori formimin e parë profesional. Aktualisht është pjesë e korit “Prenk Jakova” me muzikantin e mirënjohur shkodran, Gjon Shllaku, ku ka shpenzuar kohën më të madhe të aktivitetit muzikor. “Kjo më dha mundësi që përveç muzikës klasike, të eksperimentoj edhe muzikën gospel. Duke parë që kjo rrymë pati sukses të jashtëzakonshëm, na u dha mundësia të bënim turne në Itali ku u pritëm shumë mirë”, tregon Aleksandri.

Ti ke një formim muzikor dhe je këngëtar. Pse zgjodhe të konkurroje në “The Voice”?

Zgjodha “The Voice”, sepse ishte i vetmi show që mund të më jepte mundësinë të tregoja atë që kam mundësi të bëj dhe të tregoj aftësitë e mia artistike në këtë lloj muzike, të cilës i rikthehem pas disa vitesh ndërprerje.

Cili qe arsyetimi që bëre kur zgjodhe si trajner Eltonin?

Arsyet që zgjodha Eltonin janë të shumta. Eltoni për mua përfaqëson njëfarë idhulli muzikor të cilit nuk është keq ti ngjasosh. Rrymat muzikore që ai bën përshtaten me atë që unë preferoj. Është një muzikant tek i cili mund të mbështetesh dhe të diskutosh çdo gjë teknike dhe interpretative. Pastaj vjen ana njerëzore, e cila përbën një tjetër arsye që më shtyu ta zgjedh.

“Knock Out” ishte një sfidë e fortë për ty, pasi kalove me një shans të dytë. Cila do të jetë filozofia për “Netët live”?

Edhe për “Knock Out” pata një filozofi: Të përqendrohesha dhe të isha shumë lart muzikalisht. Vlerësimi pastaj vjen më vonë. Do të ndjek të njëjtën filozofi edhe në “Netët live”. Duke pasur parasysh se është një show për zërin, aty duhet të shpenzoj të gjitha energjitë dhe pasionin tim.

Cila është motoja jote në jetë, por edhe në muzikë?

Motoja ime në jetë është të jem sa më i thjeshtë dhe i dashur me njerëzit. Në muzikë kam dëshirë të shijoj sa më shumë atë që bëj dhe të përpiqem në maksimum që t’ia transmetoj publikut.

Comments are closed.