Agron Vula: Suksesi dhe dështimi i Festivalit të RTSH-së është i të gjithëve

Dy regjisorët Agron Vula dhe Astrit Idrizi, për herë të parë do të qëndrojnë pas pultit të regjisë së edicionit të 51 të Festivalit të Këngës së RTSH-së. Sipas tyre, gjithçka do të jetë e përqendruar te detajet 

Mungojnë vetëm pak ditë nga edicioni i 51 i Festivalit të RTSH-së, i cili do të mbahet në Pallatin e Kongreseve në datat 20, 21 dhe 22 dhjetor. Këngëtarët janë shpallur, këngët po ashtu, edhe disa të ftuar. Forma që do të marrë spektakli është ende për t’u parë. Këtë vit, ndryshe nga çdo herë tjetër, regjia u është ofruar dy artistëve nga Kosova, Agron Vula dhe Astrit Idrizi. Ata i gjen në Pallatin e Kongreseve, ku paralelisht vazhdojnë provat e këngëtarëve konkurrentë. Në fakt, 2012-a shënon edhe 40-vjetorin e Festivalit të 11, një përvjetor që thuajse ka eklipsuar këtë edicion të 51. Interesi për të mësuar se si do të vijë në retrospektivë, këngët që do të risillen, protagonistët që do të ngjiten pas 40 viteve në skenë, ka qenë më i madh se për elementet e tjera. Si u gjendën dy regjisorët nga Kosova pas regjisë së këtij festivali? “Ftesa më ka ardhur nga drejtori i RTSH-së, Petrit Beci. Ndodhesha në Bruksel kur më telefonoi. Bëhet fjalë për një sfidë shumë të madhe dhe në një farë mënyre u befasova, pasi nuk e prisja. Si për çdo gjë të re, njeriu frikësohet. Sigurisht ne me këtë punë merremi prej vitesh, eksperienca bën të vetën, por në këtë rast bëhet fjalë për një frikë pozitive, që të vë në pozita pune, që të nxit të mendosh më shumë dhe të gjesh zgjidhje të reja. Është më thjesht kur bën një festival për herë të parë, sepse çdo gjë që sjell është sipas atyre standardeve që vendos, pa u krahasuar me të tjerë”, shprehet regjisori Vula. Këtë vit është menduar që Festivali i RTSH-së të vijë i gjithi drejtpërdrejtë. Një pjesë e madhe e këngëtarëve profesionistë i ishin larguar këtij evenimenti, për shkak të standardeve të të interpretuarit. Interpretimi live ka qenë një problem i vazhdueshëm për këtë aktivitet vjetor. “Për mua kjo është një eksperiencë e re, pasi do të realizoj një regji ku edhe orkestra është live. I kam dëgjuar këngët më parë, të zbërthyera në muzikë e vargje, për të ndërtuar konceptin se si do t’i sjellim ato, për të dëgjuar stilin, këngëtarët. Të interpretuarit live ka anët e mira dhe anët ‘e këqija’. Duke qenë live këngëtari është i shtrënguar që të qëndrojë në një vend, ndërkohë që është më e vështirë për kamerat që të përcjellin instrumentet. Kjo krijon kufizim, pasi nuk mund të futemi mes instrumentistësh e t’i pengojmë në punën e tyre. Këtë vit fabula jonë do të bazohet mbi ritmin e këngëve, ndërsa sot fokusohemi mbi instrumentistin. Do të mundohemi të përcjellim edhe lëvizjen më të imët. Edhe nëse një perde lëviz, shikuesi të mund të shohë dorën e atij që e hap, që do të thotë se do të mundohemi që këngën ta zbërthejmë në të gjitha komponentët përmes kamerave. Jo gjithçka varet prej meje dhe prej Astritit, por prej 50 vetave, që tek ata që shoqërojnë këngëtarët në skenë deri te ne që jemi në pultin e regjisë apo drejtuesit e festivalit. Dështimi dhe suksesi është i të gjithëve. Ndaj unë kur flas si regji, mundohem ta shpërndaj edhe meritën, pasi nuk është vetëm e jona, por e gjithë ekipit”, thekson Vula. Si do të vijë Festivali i 11? “Së pari, festivali do të vijë përmes këngëve që do të interpretohen nga këngëtarët më në zë. Do të përpiqemi që t’i ikim politizimit të ngjarjes. Janë këngë shumë të bukura. Kur i kam dëgjuar jam çuditur se si është e mundur që këto këngë të jenë krijuar atëherë. Kur i pashë në prova, pyeta nëse janë këngë të festivalit të atëhershëm apo të festivalit të sivjetshëm. Pra edhe si prurje në ekran do të jenë ndryshe. Do të mundohemi të bëjmë një kombinim me xhirimet e atëhershme, edhe pse në arkiv nuk kanë mbetur shumë pamje”. Vula punon prej 12 vitesh në RTV 21, me një ekip që njihen mirë, por shprehet i kënaqur edhe nga pritja që stafi i ka bërë këtu. “Është hera e parë që po punoj me ekipin e RTSH-së, por e rëndësishme është që na kanë pritur shumë mirë. Imagjinoni sikur të të shohin shtrembër e të mendojnë me vete: ja na erdhën këta, do të bëjnë çudira. Por në fakt na e kanë lehtësuar shumë punën”, tregon regjisori. Puna e tyre do të duket vetëm pasi festivali të ketë filluar.

 

Të ftuarit

Grupi boshnjak “Hata Mata Hari” do të jetë një nga të ftuarit e Festivalit të RTSH-së. Bashkë me ta edhe Ell & Nigar Jamal, fituesit e Eurosong 2011. Listët i shtohet grupi hungarez “Compact Disco”, të cilët ishin finalistë në Eurosong 2012 me këngën e tyre “Sound of our hearts”. Natën finale pritet të vijë edhe tenori i njohur shqiptar, Saimir Pirgu.

Comments are closed.